Ylli Manjani: Për banorët e Shkozës

Nga Ylli Manjani
—–
Kryeministri, ish kryetar i Bashkisë së Tiranës, shkruan:
“Për Shkozën është shumë e qartë Roni, s’ka asgjë për të kthyer përgjigje: Janë ndërtime pa leje në mes të një rruge kryesore të Tiranës dhe duhet të prishen, ndërkohë që banorëve Bashkia e Tiranës duhet t’u ofrojë bonus qeraje si të pastrehë! Familjet këtë e dinë prej kohësh dhe s’ka asnjë shans as për ta dhe as për askënd tjetër që të legalizohen në mes të rrugëve e pastaj të shpronësohen me paratë e kopshteve, çerdheve, spitaleve, për të hapur rrugën që është e të gjithëve!”…

Kjo sentencë e Kryeministrit flet shumë! Ajo ka brenda mashtrim, pabarazi para ligjit dhe nxitje të dhunës në familje.

1. Ata banorë që sot protestojnë për banesat e tyre, ndërtuan pa leje, por jo “në mes të një rruge” siç thotë Kryeministri! Asokohe nuk kishte rrugë në atë vend. Tani erdhi siraja e ndërtimit të rrugës dhe i zë ata hallexhinj në përplasje me shtetin.
Mund të ketë qenë në ndonjë planimetri diku në ndonjë zyrë bashkie ajo rrugë por jo e ndërtuar.
Kështu që ata nuk zunë rrugën, por thjesht një tokë të lirë apo edhe të blerë nga ndonjë mashtrues.
As shteti e as Bashkia nuk ju thanë, as sa për të larë gojën, të mos ndërtojnë aty. Le pastaj ti mbronte nga mashtruesit e tokave te “xanuna”…
Prandaj, duhet të kemi një minimum sinqeriteti për të pranuar të vërtetën dhe gabimet e së shkuarës të shtetit dhe të bashkisë që drejtoi Kryeministri i sotëm.

2. Këta banorë nuk po trajtohen njësoj si të tjerët, që në anën tjetër të Tiranës, tek segmenti Komuna e Parisit- Fabrika e Miellit, u shpronësuan megjithse kishin ndërtuar pa leje!!! Qeveria ka trajtuar më parë raste shpronësimi edhe mbi objekte të ndërtuara pa leje në zona ku në letër parashikohej të ndërtoheshin rrugë. Pse këtë radhë nuk vijon kjo praktikë?!
Kjo quhet as më pak e as më shumë por trajtim i pabarabartë para ligjit! Dhe shkelja e barazisë para ligjit është ndër të tjera edhe vepër penale.

3. Nuk ka ndodhur në 300 vitet e fundit që një shtet të nxjerrë në rrugë familje sepse do bëjë rrugë!!
Rruga bëhet vetëm pasi të shpronësuarit apo edhe ata që nuk meritojnë shpronësim, të sistemohen familjet me strehim.

Nuk ka shtet që nxjerr grua e fëmijë në rrugë! Nuk ka as shtet diktatorial që e bën kët gjë! Të sistemon diku, në një kasolle por jo në rrugë!

Ata fëmijët që protestojnë pë një vend për të fjetur në familjet e tyre, duhet të bejnë mësimet të shkojnë në shkollë e jo në komisariatin e policisë!!!

Cfarë edukatë po i jep femijëve qeveria? Ju nxjerrim në rrugë, ju fusim në burg që tê bëheni kriminelë?! Kulmi!

Duhet të urojmë të na ruajë zoti, se qeveria të dhunon!

SHKARKO APP