Vonesa fyese për kandidatët e Tiranës

Nga Mero Baze

Dy partitë e mëdha po përgjojnë njëra-tjetrën për të shpallur kandidatët e tyre për Tiranën, rëndësia e së cilës është shtuar, duke e kthyer garën e kryebashkiakut si garën më të rëndësishme në vend pas asaj për kryeministër. Për shkak edhe të sistemit zgjedhor që kemi, i cili na lejon të zgjedhim vetëm kryeministrin, gara për Tiranën, është gara më e rëndësishme politike në vend.

Nisur nga kjo peshë që ka në jetën politike të vendit, vonesa e afirmimit të kandidatëve për Tiranën është fyese.

Është fyese pikë së pari, pasi shqiptarët nuk mund të shkojnë dy muaj para zgjedhjeve duke hedhur baste se kush mund të jetë kandidati për kryebashkiak. Kandidati për kryebashkiak i Tiranës, nuk është një njeri që lind në minutat e fundit, në kulisat e zyrës së kryetarëve apo nga lobimi i njerëzve afër tyre, për interesa të qarta të kapjes së pushtetit në Tiranë. Profili i kryebashkiakut të Tiranës, është profili i dikujt që qytetarët duhet ta nënkuptojnë një vit para garës dhe së paku ta mësojë disa muaj para se të afrohet data e garës.

Mënyra se si Edi Rama dhe Lulzim Basha po sillen me këtë proces, duket se sundohet nga një lloj arrogance prej pronarësh për këtë post.

Kjo sidomos, për rastin e Edi Ramës, i cili është simboli i kryebashkiakut të Tiranës, të cilën nuk ia dhuroi askush, por ua rrëmbeu socialistëve, duke iu imponuar me profilin e tij të lartë si intelektual dhe pjesë e njerëzve aktiv të shoqërisë. Atë që Edi Rama iu bëri dikur socialistëve, sot ai nuk po lejon në fakt t’ia bëjë askush atij. Deri këtu nuk është faji i tij, që diksuh nuk ka guxuar aq shumë, por që të rrimë të bëjm tek a çift me gishta kush mund të jetë kandidat, kjo është fyese dhe në përpjestim të zhdrejtë me rritjen e rëndësisë që ka ky post tani.

Ndryshe nga Rama, Basha e ka problemin në të kundërt. Ai u vonua deri sot, pasi donte të sigurohej që nuk do ishte ai kandidat. Për këtë pati një betejë të zgjatur, si një lloj lufte të ftohtë me Familjen Berisha, derisa ata e amnistuan dhe e lejuan të “Mos digjej”, nën parimin që ai që nuk bën për Tiranën, bën për Shqipërinë.

Pas kësaj, ai bën sikur zgjedhja e kryebashkiakut të Tiranës është e njëjta procedurë si ajo e kryebashkiakut të Libohovës dhe sajon procedura dhe komisione verifikimi.

Kryebashkiaku i Tiranës për parim, është figura e dytë politike e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Kur them e dyta nuk kam parasysh ndonjë hierarki administrative, por një figurë që pranohet se është politikisht e denjë për të qenë e dyta. Këtu mund të futen aleatë apo kundërshtarë të kryetarëve, por duhet të jenë të rëndësishëm dhe të mos e fyejnë me kandidimin e tyre kryeqytetin. Ndoshta Basha është i qetë, se e di që do humbasë dhe Rama po ashtu i qetë se e di që do të fitojë, por gjurma që do të lërë kryebashkiaku i ri i Ramës, nuk ka të bëj vetëm me faktin që fiton apo jo zgjedhjet, por çfarë do bëj për Tiranën. Dhe kjo gjoja, gara e shëmtuar e emrave që lobojnë për njëri-tjetrin është tepër arrogante dhe fyese për qytetarët. Përballë dy partive të mëdha ka dalë një kandidat i pavarur, Gjergj Bojaxhiu, që ka profil më të lartë se emrat që mërmëritin dy partitë. Dhe të mos u vijë çudi kur kandidatët e kryetarëve të kthehen në kandidatë protokollarë dhe fushatën ta fitojë kandidati i pavarur, pavarësisht se mund të mos ia dalë të jetë fitues i rezulatit.

Qysh prej vitit 2000, kur Rama ka kandiduar për Tiranën, kjo garë ka pasur gjithnjë profil të lartë. Në vitin 2000, Berisha organizoi për herë të parë garë eleminatore brenda PD-së mes Besnik Mustafaj, Bamir Topit dhe Spartak Ngjelës, nga ku doli Mustafaj. Më 2003, kandidat u bë Ngjela, i cili ishte promovuar qysh më 2000. Më 2007-ën Olldashi la postin e Ministrit më të susksesshëm për t’iu bashkuar garës. Më 2011-ën Basha po ashtu shihej si figura e dytë më e rëndësishme në PD dhe u fut në garë. Pra të dy partitë kanë dëshmuar respekt në historinë e kësaj gare, derisa ajo nuk ishte në dorë të Ramës dhe Bashës. Tani që partitë janë në duart e këtyre të dyve, po dëshmohet një meskinitet dhe ulje e turpshme profili. Me sa duket, të dy vuajnë nga sindromi i pronës private për atë ndërtesë dhe u vjen keq t’ia lënë dikujt që nuk është pronë e tyre.

Gazeta "Tema"

SHKARKO APP