Xhorxh Bajron, fisniku aventurier, britaniku që u dashurua me Shqipërinë dhe shqiptarët
Nga Albert Vataj
Lord Bajroni vdiq më 19 prill 1824 në Greqi, ku kishte shkuar për të mbështetur luftën greke për pavarësi nga perandoria osmane. Edhe sot, ai konsiderohet si hero kombëtar grek. Historia e Bajronit ështe plot skandale, shkruajnë hulumtuesit e jetës së fisnikut. Pjesë e jetës së tij janë udhëtimet ekzotike, jeta pompoze që la përshtypje të thella, dhe emri që promovoi ishte sinonim i njeriut të ndërlikuar; romantik, arrogant, të errët, cinik; shperthim krijues, shije intrigues në veshje, muzikë, dhe seksualitet, dinak i pabesë, i poshtër, të gjitha përmblidhen në fjalorin urban nën “byronic”, nënvizon kritika.
George Gordon Byron u lind në Aberdeen, Skoci, më 22 janar 1788, në një familje aristokrate të varfër.
Këmba e çalë dhe mjedisi i varfër ia bënë të vështirë fëmijërinë, por në moshën 10-vjeçare Bajroni trashëgoi titullin Lord nga xhaxhai i tij. Kjo i dha mundësi të dilte nga skamja, të shkonte në shkollë pastaj në Kolegjin Trinity, Kambrixh, ku u zhyt thellë në borxhe, në jetë të shthurur dhe marrëdhënie të pasionuar me gra e burra. Vëllimi i tij i parë i botuar me poezi, Orët e përtacisë (1807), u hodh poshtë nga kritika, sidomos në Skoci; dhe ne librin e tij të dytë, “English Bards and Scotch Reviewers” (1809), Bajroni sulmoi krijimtarinë dhe kritikën letrare angleze. Po atë vit, ai udhëtoi për në Portugali, Spanjë, dhe në Lindjen e Afërme për dy vjet. Përvojat e tij përfshihen në veprat e mëvonshme, si në “Childe Harold’s Pilgrimage” (1812 ), që i solli sukses të menjëhershëm në Angli; “u zgjova një mëngjes dhe e gjeta veten të famshëm”, do të shprehej Bajroni; dhe poezia, sjellja, moda, shijet e tij filluan të imitohehin gjerësisht. Më 1815, Bajron u martua me Anne Isabella Milbanke, dhe më 1816, çifti u bë me vajzë, Ada, e cila kur të rritej do të shquhej në fushën e matematikës, dhe sot konsiderohet nga disa si programuesja e parë e kompjuterit. Martesa nuk zgjati shumë dhe çifti Bajron u nda ligjërisht. Në këtë kohë, shpërthen skandali mbi incestin e dyshuar të Bajronit me gjysmë-motrën e tij, Augusta Leigh, dhe i përçmuar nga shoqëria, detyrohet për të largohet nga Anglia. Fillimisht u vendos në Zvicër, Gjenevë, afër poetit Percy Bysshe Shelley dhe gruas së tij, Mary Wollstonecraft Shelley. Atje, Bajroni përfshihet në marrëdhënie intime me motrën e gruas së Shellit, Claire Clairmont; nga kjo lidhje më janar 1817 lindi vajza tjetër e Bajronit, Allegra. Pas kësaj, Bajroni ikën në Venecia ku marrëdhënie të ngjashme nuk iu ndanë.
***
Ajo që e bëri të pavdekshëm lidhjen e tij me Shqipërinë është piktura (e publikuar) Gjatë vizitës së tij në Shqipërinë e Jugut, në Janinë në vitin 1808, Lord Bajron mori si kujtim nga ato vise një kostum tradicional shqiptar. Do të ishte pikërisht bukuria dhe veçantia e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do frymëzonte piktorin, Tomas Filips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar. Piktura titullohet “Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian” (portret i një fisniku me veshje shqiptare) dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete. Ai mban në duar një jatagan, i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. Portreti u vendos asokohe në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë, sipas Wikipedia.
Vizita në Shqipëri i la mbresa të thella Bajronit. Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike. Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, ai shkruante për shqiptarët: “Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Bowood Estates, Angli.
