Vetëvrasje për dashurinë apo urrejtjen?
…askush nuk sheh e vlerson më njeriun, përkundrazi, “paja dhe bagazhet”. A ka? Sa ka? Ç’makinë ka? A është bos? E po t’i shohësh në biseda “bosat” bindesh se nga goja e mendja e tyre, nuk mund të dalë një fjalë e ëmbël, përkëdhelëse, mos të flasim për ndonjë poezi, këto që çojnë deri në përlotjen e një vajze. Apo çonin?!..
Unë nuk do të guxoja kurrë të gjykoja një veprim, qoftë edhe fatal, që për bazë ka dashurinë. Por ja që për djaloshin 20-vjeçar, që pak ditë më parë i dha fund jetës në emër të dashurisë, e bënë. Shumë, madje. Kryefjala u vendos shpejtë e pamenduar mirë: femra. Një deformim i frikshëm i gjykimit, i dashurisë, madje edhe i thashethemit. Duke shprehur fillimisht gjithë dhimbjen për atë jetë të re, për nënën e tij dhe për dashurinë e tij, le të shpjegohem:
Unë mendoj se dashuria nuk ishte arsyeja e vertetë e vetëvrasjes. Ndryshe, Shqipëria dhe Bota, me vendprehjeje të rinjsh e të rejash të vetëflijuar, do të ishin mbushur përplot. Dashuria ishte mbulesa e një plage që po hapet në trupin e vendit tonë duke prekur frikshëm rininë; përfitimi material. Shqipëria dhe mediat janë të mbushura me shembuj që trondisin shpirtrat e trazuar të rinisë, që normalisht duhet të trazoheshin veç nga pasionet e moshës.
Vajza që shpërfaqen në makina të bukura, me veshje të shtrenjta, me stolira etj. Djem po aq të shpërfaqur që stolinë e fundit përdorin një vajzë. Është një “trend” vrasës për shumicën e rinisë. Gati askush nuk sheh e vlerson më njeriun, përkundrazi, “paja dhe bagazhet”. A ka? Sa ka? Ç’makinë ka? A është bos? E po t’i shohësh në biseda “bosat” bindesh se nga goja e mendja e tyre, nuk mund të dalë një fjalë e ëmbël, përkëdhelëse, mos të flasim për ndonjë poezi, këto që çojnë deri në përlotjen e një vajze. Apo çonin?! Kjo është situata absurde. Ku gjendet sot rinia jonë? Vajzat duan të jenë si vajzat e mediave, apo ato që shfaqen në FB në plazhet e jugut e Botës. Nuk ka asnjë të keqe në këtë dëshirë, por kthimi në qëllim, është e keqja. Sepse aty shndërrohesh nga një vajzë, në një plaçkë.
Sigurisht që nuk po paragjykoj askënd. Sekush bën me jetën e tij ç’të dojë. Por ai djaloshi, jam e bindur qe e ka marrë vendimin fatal, sepse nuk kishte mundësi t’i ofronte dashurisë seçë tij, ato që kishte në mendje dhe që dëshironte t’ia ofronte. Ai ka sakrifikuar veten e tij për të na treguar të gjithëve se çfarë jemi duke bërë. Çfarë shembujsh jemi duke dhënë. Duke nxjerrë e duke bërë “të famshëm” injorantë që kanë pasur mundësi të pasurohen, që na tregojnë orë e sekondë makinat, orët, paratë, udhëtimet i hedhim rinisë sonë këtë ushqim të kalbur për shpirtin e saj. Nuk u tregojmë se sa injorantë janë. Jo. U tregojmë se sa të bukur bëhen pasi shpenzojnë mijëra e mijëra euro. Nuk u tregojmeë pllaquritjet se s’dinë të lidhin dy fjalë. Jo. U tregojmë makinën e re që blenë. Nuk flasim fare për njerëzit e punës. Për të rinjtë që çajnë në jetë duke u shkolluar. Për ata që dashurojnë dhe tallen me pasurinë e idiotëve, sepse kënaqen duke i shkruar poezi njeri-tjetrit dhe që janë kaq pak.
E pra, jemi ne arsyeja pse ai djalë iku nga kjo jetë gjithë pezm e dhimbje. Ne që u ofrojmë pa menduar fare të rinjve tanë modele se si ata duhet të vishen, jetojnë dhe dashurojnë.
Një vend ku materializmi po bëhet shkatërrues. Dy jane sipas meje ndjenjat më të fuqishme: dashuria dhe urrejtja. Nëse dashuria kur humbet ka kohën si ilaç, sidomos në moshen e re, urrejtja s’ka ilaç.E kotë të kërkohet për të. Lutem që ai djalosh të mos ketë ikur nga kjo botë me urrejtjen për veten, se nuk mund të bënte një jetë “si të tjerët” me dashurinë e tij. Nese mendimi i fundit ka qenë për dashurinë e tij, kjo do ishte lehtësuese sadopak, sigurisht aspak për nënën e tij.
Duhet të ndryshojmë qasje sepse po shkatërrojmë shpirtrat e të rinjve tanë. Dhe pastaj rrimë e i gjykojmë e thashethemojmë. Mësimi i parë për të rinjtë: Jeta është e tyre dhe nuk duhet ta jetojnë për të tjerët.