Vendimi i Luksemburgut, ndëshkim fatal për piktorin dështak dhe narkoqeverinë e tij!

Nga Sali Berisha

Tallja dhe cinizmi ndaj qytetarëve shqiptarë nga Edvin Kristaq Rama dhe narko-qeveria e puthadorët e tij për hapjen e negociatave, është një akt i turpshëm dhe i neveritshëm i njerëzve të pafytyrë dhe pa moral!

Dje ne Luksemburg, ministrat e jashtëm të BE-së, pasi shqyrtuan propozimin e dytë pas vitit 2016 të Komisionit Europian për hapjen pa kushte të negociatave me Shqipërinë, hodhën poshtë këtë kërkesë dhe jo vetem kaq, por ata nuk pranuan as hapjen e negociatave pas 6 muajve dhe as pas një viti, por kërkuan reforma të tjera, dhe jo fjalë, por rezultate konkrete nga këto reforma për hapjen e tyre.

Në takimin e djeshëm pati dy qëndrime. Komisioni Europian dhe disa vende që kërkonin miratimin e propozimit të Komisionit Europian për hapjen pa kushte të negociatave ose caktimin e një date vetëm me një, apo dy kushte për hapjen e negociatave. Kurse vende të tjera u shprehën kundër hapjes së negociatave pa kushte, si dhe kundër caktimit të një datë pas 6 muajve apo një viti vetëm me 1 apo 2 kushte.

Këto vende renditën dështimet e mëdha të qeverisë në fushën e luftës kundër krimit dhe korrupsionit, lidhjet e qeverisë me këto fenomene dhe drogën, ngecjen e reformës në drejtësi dhe bllokimin e kolapsin e sistemit, vendosjen e tij në kontrollin e ekzekutivit, dhunimin nga qeveria të standardeve të zgjedhjeve, si dhe qindra mijëra azilkërkuesit. Sipas burimeve të mirinformuara, por edhe agjencive më të mëdha të lajmeve, në takim u pranuan unanimisht si të drejta faktet argumentet e këtyre vendeve, prandaj dhe u hodhën poshtë propozimet për hapjen pa kushte të negociatave, apo hapjen e tyre pas 6 apo 12 muajve me vetëm 1 apo 2 kushte.

Në një akt ndëshkimi shembullor të paprecedent ndaj Ramës dhe Narko-qeverisë së tij, u vendos që për shkak të përkeqësimit të gjendjes në vend, nga 6 kushte që ishin në vitin 2016 të përcaktohen 13 kushte (shif statusin para këtij), të cilat duhet të plotësohen dhe vetëm në rast se plotësohen ato, negociatat do mund të hapen pas një viti e gjysëm, pra në fund të vitit 2019, siç thuhet në mënyrë eksplicite në komunikatën e takimit të ministrave.

Këtë dështim të plotë dhe disfatë të turpshme të Edivin Kristaq Ramës, narko-ministrave dhe puthadorëve të tij, ata, pafytyrësisht si birbo dhe zuzarë të vërtetë, që dje nisen ta trumpetojnë para shqiptarëve si sukses, duke menduar se kanë të bëjnë me njerëz primitivë që mund t’i mashtrojnë për çdo gjë dhe mund t’ua servirin dështimin për sukses, disfatën për fitore, pra sapunin për djath.

Të dashur miq, hedhja poshtë me unanimitet e kërkesës së Komisionit Europian nga ministrat e jashtëm të vendeve të BE-së për hapjen pa kushte me 28 qershor të negociatave me Shqipërinë, dhe jo vetëm kaq, por edhe vendosja e 13 kushteve pa plotësimin e të cilave negociatat nuk hapen as në fund të vitit 2019 dhe asnjëherë është një goditje fatale për Noriegën dhe narko-qeverinë e tij. Ky vendim i Këshillit të Ministrave për mos hapjen e negociatave as tani, as në vjeshtë, apo dhjetor të këtij viti, por vetëm pas një viti e gjysëm, pra në fund të vitit 2019, dhe vetëm në rast se janë plotësuar 13 kushtet, është vërtet ndëshkimi më i rëndë për klikën e Edvin Kristaq Ramës në pushtet.

Ata që besuan se Edi Rama do të plotësonte 6 kushtet, dhe se tani pas dështimit të plotë ai do mund të plotësojë 13 kushtet, kanë humbur çdo lidhje me realitetin, vlerat dhe standardet e BE-së dhe janë shndërruar në skllevër të interesave të tyre më të ngushta dhe kockave që u hedh për të lëpirë piktori dështak.

Por ky vendim është thirrja më e fuqishme për çdo shqiptar, për të çliruar vendin sa më shpejt nga narko-qeveria që ka bllokuar të ardhmen tyre europiane!

 

SHKARKO APP