Vrasja që na vrau dhe po na vret çdo ditë

Nga Albert Vataj

Ngjarja tronditëse e mbrëmjes së 10 gusht 2018, arriti të depërtonte thellë në çdo qelizë të realitetit shqiptar. Përmasat e makabritetit e shndërruan vrasjen me 8 viktima në ngjarjen më të bujshme të kohëve të fundit. Mundësia e informimit dhe e drejta e shprehjes, u shfrytëzuan nga të gjithë për të derdhur helmin e dhimbjes dhe trazimit që pikëlloi dhe lëndoi njerëzoren e tyre të brishtë.

Një spektakël horrori pushtoi mediat. Të gjithë në garë për të shtënë në dorë i pari fragmente nga kjo tablo tronditëse. U fermentuan turlilloj dinamikash dhe motivesh që shtynë 24-vjeçarin në kryerjen e këtij akti makabër. Askush nuk mbeti pas në këtë të drejtë për t’u përfshirë në dënimin e këtij krimi monstroz. U rrekën të profilizonin kriminelin, që nga psikologë e sociologë, deri te gazetarë e opinionistë, intelektualë dhe mendimtarë të fushave të ndryshme.

U tha gjithçka dhe nuk mbeti gjë prej gjëje pa u thënë, në formën e një revolte dhe reagimi gjithëpopullor.

Çfarë ishte kjo vrasje?!

Vrasja në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë, nuk ishte thjeshtë një masakër me 8 viktima. Ajo ishte dhe është kriza në të cilën ka hyrë tashmë familja, shoqëria. Fakti që 24-vjeçari, Ridvan Zykaj ka ekzekutuar me gjakftohtësi 8 të afërmit e tij, me të cilëve edhe dy fëmijë, jo vetëm e bën panoramën e kësaj ngjarje më tragjike, por krijon edhe precedentin e rrezikut të shpërbërjes së familjes si koncepti bazë i shoqërisë.

Kjo ngjarje është paraprirë me dhjetëra raste të të ashtuquajtura, “krim në familje”. Me përjashtim të numrit të të vdekurve, asgjë tjetër nuk e dallon njërin nga tjetri.

Ne jetojmë në një kohë kur; vret vëllai vëllain, djali babain, ose nënën, nipi dajën, vëllai motrën, burri gruan, kushëriri kushëririn, i dashuri të dashurën. Nga dita në ditë, fatkeqësisht media ka mirësinë jo vetëm të na informojë, por edhe të na frymëzojë, e pse edhe të na nxisë në një krim të tentuar, duke na ndihmuar të shembim çdo barrierë hezitimi.

Në të gjithë herët kur themelet e shoqërisë janë tundur, duke u kërcënuar baza, familja, nuk kemi nguruar të shprehim indinjatën tonë thellë për krimin, por për shkak të kujtesës sonë dritëshkurtër, ose mungësës së sensit të qytetarisë dhe humanitetit, zbresim nga banka e akuzuesit, duke zënë vend në atë të të akuzuarit.

Çfarë ndodhi!

Pretendues të shumë hedhin idenë se kemi të bëjmë me ndryshimet që sjell koha. Religjiozët janë të mendimit se gjithçka që po ngjet na çon tek shenjat e parathënies së fundit të botës. Por askush nuk po dëshmon vullnet pozitiv për ta vlerësuar situatën si vërtetë kritike. Nuk përjashtohen nga kjo tablo makabriteti, frike dhe terrori, as përfshirja në aksidente me pasoja ngjethëse e atyre, të cilët jo vetëm shkelin rregullat elementare të qarkullimit rrugor por edhe sfidojnë shtetin, i cili bën spektatorin dhe stimuluesin në këtë skenë të përgjakshme.

Gjithsesi, sfida aktuale nuk është vetëm e shtetit dhe ligjit por edhe armatës së prindërve, edukatorëve,  psikologëve, sociologëve, të gjithë atyre që udhëhiqen nga parimi i qytetarisë, tolerancës, mirëkuptimit, harmonisë dhe bashkëjetesës. Faktit trishtues, se situata ka hyrë në një rrugë pa kthim, nuk e përjashton si të vonuar, konsiderimin dhe trajtimin e situatës kritike në të cilën ndodhet shoqëria.

Ç’duhet bërë?!

Duhet riparë i gjithë bazamenti mbi të cilën ne kemi ndërtuar ngrehinë e familjes. Secili duhet të fillojë të rishohë gjithçka dhe çdo gjë, t’i rikonsiderojë praktikat, mbi të cilat është krijuar, zhvilluar dhe shndërruar në faktor civilizues të shoqërisë, familja.

Kthimi i dënimit me vdekje, gjithashtu, dënimi dhe ndëshkimi me të gjitha mjetet nga shoqëria, i të gjitha rasteve të evidentuara, janë kambanat e alarmit që duhet të shkundin realitetin nga apatia, hutimi dhe një lloj stepje, për të parë secili te vetja kontributorin për të ndryshuar diçka nga gjithçka e gjendjes së krijuar.

Kjo vrasje dje ndodhi në fshatin Resulaj të Selenicës në Vlorë, nesër mund të ndodh diku tjetër. Para se të kërkojmë të jemi të parët dhe më të zellshmit për të derdhur bashkë me helmin e kësaj zemërate, zehrin e të gjitha zemëeratave të fermentuara brenda nesh, ne duhet t’i thërrasim mendjes. Secili fillon nga vetja të japë atë kontribut që shoqëria ka nevojë për të dalë nga kjo shtjellë e errët dhe përpirëse e humbjes së kontrollit, mungesës së përgjegjësisë, intolerancës dhe denigrimit të të gjitha vlerave dhe aspiratave që na përfaqësojnë në sfidën e modernitetit.

Mos i lini pushtet injorancës dhe varfërisë. Mundeni me maturi, përulje dhe dashuri të keqen, duke filluar nga aty ku ne ndodhemi dhe ku ne mundim. Shpëtoni familjen dhe keni nxjerrë shoqërinë nga kriza morale dhe shpirtërore në të cilën përpëlitet.

SHKARKO APP