Vetmia e Evropës, shpresë dhe marrëzi
Nga Elton Metaj
“Kur je larg të pres me mall, kur je pranë grindem me ty” janë dy vargje emblematikë të Ilirjan Zhupës, që të veshura me shije me muzikën e të madhit Ferdinand Deda dhe interpretimin e vrullshëm të Aurela Gaçes, sollën në vitin fatkeq të shqiptarëve 1997, këngën hit “Fati ynë, shpresë e marrëzi”.
Sot këto vargje duket sikur janë shkruar për të sintetizuar më së miri marrëdhënien mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës së pabashkuar. Java që po mbyllet dëshmoi ndoshta më qartë se kurrë, që Evropa është e vetme dhe “ëngjëlli i saj mbrojtës” përtej Atlantikut është kthyer në “një djall” që e fton në mëkat. Në mëkatin e lëshimit të territoreve të pushtuara dhe akoma më tej, në dorëzimin pa luftë edhe të kilometrave katrorë ende të papushtuara. Në të kundërt, ajo, Evropa e vjetër dhe e re, do të mbetet vetëm.
Në fakt, ditët e fundit kanë qenë më vetmitaret e kontinentit plak, prej kur Vladimir Putin nisi nga Kremlini tanket e zhurmshëm, avionët, dronët e raketat, drejt një ish-komediani, që në Kiev punonte si President i Republikës së Ukrainës. Në muajin e 46-të të konfliktit Rusi-Ukrainë, nga sirtarë që ende nuk dihet të kujt janë, doli një plan paqeje amerikan, që i vuri vulën edhe publike çarjes SHBA-Evropë dhe, në anën tjetër, konsolidimit të një tryeze trepalëshe SHBA-Rusi-Ukrainë. Kjo u dëshmua në disa hapa:
Së pari, Uashingtoni qartësisht nuk ju dha një rol evropianëve në hartimin e 28 pikave që e detyronin Ukrainën të dorëzohej, duke lënë 5 rajone për rusët dhe duke pranuar të mbetej jashtë #NATO-s, me një ushtri të reduktuar e të papajisur.
Së dyti, SHBA nuk i përfshiu evropianët si palë, por thjesht si vëzhgues, në negociatat e Gjenevës me Ukrainën, ku duket që “28-pikëshi” ka marrë një fytyrë më dinjitoze. Kryediplomati amerikan, Marko Rubio, e hodhi në koshin e mbeturinave një kundërplan evropian.
Së treti, vetë sekretari Rubio ka preferuar të jetë në Majami këtë fundjavë për t’iu bashkuar negociatave të mëtejshme me Kievin, ndërsa nuk do të marrë pjesë në një mbledhje të Ministrave të Jashtëm të NATO-s më 3 dhjetor në #Bruksel. Një mungesë e rrallë dhe domethënëse për një Sekretar Shteti.
Së katërti, pak ditë pasi mori mbështetjen e Trumpit për protagonizmin e tij konservator në zemër të Evropës, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, fluturoi drejt Moskës për të konfirmuar se do të vazhdojë të blejë gazin rus dhe drejt Vuçiçit në Suboticë për të blerë aksionet e kompanisë serbe të naftës #NIS, e sanksionuar nga SHBA-ja.
Të gjitha këto ndodhin për një fakt, fatkeqësisht të thjeshtë, dobësinë e Evropës, që përbën edhe marrëzinë e saj. E goditur çdo ditë nga lufta hibride ruse, me sabotazh e sulme kibernetike, e gërryer nga brenda prej burokracisë së tepruar dhe avancimit të ekstremistëve në disa shtete, Evropa nuk ka frymë dhe forcë, sepse ka humbur vendimmarrjen. Apo edhe anasjelltas. Por qartësisht Evropa dhe kryesisht Bashkimi Evropian në këtë rast, ka ngecur në rrethin vicioz, që si perimetër ka pafuqinë për të vendosur.
Çfarë shohim sot është se, sanksionet e mëtejshme ndaj Rusisë frenohen, sa nga Budapesti e sa nga Bratislava, përdorimi i aseteve ruse për luftën në #Ukrainë bllokohet nga pjesa belge e Brukselit, ndërsa politika e përbashkët evropiane ka humbur rrugën. Si strategë të stërvitur nga historia, rusët e lexojnë dhe kuptojnë këtë shumë qartë. Ata janë në avancim, jo vetëm në tokat e ftohta të Ukrainës, por mbi të gjitha, ndaj projektit të një Evrope të Bashkuar. Për këtë arsye, e pranojnë një Ukrainë si anëtare të BE-së, por jo të NATO-s. Forca e asaj që quajmë BE sot, në metrin rus dhe jo vetëm, është larg të qënit shqetësuese.
Në këtë kornizë gjeopolitike, sfida mbetet vetëm një: A do të ketë Evropa forcën ta kthejë krizën në një mundësi, së pari, për të shpëtuar veten? A do të shërbejë marrëzia dhe dritëshkurtësia aktuale si një shpresë për të ndërtuar një Evropë të vërtetë? 28 vjet më parë, Aurela Gaçe kërkonte një ëngjëll mbrojtës për të shpëtuar fatin e saj, sot Evropa ka përpara 28 pikat e planit të paqes, mbi të cilat duhet të rigjejë vlerat sa nuk është vonë. Thjesht përgjimi dhe publikimi i bisedave të negociatorëve në Uashington e Moskë nuk mjafton.
30.11.2025
KOHA JONË SONDAZH

