Vendosni më në fund!

Nga Barbara Wesel

Vëzhguesit afatgjatë të politikës evropiane, i kap kur dëgjojnë këtë lajm një ndjenjë depresive e rikthimit të kohëve të vjetra: në verë Komisioni Evropian do të paraqesë një projekt për një politikë të re ndaj refugjatëve. Deri atëherë ka kohë për një debat të ashtuquajtur orientues. Kjo është një mundësi për qeveritë e vendeve anëtare për të vënë në tavolinë shumë ide të bukura, të vjetra dhe për të kaluar njëkohësisht në pozita mbrojtjeje. Sepse në politikën e migrimit dhe të refugjatëve sundon parimi: Jo në oborrin tim! Le të shohin vendet fqinje si dhe ku mund t'i strehojnë refugjatët e luftës nga Siria. Britania e Madhe është për këtë një shembull i mirë: me zë të lartë ua qajnë hallin të krishterëve sirianë deputetët e Dhomës së Ulët të Parlamentit Britanik, por britanikët kanë pranuar gjithsej 146 refugjatë nga Siria. Dhe kjo nuk ndodh prej vitesh kështu, po prej dekadash. Le të marrim idenë e ministrit të Brendshëm Gjerman për të ngritur qendra pritëse për refugjatët e Afrikës diku në Afrikën e Veriut ose për t'i nxjerrë ata nga rajonet e luftës civile, pa marrë rrugën e Mesdheut. Këtë propozim Thomas de Maiziere duhet ta ketë gjetur në ndonjë dosje të vjetër në zyrën e tij, sepse para një dekade kjo ide është paraqitur njëherë në Bruksel nga para-paraardhësi i tij, Otto Schily. Që atëherë bota në Afrikën e Veriut nuk është bërë më e mirë. E ku mund t'i ngresh qendra të tilla? Mbase në Libi, në vendin kryesor tranzit, i cili kontrollohet nga banda të armatosura në vend të një qeverie qendrore.

E njëjta gjë vlen edhe për premtimet për të vepruar më me forcë kundër trafikantëve të njerëzve. Herë pas herë kapen disa vetë në varka. Por si në tregtinë e drogës – kapen vetëm peshqit e vegjël. Deri tek bandat kriminale në Libi ose në Turqi nuk arrin askush, aq më pak në BE. E si? Me njësi komando? Pika tjetër në kërkesat është thirrja për kontrolle më të mira kufitare. Por mbrojtja e kufirit është në dorën e shteteve anëtare, dhe ata as që kanë ndër mend t'ia dorëzojnë atë ndonjë institucioni të BE. Ose është në dorën e shteteve fqinje, si p.sh. të Serbisë, të cilat nuk kanë interes të ndalojnë refugjatë ose të mos lejojnë afrimin e tyre. Sepse ata vazhdojnë gjithsesi rrugën drejt Veriut të pasur – tema merr fund! Aktualisht nuk ekziston ndonjë mundësi legale për të ardhur për shembull në Gjermani dhe për të paraqitur këtu kërkesë për azil. Kjo është çmenduria e një politike, e cila është njëkohësisht çnjerëzore dhe jofunksionale! Dhe këtë nuk do ta ndryshojnë vendimet e reja për politikën e BE ndaj refugjatëve. Sepse Komisioni Evropian punon sërisht me frazat e vjetra: dëshirohet të mbrohen kufijtë e BE, por gjithashtu edhe migrantët, të kërkohet solidaritet, të mbështetet shpërngulja vullnetare e refugjatëve të luftës etj. Objektiva që pjesërisht e përjashtojnë njëra-tjetrën, pjesërisht janë të paarritshme. Zgjidhja më e mençur do të ishte vetëm një sistem korrekt kuotash, me të cilin azilkërkuesit të shpërndaheshin në kontinent. Por këtë nuk e pranojnë britanikët dhe evropianolindorët – pra kjo nuk arrihet.

Politika e BE ndaj refugjatëve nuk mund të përmirësojë – dhe kjo në variantin e tyre të pestë- vetëm zbatimin e rregullave ekzistues, në një kohë kur qendrim më konsekuent, shumicën e herëve do të thotë mungesë më e madhe humanizmi dhe më pak mundësi shpërdorimi.Të paktën një gjë evropianët më në fund duhet ta arrijnë: një sistem human dhe të drejtë për pranimin e refugjatëve të luftës. Evropa duhet të deklarojë më në fund vullnetin e saj politik dhe jo të përbetohet nga njëra anë për humanizëm dhe nga ana tjetër të mbyllë urat. Guximi për rregulla të qarta dhe për kuota – edhe nëse do të sillte kufizime – do të ishte më mirë se ajo që shitet tani si politikë e BE për refugjatët.

DW

SHKARKO APP