Vettingu, drejtësi popullore apo gjykatë ushtarake?
Nga Sokol PAJA
Shkarkimi i disa gjyqtarëve dhe prokurorëve nga organet e Vettingut për faktin se nuk kalojnë testin e pasurisë, ngjason me një gjyq ushtarak komunist. Ashtu si pas ‘45-ës ku komunistët rrafshuan gjithçka, u morën pasurinë kundërshtarëve, duke i shpallur kulakë dhe armiq, edhe gjyqet e fundit të Vettingut me atë se çfarë po shohim, ngjasojnë me gjykatat ushtarake me fokus të vetëm pasurinë. Një gjyqtar, një prokuror, një njeri i drejtësisë si fillim duhet vlerësuar profesionalisht. Si ka dhënë drejtësi, njeriu i drejtësisë? Kjo është pyetja profesionale që duhet të ndiqet në gjykimin dhe vlerësimin e njerëzve të drejtësisë. Gjykimi vetëm pasuror është i pamjaftueshëm, tërësisht tendencioz, i rrezikshëm, sigurisht edhe jo profesional. Po gjykohet dhe kontrollohet një njeri i drejtësisë dhe jo një drejtor tatimesh. Si shpjegohet fakti që asnjë njeri i drejtësisë nuk është shkarkuar si shkak kontrollit të figures, apo vlerësimi i aftësive profesionale, por për vlerësimin e pasurisë? Drejtësia e re duhet të shërohet, duke filluar nga themelet jo nga koka. Më shumë sesa një pasuri e krijuar në mënyrë të paligjshme nga një njeri i drejtësisë, duhet hetuar fuqimisht dhe thellësisht dëmi i shkaktuar nga vendimmarrja me qëllim krijimin e kësaj pasurie të paligjshme. Them se Vettingu ngjan me një gjykatë ushtarake komuniste, sepse mjaftohet vetëm me largimin e një njeriu nga drejtësia pa dhënë llogari më pas, duke i thënë se ke pasuri të pajustifikuar dhe nuk i thotë se, në cilat raste ka bërë korrupsion, si i ka vjedhur qytetarët, kur dhe ku ka marrë vendime në dëm të qytetarëve dhe të republikës, cili është problemi ligjor, moral dhe profesional i këtij njeriu që ikën. Të larguarit duhet të japin llogari si fillim profesionalisht më pas ekonomikisht dhe moralisht. Reforma e drejtësi nga një drejtësi popullore e themeluar nga ushtruesi i sovranitetit të popullit, sot me bindje mund të themsi se ngjan as më pak dhe as më shumë me një gjykatë ushtarake komuniste. Vettingu solli një paralizë të institucioneve të drejtësisë. Gjykata Kushtetuese pothuajse e shkrirë, s’ka më anëtarë për një vendimmarrje, Gjykata e Lartë në minimum ekzistencial dhe në pamundësi vendimmarrje, një Prokurori e përfolur më shumë se kurrë, në iligjitimitet dhe në humbje totale të besimit të publikut. Organe të reja të drejtësisë që u krijuan për të shëruar sistemin por në të vërtetë kanë krijuar një problem edhe më të madh në sistem. Drejtësia e së ardhmes duhet pastruar nga e kaluara dhe shëruar nga e tashmja.
Pikë së pari nga drejtësia duhet të largohen ato gjyqtarë e prokurorë me të shkuar komuniste, që kanë burgosur, torturuar e internuar njerëz. Duhet të largohen ata gjyqtarë e prokurorë që kanë lidhje me ish sigurimin e shtetit. Drejtësia kurrë nuk mund të vijë nga dora e xhelatit. Gjyqet e vettingut ngjallin disa pikëpyetje që përbëjnë anën problemore të reformës në drejtësinë e pseudoreformuar:
Cfarë dëmi i kanë shkaktuar shtetit dhe qytetarëve shqiptarët drejtësidhënësit që po ikin? A duhet t’ju merret pasuria e vënë në kundërshtim me ligjin? Cilat janë vendimet problematike? Cili ka qenë dëmi i vendimmarrjes së njëanshme? Si do procedohet me pasurinë e paligjshme? Po për vendimet e tyre njerëzit që ikën kur do japin llogari? Njerëzit e prekur nga vendimmarrja e paligjshme a kanë të drejtë të rihapin nga e para process gjyqësor? Çfarë do bëhet me njerëzit e drejtësisë që s’do jenë më pjesë e procesit? Sa të rrezikuar janë nga bota e krimit dhe kontaktet e pambrojtura me këtë mjedis të kontaminuar? Kush do i mbrojë të pambrojturit? Si do të zëvëndësohet gjithë ajo trupë dhe ajo eksperiencë e kapital njerëzor, institucional e profesional? A mund të bëhet drejtësia me viktima të drejtësisë? Kujt i intereson dhe kujt do i shërbejë një drejtësi e brishtë dhe kontrolluar?
P.S Ky shkrim është pjesë e Projektit të Institutit Shqiptar të Medias “Media dhe Reforma në Drejtësi”, mbështetur nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet dhe gjetjet e shkrimit janë të autorit.