Viti vendimtar i Europës

Nga Joschka Fischer

Thuhet se kriza e euros ka marrë fund. Në tregjet financiarë është rikthyer qetësia, mes garancive të autoriteteve të Bashkimit Europian – veçanërisht Bankës Qendrore Europiane – se unioni monetar do të ruhet. Por ekonomitë e Europës jugore mbeten në depresion, dhe eurozona në tërësi po vuan prej stanjacionit, trysnisë deflacioniste, dhe në vendet në krizë, një vazhdimësi të papunësisë së lartë.

 

Nuk është çudi që, duke parë paaftësinë e dukshme të autoriteteve të BE për t’i dhënë fund “sëmundjes”, shumë shtete anëtarë janë duke humbur durimin me masat e kursimit. Në fakt, në disa prej tyre vihet re një trazirë politike.
Kur të mbërrijë lëkundja e fortë, ka gjasa që do të shkaktohet – ashtu si ndodhi edhe me krizën e euros – nga Greqia, e cila po mban zgjedhjet presidenciale që duket se nuk ka gjasa të nxjerrin një fitues. Nëse parlamenti grek nuk zgjedh një president të ri me dy të tretat e votave në raundin e tretë dhe të fundit që mbahet javën e ardhshme, ai do të shpërbëhet dhe do të thirren zgjedhjet e parakohshme. Rreziku është që Syriza, një parti socialiste e ekstremit të majtë, do të marrë pushtetin.
Që të fitojë, Syriza duhet ose të mashtrojë votuesit e vet në lidhje me opsionet që ka, ose të këmbëngulë se do të rinegociojë kushtet e shlyerjes së borxheve që i janë imponuar Greqisë nga e ashtuquajtura Trojkë (Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar), ndërkohë që do të vazhdojë me veprime të njëanshëm, nëse rinegociimi dështon. Por, çdo rinegociim që do të pasonte një fitore të Syrizës me shumë gjasë do të shkaktonte një ortek politik në jug të BE, i cili do të merrte përpara gjithë programin e rreptësisë fiskale dhe do të rindizte flakë sërish krizën e eurozonës.
Sigurisht, Greqia vetë është shumë e vogël që problemet e saj të paraqesin ndonjë rrezik real për eurozonën. Por rezultati i zgjedhjeve në Athinë mund të shkaktojë panik në tregjet financiarë, duke shkaktuar kështu një krizë e cila do të rrezikonte të zhvendosej në Itali, ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës, dhe me pak vonesë, edhe në Francë, ekonomia e dytë më e madhe.
Mund të ndodhë një mrekulli: në Athinë mund të zgjidhet një president javën e ardhshme, ose Syriza mund të mos fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fatkeqësisht, cilido rezultat thjeshtë do të shtynte në kohë një krizë të nxitur nga politika në BE. Në fund të fundit, edhe në Itali ka shenja që furtuna po afron. Dhe pasi të goditet Italia, radhën mund ta ketë Franca.
Konflikti në lidhje me masat e kursimit është bërë shpërthyes politikisht sepse ai po shndërrohet në një konflikt mes Gjermanisë dhe Italisë – dhe më keq, midis Gjermanisë dhe Francës, dyshja që ka udhëhequr integrimin europian për dekada të tëra. Dhe kjo po ndodh në një kohë kur forcat nacionaliste antieuropiane janë duke zënë vend në parlamentet rajonalë dhe atë kombëtar në Gjermani – dhe në rrugë – duke ia reduktuar kështu së tepërmi hapësirën për kompromis Kancelares Merkel. Beteja mes mbrojtësve të masave të rreptësisë fiskale (kursimit) dhe kundërshtarëve rrezikon pra të shpërbëjë jo vetëm Eurozonën, por edhe BE si një i tërë.
Kriza në eurozonë dhe refuzimi për të bërë një përpjekje për një qasje europiane ndaj rikthimit të rritjes ekonomike ka kontribuar së tepërmi në rilindjen e nacionalizmit brenda BE. Forca e kësaj tendence politike u shfaq dukshëm në maj të 2014-ës, kur populistët antieuropianë morën rezultate të kënaqshëm për ta në zgjedhjet për Parlamentin Europian. Që atëherë, tendenca nacionaliste ka vazhduar e pazbehur.
Nga një këndvështrim, kjo tingëllon e çuditshme. Në fund të fundit, asnjë prej problemeve që Europa has apo do të hasë në të ardhmen nuk mund të zgjidhet më lehtësisht vetëm, në nivel kombëtar, se sa brenda BE dhe përmes kuadrit të një komuniteti politik mbikombëtar. Në të vërtetë, ksenofobia nacionaliste është veçanërisht absurde po të kesh parasysh realitetet demografikë: Një Europë që plaket ka nevojë urgjente për më shumë imigrantë, jo më pak.
Gjithashtu është çuditshme se sa pak janë skandalizuar europianët kur kanë parë mbështetjen që nacionalistët e rinj dhe të vjetër të Europës kanë marrë nga Rusia; për shembull, qeveria e Vladimir Putinit dha një dorë për financimin e Frontit Nacional në Francë, përmes një huaje disa miliona Euro që u tërhoq në një bankë ruse. Me sa duket, pikëpamjet autoritare dhe këndvështrimi nacionalist për botën krijojnë gjithmonë lidhje të qëndrueshme.
Nuk është ekzagjerim të thuhet se aktualisht, BE është e rrezikuar prej nacionalizmit reaksionar, dhe kjo është arsyeja përse kriza e ardhshme e euros do të vijë në formën e një krize politike. Atëherë, përse autoritetet në Berlin, Bruksel dhe kryeqytete të tjerë të BE-së nuk janë ende të gatshëm të ndryshojnë politikat e tyre, të cilat është e qartë se e kanë përkeqësuar edhe më shumë situatën? Të shohësh BE nga jashtë është njësoj si të shohësh me xhirim të ngadaltë një tren që po shkon drejt përplasjes – një tren, që ishte paralajmëruar që në stacion.
Eshtë edhe Britania e Madhe e cila po ecën në mënyrë të qëndrueshme dhe me vendosmëri të dukshme drejt “Brexit”-it. Ky rrezik shtrihet përtej 2015-ës; megjithëkëtë, është një komponent i rëndësishëm i panoramës së përgjithshme të krizës së BE-së. Pavarësisht nëse Mbretëria e Bashkuar do të ndahet apo jo politikisht prej kontinentit, viti i ardhshëm do të shënojë një pikë kthese për Europën. /Copyright: Project Syndicate.http://www.project-syndicate.org/
e.gj./www.bota.al

SHKARKO APP