***
Gjithnjë ai dëshironte të përcaktohej “opozitar i lindur”. Megjithë prirjen për të dramatizuar egzistencën e tij dhe “për të mbajtur qëndrime”, Bajroni ishte shumë i kthjellët lidhur me veten, e kjo mënyrë shfaqjeje përmbledh mirë aspektin themelor të jetës së poetit. Rebel përballë koncepteve letrare e sociale të kohë së tij, ai ka denoncuar vazhdimisht hipokrizinë në fushën politike, poetike e morale, duke mohuar zgjidhjen e lehtë të bazuar në ndarjen e këtyre tre aspekteve.
Në të vërtetë për Bajronin politika, morali dhe poezia janë të lidhur pazgjidhshmërisht: për këtë vepra dhe jeta e tij përbëjnë një tërësi unike. Dhe fakti se ai e kryente këtë gjë në mënyrë të ndërgjegjshme e të vendosur, e bën rebelimin e tij më efikas dhe të mahnitshëm.
***
Kur vdiq në Mesollongj më 1824, para se të kishte kohë për të marrë pjesë në betejat e luftës së pavarësisë, grekët e kuptuan shpejt se ai kishte shkuar për të marrë pjesë në luftën e tyre për liri bashkë me aleatët evropianë si një martir, si një hero në gjendje, që me shembullin e tij, të mobilizonte ndërgjegjet e për të kontribuar në thyerjen e shtypësit otoman. Ishte ky përfundim i denjë i një ekzistence relativisht të shkurtër, gjatë së cilës poeti kishte dëshmuar vazhdimisht superioritetin e aksioneve përballë fjalëve. I lindur opozitar, vdiq duke u kundërvënë.
***
Jeta e trazuar e Bajronit e bëri atë arketip të shkrimtarit “romantik” dhe aktualisht shumë besojnë se është pikërisht kjo lloj jete që peshon dhe e bën atë një personazh të paharrueshëm. Tani, duhet pranuar, se jeta dhe vepra e Bajronit janë në harmoni perfekte. Poeti po, është konsideruar kurdoherë i mallkuar; veçse për këtë kishte arsye të mjaftueshme, si fizike (ishte i trishtuar nga një këmbë e deformuar), ashtu dhe psikologjike (kishte patur një fëmijëri fatkeqe bashkë me një nënë puritane në Aberdeen).
***
Kur ai më 1798 trashëgoi nga xhaxhai pronën e Newstead Abbey, afër Notingamit, djaloshi Bajron u bind se të qenët pjestar i aristokracisë së Regencës (Mëkëmbësisë), do t’i lejonte të merrte revanshin për poshtërimet e pësuara në fëmijëri. Sidoqoftë ai kërkonte tashmë të afirmohej me të gjitha mënyrat. Në makthet nga pamja fizike, më 1810 arriti të thotë, pasi kishte kapërcyer me not Helespontin, se ajo ishte ndërmarrja më e madhe e jetës së tij. I çliruar nga vargonjtë e varfërisë, u lëshua në një karrierë ngashnjyesi, çdo episod i së cilës dukej si një sfidë ndaj koncepteve të kohës. Lidhjet e tij të mëpasme godasin gjithnjë e më shumë shoqërinë e mirë, në të cilën, pa u kujdesur për skandalet, poeti gjeti të dashura pasionante të personazhit të tij.
Çmimi i paguar nga Bajroni për këtë rebelim të vërtetë e personal seksual do të jetë egzili: duke lënë Anglinë për në Itali në prill 1816, nuk do të kthehej më kurrë. Por u ngushëllua shumë shpejt me kënaqësitë dashurore që iu dhuruan në Venecia. Duket se u paqëtua vetëm duke u bërë “kavalieri shërbyes” i konteshës Tereza Guçioli. Megjithatë edhe në këtë rast nuk arrin t’u nënshtrohet bindjeve dhe i lëshohet pasionit të tij me aq intensitet sa për të këputur martesën e konteshës.
Por nuk është e drejtë që e gjithë kjo të shikohet si një frenezi e thjeshtë narciziste. Paqëndrueshmëria e pasioneve të Bajronit shpjegohen me kultin e tij të lirisë individuale dhe në të njëjtën kohë dhe me bindjen e tij se nuk është e pranueshme as në natyrën e gjërave, që bota të mbetet e palëvizshme. Më 1810 i hipi anijes për lundrimin tradicional të të rinjve aristokratë anglezë ne Evropë dhe filloi të kompozojë Çajld Haroldin (Pelegrinazhi i djaloshit Harold – Childe Harold’s Pilgrimage), që dy yjet më vonë, do ta bënte të famshëm. Heroi i kësaj poeme të gjatë e shumë autobiografike, në egzil vullnetar dhe i etur për epshe, i pëmgjan deri në detaje vetë Bajronit. Por vepra është edhe një denoncim i shkëlqyer dhe i zemëmar i kuadrit të ofruar nga Evropa e shek. XIX.
