Vendimi i gjykatës së Hagës rrit ndjenjën antiperëndimore në Kosovë. Rusia, Kina dhe Serbia fërkojnë duart
Vendimi i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka shkaktuar zemërim të madh në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare.
Dënimet e rënda ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit janë përjetuar nga shumica e shqiptarëve jo thjesht si vendime ndaj katër individëve, por si një goditje ndaj UÇK-së dhe historisë së çlirimit të Kosovës.
Pas shpalljes së vendimit pati përplasje me policinë në Hagë, ndërsa në Kosovë grupe protestuesish sulmuan murin rrethues të selisë së EULEX-it dhe thyen disa xhama.
Këto incidente janë një sinjal alarmi.
Zemërimi i qytetarëve është i kuptueshëm. Kosovarët shohin se drejtuesit e luftës së tyre janë dënuar me burgime të gjata, ndërsa shumë nga autorët e masakrave serbe vazhdojnë të jetojnë të lirë.
Ata shohin një drejtësi që u tregua tepër e ashpër me drejtuesit e UÇK-së, por që nuk arriti të vendoste përpara përgjegjësisë së plotë aparatin shtetëror serb që vrau, masakroi dhe dëboi afro një milion shqiptarë.
Pikërisht këtu lind revolta.
Por zemërimi ndaj një vendimi të diskutueshëm nuk duhet të kthehet në urrejtje ndaj Perëndimit.
Kosova nuk duhet të ngatërrojë një gjykatë, një trupë gjykuese apo një proces juridik me të gjithë aleatët që e ndihmuan të fitonte lirinë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të NATO-s ndërhynë ushtarakisht në vitin 1999, në një kohë kur Kosova po zbrazej nga popullsia shqiptare.
Pa bombardimet e NATO-s, ushtria dhe policia e Sllobodan Millosheviçit nuk do të ishin larguar nga Kosova.
Pa mbështetjen amerikane dhe europiane, pavarësia e Kosovës nuk do të ishte njohur nga pjesa më e madhe e botës demokratike.
Prandaj sulmet ndaj zyrave të EULEX-it apo objekteve të tjera perëndimore janë të gabuara dhe të rrezikshme.
Ato nuk e ndihmojnë Hashim Thaçin dhe ish-drejtuesit e tjerë të UÇK-së. Përkundrazi, dëmtojnë betejën e tyre juridike dhe krijojnë imazhin e një Kosove që refuzon drejtësinë dhe rendin demokratik.
Ky është pikërisht imazhi që kërkon Serbia.
Beogradi do ta shfrytëzojë çdo akt dhune për ta paraqitur Kosovën si një shtet problematik, të paqëndrueshëm dhe armiqësor ndaj Europës.
Por rreziku shkon edhe më tej.
Çdo ftohje e Kosovës me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara krijon hapësirë për Rusinë dhe Kinën.
Moska pret prej vitesh çdo çarje ndërmjet shqiptarëve dhe Perëndimit. Rusia dëshiron ta përdorë zhgënjimin e Kosovës për të dobësuar NATO-n, Bashkimin Europian dhe ndikimin amerikan në Ballkan.
Edhe Kina kërkon të zgjerojë praninë ekonomike dhe politike në rajon, duke përfituar nga çdo boshllëk që lë Europa.
Një Kosovë e zemëruar me Perëndimin do të ishte dhurata më e madhe për Moskën, Pekinin dhe Beogradin.
Prandaj institucionet e Kosovës duhet ta drejtojnë revoltën në rrugë demokratike dhe institucionale.
Vendimi duhet kundërshtuar fuqishëm në apel. Kuvendi duhet të zhvillojë një debat të jashtëzakonshëm. Duhet të kërkohet transparencë e plotë mbi provat, dëshmitarët, kohëzgjatjen e paraburgimit dhe standardet e përdorura nga Gjykata Speciale.
Kosova ka të drejtë të kërkojë rishikimin e kësaj gjykate dhe të nisë procedurat kushtetuese për përfundimin e mandatit të saj.
Por kjo betejë fitohet me drejtësi, diplomaci, argumente dhe unitet kombëtar, jo duke djegur seli ndërkombëtare apo duke sulmuar policinë.
Edhe Perëndimi duhet ta dëgjojë zemërimin e shqiptarëve.
Brukseli nuk mund të sillet sikur në Kosovë nuk ka ndodhur asgjë. Nëse një popull që ka qenë ndër më proamerikanët dhe më properëndimorët në Europë nis të humbasë besimin tek drejtësia perëndimore, atëherë kemi një problem shumë më të madh se një vendim gjykate.
Kosova duhet të qëndrojë me Perëndimin, por edhe Perëndimi duhet të tregojë se qëndron me të vërtetën historike të Kosovës.
UÇK-ja nuk ishte ushtri pushtuese. Ajo ishte ushtria e një populli që luftonte për të mos u zhdukur dhe për të fituar lirinë.
Vendimi i Hagës mund të kundërshtohet dhe duhet të kundërshtohet.
Por miqësia strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe Europën nuk duhet të digjet në flakët e zemërimit.
Sepse nëse Kosova largohet nga Perëndimi, fituesit e vetëm do të jenë Serbia, Rusia dhe Kina
KOHA JONË SONDAZH

