Votojnë si të djathtë, mendojnë si të majtë
Nga Eduard Zaloshnja
Në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, mbi 40% e zgjedhësve votuan për parti që quhen të djathta. Kur bisedon me votues të tillë nëpër kafene, e quajnë veten “të djathtë”. Por nga biseda me ta, shpejt kupton se disa prej tyre i kanë mendimet kryesisht të majta. Ky perceptim vërtetohet empirikisht nga rezultatet e një sondazhi kombëtar të sponsorizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, prezantuar sot në Tiranë.
Kështu, ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 23% e të anketuarve janë pro politikës së djathë të mosndërhyrjes së shtetit në ekonominë e tregut (e cila, sipas mendimit të djathtë perëndimor, duhet të vetërregullohet).
Ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 29% e të anketuarve janë pro politikës së djathë të mosndërhyrjes së shtetit në rregullimin e çmimeve dhe mbrojtjen e bizneseve strategjike.
Ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 33% e të anketuarve mendojnë se sektori privat duhet të jetë ofruesi kryesor i punësimit.
Ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 25% e të anketuarve mendojnë se sektori privat duhet të jetë ofruesi kryesor i strehimit.
Ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 23% e të anketuarve mendojnë se sektori privat duhet të jetë ofruesi kryesor i energjisë elektrike.
Ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 20% e të anketuarve mendojnë se sektori privat duhet të jetë finacuesi kryesor i infrastrukturës rrugore.
Dhe së fundi, ndërsa mbi 40% e shqiptarëve kanë votuar për parti që e quajnë veten të djathta, vetëm 15% e të anketuarve mendojnë se sektori privat duhet të jetë ofruesi kryesor i kujdesit shëndetësor.
Votues të tillë “të djathtë”, me mendime kaq të majta, çdo parti e majtë perëndimore do t’i mirëpriste krahëhapur. Ndërsa në Shqipëri, ata aderojnë ose votojnë për parti që quhen të djathta….