Ylli Manjani: Si mund të kenë kuptim zgjedhjet e ndershme kur pushtetin e vendosin rregullat e e deformuara, dhe jo vota?
Nga Ylli Manjani
Po, zgjedhjet janë çështje ndershmërie!
=============
Pa dyshim që është çështje e të qënit FAIR, dmth të ndershëm, kjo puna e zgjedhjeve. FREE, FAIR AND DEMOCATIC janë tre fjalët kyç të vlerësimit të çdo palë zgjedhje.
Ndaj nëse ky është kuptimi i reagimit të zonjës Yuri Kim, jam krejt dakord me të.
Ndershmëria e zgjedhjeve vjen në radhë të parë nga rregullat e lojës. Kur ato janë të hartuara dhe aprovuar me konsensus garancia për zgjedhje të ndershme është e madhe. Në të kundërt, zgjedhjet me ligje të njëanshme janë të cunguara dhe me mundësi të larta për të mos qenë të ndershme, pra FAIR.
Dhe në fakt ashtu është.
Zgjedhjet nuk kanë si të jenë të ndershme kur koalicionet zgjedhore janë të mira kur i sigurojnë Ramës pushtetin dhe, janë të këqija kur i rrezikojnë atë (pushtetin)!!!
Në këtë kuptim loja me koalicionet është e pandershme. Dukshëm e pandershme, sepse të krijohet ideja se rregullat janë shpikur vetëm për të mbajtur një njeri në pushtet, edhe kur mbështetja popullore i ka rënë aty ku s’thuhet.
Padyshim që ndershmëria e zgjedhjeve është e rëndësishme, po aq sa liria për të zgjedhur dhe pjesmarrja e madhe demokratike në zgjedhje.
Zgjedhësi duhet ta ushtrojë lirisht dhe masivisht të drejtën për të zgjedhur, po nëse gara është e pandershme as liria e as pjesmarrja nuk kanë kuptim.
Si mund të ketë kuptim kur pushtetin e ndajnë rregullat e e deformuara dhe jo vota?!
Rregullat mund të mos jenë të drejta, sepse e drejta është subjektive. Fjala vjen unë mendoj se partitë duhet të garojnë vetëm në zgjedhje edhe pa prishur koalicionet politike. Partitë duhet të garojnë me ide, programe dhe ekipe, e jo me programin e partisë tjetër, që quhet me madhe..! Nëse partitë skanë programe e identitet duhen shkrirë, sepse nuk janë parti.
Nuk është hiç e drejtë që partitë të garojnë me ide, programe e ekipe të një partie tjetër, ashtu siç nuk ka asnjë kuptim që kryetari i partisë futen në listën e një partie tjetër dhe partia e tij garon në zgjedhje ende si subjekt!!
Pra nuk ka sesi të ketë kuptim fjala koalicion kur partitë nuk puqen apo bëjnë kompromise për programe. Nuk është e drejtë, sipas meje.
Dhe nuk është hiç e drejtë që emri i Kryeministrit të dalë nga një parti që nuk përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit…
Por këto arsyetime nuk mjaftojnë për të quajtur rregullat të ndershme. Rregullat janë të ndershme kur pranohen nga palët, pavarësisht sa të drejta duken për secilin veç e veç.
Në këtë kuptim fjala “të ndershme” ka kuptim siperor në raport me të drejtën subjektive.
Të paktën deri më sot, konsensusi për rregullat e lojës zgjedhore ka qenë i padiskutueshëm nga asnjë maxhorancë parlamentare. As nga ajo e vitit 1990…