Natyrisht, Bajroni nuk mund të pranonte kundërshtimin që pjesa më e madhe e bashkëpatriotëve të tij ushqente për Revolucionin francez. Për atë Bonaparti, i bërë Napoleon, ishte gjithnjë një hero dhe e konsideronte vjedhjen e bërë nga Lord Elgini të pjesëve nga Partenoni (episod që vazhdon edhe sot të ngjallë kundërshti) karakteristikë për Albionen e pabesë. Për atë ideali grek ishte kurdoherë i gjallë si në gjurmët e trashëgimisë klasike, ashtu dhe në aspiratat e kohës për pavarësi, që do të konkretizohej dymbëdhjetë vjet më vonë. Megjithëse afirmonte duke folur për vete, në realitet Bajroni kishte përpiluar një manifest të vërtetë e tipik, provokues dhe politik, në favor të lirisë në Evropë.
Padyshim, fjalimi i tij i parë në Dhomën e Lordëve më 1812 ishte një pretencë kundër tiranisë së një qeverie që reklamonte dënimin me vdekje për sabotimin e makinave endëse nga ana e punëtorëve të kthyer në të papunë, masë që ai e quante “padrejtësi e dukshme”. E kuptoi shumë shpejt se antikonformizmi i tij nuk mund të kishte hapësirë në Parlament dhe se ai nuk i përkiste këtij sistemi. Megjithatë, vazhdoi luftën e tij kundër hipokrizisë politike, duke marrë pjesë aktivisht në konspiracionin e karbonarëve italianë kundër okupacionit austriak në vitet rreth 1820-ës, para se të përqafonte kauzën e Greqisë, inisiativa këto që vërtet nuk mund të gjykohen si një gjest i thjeshtë i jashtëm.
Paralelisht vazhdonte një vepër poetike jashtëzakonisht pjellore e të larmishme. Edhe poemat e tij tregimtare më popullore, si “tregimet orientale”, ishin të gjata për t’iu përgjigjur topave dhe normave të traditës letrare. Bajroni interesohej vetëm për personazhe me të cilët ndjehet në sintoni: aventurierë misteriozë mbartës të të fshehtave të parrëfyera, të dëbuar nga shoqëria e të shtyrë nga një lloj zemërimi shkatërrimtar, që i bën ata heronj tragjikë në mundësi. Këta personazhe të vetmuar evokojnë në një farë mënyre Prometeun, personazh, miti i të cilit është rimarrë shumë herë nga Bajroni: përfytyrimi i titanit rebel, i ndëshkuar se u bëri të njohur njerëzve të fshehtën e zjarrit, evokon mrekullisht atë të poetit rebel.
***
Në përgjithësi Bajroni nuk ishte krejt i butë me bashkëkohësit e tij. Vepra e tij e parë e rëndësishme English Bards and Scotch Reviewers (Bardë anglezë dhe kritikë skocezë) është një satirë drejtuar kundër pjesës më të madhe të autorëve të epokës; në The Vision of Judgement (Vizioni i gjykimit) ai cungon në mënyrë të shkëlqyer poetin zyrtar Robert Southey, që kishte shkruar një poemë me të njëjtin titull mbi mbërritjen e Xhorxhit III në Parajsë. Në poemën më të gjatë e më ambicioze të Bajronit, Don Juan (Don Zhuani), gjejmë të njëjtën përzierje të satirës poetike me aksionin politik. Në këtë epope, ku forca komike nuk është një nga karakteristikat më të vogla, poeti fshikullon lavditë letrare të epokës dhe degjenerimin moral të bashkëkohësve të tij, përveç ekzaltimit të luftës, vlerë mbi të cilën mbështetej Perandoria. Kjo revoltë letrare e fundit e Bajronit rebel, është një kritikë radikale e shoqërisë, por edhe një poemë intensivisht njerëzore, stili i së cilës është një sfidë ndaj kanuneve letrare të epokës. Refuzimi i paepur i Bajronit për të arritur paktin me padrejtësinë, hipokrizinë dhe me pretendimet e çdo lloji, bëjnë emrin dhe veprën e tij një simbol të qëndrueshëm të dashurisë për të vërtetën dhe lirinë.
Albert Vataj