Votat e pavlefshme 2017 dhe katër gjetjet kryesore të këtyre zgjedhjeve

Çdo votë kundër votë kundër të gjithë kandidatëve, votë pro një subjekti apo kandidati që nuk është në fletën e votimit, vota e bardhë, etj, sipas Kodit Zgjedhor shqiptar konsiderohet votë e pavlefshme.  E thotë neni 117 i Kodit.

90% të vendeve evropiane dhe 100% e vendeve anëtare në BE kanë formulime të ndryshme, – vota kundër, vota e bardhë, vota e protestës, vota për një kandidat apo subjekt që nuk është në fletëvotimi, konsiderohet votë e rregullt, numërohet si alternativë dhe reflektohet në dokumentacionin zgjedhor. Në Shqipëri jo. Duhet të votosh patjetër njërin prej subjekteve në fletëvotimi, ta votosh qartë, dallueshëm dhe pa dilemë, – ndryshe vullneti yt qytetar, ligjor e kushtetues konsiderohet zyrtarisht “i pavlefshëm”!

Gjetjet kryesore? Po, të paktën katër

E para, më 2013 kishte 66 subjekte elektorale, më 2017 vetëm 18, pra shanset për ta ngatërruar votën dhe subjektin më 2017 ishin të paktën 3.6 herë më të vogla, por referuar të dhënave të KQZ, më 2017 kemi 9513 vota të pavlefshme më shumë sesa më 2013. Çfarë ka ndodhur? E dinë komisionerët e partive dhe numëruesit besnikë të tyre!

E dyta, sipas Kodit Zgjedhor, neni 161 nocioni i votave të pavlefshme është përjashtuar në kategoritë përcaktuese në ndarjen e mandateve parlamentare, pasi sipas nenit 162, në ndarjen e mandateve llogariten vetëm votat e vlefshme. Po kur diferenca për mandatin e fundit parlamentar është më e vogël sesa numri i votave të pavlefshme, a ka një bazë të qëndrueshme verifikimi dhe rinumërimi? Natyrisht që duhet të ketë. Në këto zgjedhje asnjë subjekt politik nuk e ka ngritur si pretendim, gjë që na shtyn të besojmë se votat e pavlefshme kanë qenë kundër tyre, pra kundër 18 subjekteve, pra votë politike për alternativë tjetër.

E treta, harta e votave të pavlefshme rritet në mënyrë disproporcionale midis qarqeve me nivel më të lartë informimi, – jo rastësisht kryeson Tiranë, e cila me mbi 8 mijë vota të pavlefshme de facto ka votat e një mandati parlamentar më pak. Ky lexim cilësor dmth, se vota e pavlefshme nuk lidhet me nivelin e informimit të qytetarëve, por me mënyrën e reagimit të tyre ndaj partive politike dhe ofertave elektorale.

E katërta, nga mbi 33 mijë vota të pavlefshme kemi të paktën 3 mandate parlamentare të “zgjedhura” nga votat e pavlefshme, – përfaqësimi i të cilave për shkak të Kodit, u shkon partive të mëdha, kryesisht tri partive kryesore, PS, PD e LSI. Sa më e vogël diferenca e tyre për një mandat parlamentar, aq më shumë ndikim kanë votat e pavlefshme dhe votat e parregullta.

Tabela nxjerr në pah nevojën për përmirësime në Kodin Zgjedhor dhe sistemin përfaqësues, – nevojën për më shumë transparencë në administrimin dhe numërimin e votave, nevojën për de-politizimin e strukturës së administrimit zgjedhor, nevojën për më shumë alternativa votimi edhe në rastet e votës së bardhë apo votës për një subjekt tjetër elektoral, nevojën për fushatë më informuese për grupe të caktuara qytetarësh dhe detajet e sistemit të votimit, si dhe nevojën për investim të gjithanshëm demokratik, – tek partitë, tek komisionerët, tek zgjedhësit, tek media dhe tek e gjithë shoqëria.

SHKARKO APP