Ylli Manjani: Gazetaria e kthyer në roje te dera e SPAK!
Nga Ylli Manjani
“SPAK thërret Igli Taren”… dhe dita hyn në ekstazën informative që është bërë rutinë. Breaking news. Studio speciale. Analiza. Titra të kuqe. Sikur të jetë shpallur gjendje e jashtëzakonshme kombëtare.
Ja nisin komentet për kokërr të qejfit. Çfarë do të thotë “thërret”? Në çfarë cilësie? Për çfarë? Ka akuzë? Ka hetim? Dera e SPAK-ut tashmë është kthyer në korridorin e një reality show kombëtar?!
Për fat të keq, mediat janë ngujuar te dera e SPAK-ut dhe jetojnë me listën e hyrje-daljeve: kush hyri, kush doli, kush u pa i zbehtë, kush nuk foli. Gazetaria është zëvendësuar me rojë godine. Mikrofonët janë kthyer në gurët me të cilët goditet viktima e radhës. Fjalët janë balta e turpit që karikon miletin.
Kjo histeri nuk e informon publikun. Ajo e deh me thashetheme procedurale dhe me adhurimin banal të spektaklit penal. Në këtë rast, si në çdo rast tjetër, nuk e kanë me hetimin apo me të vërtetën, por me Iglin. “U bë ai?!” “E çfarë pastaj, se është i famshëm në botën e menaxhimit sportiv?!” Aty në SPAK!
Fiks luftë klasash. Po të pikasin se je i zoti ose i pasur, të mbytin! “Askush nuk është mbi ligjin.” “Pandëshkueshmëria ka marrë fund!” Hë-hë…
Kjo është lufta e sotme e klasave. Sot është Igli Tare, nesër dikush tjetër. E njëjta skenë, e njëjta ulërimë mediatike, e njëjta varfëri informacioni.
Ama një të zoti apo një pasaniku, ja thyejmë turinjtë me mikrofonët e medias te dera e SPAK-ut, me qejf e histeri. Nuk jetojmë dot pa luftë klasash, apo jo?
KOHA JONË SONDAZH

