Vetëdija kombëtare dhe “Vetëvendosja” politike

Nga Nertil Jole

Nëse ka diçka që shqiptarët e të dy shteteve po përjetojnë paralelisht, është kriza e vetëdijes politike. Nga njëra anë, Kosova e bllokuar në pamundësinë për të formuar qeveri. Nga ana tjetër, Shqipëria që dëgjon në Kuvend tone përçmuese ndaj drejtësisë nga politika e vjetër. Dy realitete të ndryshme, por me një rrënjë të përbashkët: mungesën e respektit për shtetin dhe për institucionet që e mbajnë gjallë atë.

Shqiptarët, historikisht, e kanë patur të brishtë raportin mes qytetarit dhe pushtetit. Kjo mungesë kulture shtetformuese, e trashëguar ndër breza, shpesh është ushqyer nga egoja e individëve që kanë parë veten mbi ligjin dhe mbi institucionin. E për këtë arsye, çdo herë që krizat politike përsëriten, ato nuk janë vetëm pasojë e llogarive të ditës, por simptomë e një sëmundjeje më të thellë: dobësisë së vetëdijes kombëtare për funksionimin e shtetit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në Kosovë, një politikan i ri, që kishte zgjuar pritshmëri për energji e qasje moderne, po kthehet në shembullin më të freskët të ngurtësisë politike. Që prej zgjedhjeve të shkurtit, Kosova ndodhet në një qorrsokak institucional, ku “vetëvendosja” është kthyer nga filozofi politike në pengesë konkrete për funksionimin e demokracisë. Kur parimi i sovranitetit përdoret për të justifikuar bllokimin, ajo s’është më vetëvendosje, por ego politike me pasoja të padobishme, deri dëmtuese për shoqërinë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në Shqipëri, ndërkohë, protagonisti më i vjetër i skenës politike përdor sërish leksikun e sulmit, jo të reflektimit apo korrigjimit. Ai që dikur përfaqësonte drejtimin e shtetit, sot përpiqet ta zhbëjë me fjalë e sjellje politike destruktive. Sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë janë në thelb një mohim i rendit kushtetues, një përpjekje për ta rikthyer politikën e errët mbi ligjin. Pra, një tjetër formë e mungesës së vetëdijes shtetërore.

Në të dy rastet, përtej dallimeve të brezit apo kontekstit, ngjashmëria është e frikshme: patriotizëm i zhurmshëm, por mungesë respekti për shtetin; flamur në dorë, por asnjë ndjenjë përgjegjësie për institucionet. Ata që e paraqesin veten si mbrojtës të kombit, shpesh janë ata që i bëjnë dëm më të madh atij, sepse e zëvendësojnë shtetin me vetveten.

Sot, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë nevojë për më shumë fjalë të mëdha, por për më shumë maturi, para peshës që kanë institucionet më të rëndësishme të shtetit. Për një vetëdije të re kombëtare me vizion afatgjatë, që e sheh patriotizmin si konsolidim të institucioneve dhe forcim të ligjit, jo si garë për të pasur fjalën e fundit.

Dhe për një vetëvendosje politike që nënkupton aftësinë për të zgjedhur drejtimin e duhur, jo për ta bllokuar atë, në emër të pushtetit vetjak apo mburojës politike për t’i shpëtuar drejtësisë.Vetëm atëherë do mund të thuhet se shqiptarët kanë kuptuar se liria, në mungesë të përgjegjësisë, është veçse një formë e deformuar e shtetformimit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?