“Zëri i Amerikës”: Si arriti një 26 vjeçar të marrë 30 milionë euro tendera?
Nga Zëri i Amerikës
Autoritetet amerikane kanë vërtetuar zyrtarisht se një pjesë e dokumentave të kompanisë amerikane Dunwell Haberman, të paraqitura në garën për ndërtimin e Unazës së Re janë të falsifikuara. Kjo u bë e ditur sot nga ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri. Përmes degës së saj në Shqipëri Dh Albania, kompania amerikane arriti të fitonte dy kontrata për realizimin e punëve publike. Përveç ndërtimit të mbikalimit si pjesë e projektit të Unazës së re, me vlerë 18 milion euro, kompania kishte fituar garën dhë për ndërtimin e linjës 220 kv Burrel-Peshkop, me një vlerë 11.7 milion euro.
“Pas marrjes së konfirmimit nga SHBA, Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka zgjidhur mjenjehere kontratën në fjalë dhe do të fillojë procedurat për sekuestrimin e garancisë financiare në vlerën 10% të kontratës. Të njëjtën praktikë ka ndjekur edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit. Materialet e ardhura nga SHBA do t’i referohen Prokurorisë e cila tashmë ka hapur një hetim për falsifikimin e dokumenteve zyrtare nga kompania DH Albania”, deklaroi ministri Gjiknuri, duke shtuar se “inkurajoj me forcën më të madhe prokurorinë ta hetojë këtë çështje deri në fund, për të zbuluar kush janë autorët e vërtetë të këtij falsifikimi dhe ata që fshihen prapa tij”.
E pranishme në Shqipëri vetëm prej muajit korrik të këtij viti, përmes degës së saj DH Albania, në mënyrë të habitshme, kompania arrin të sigurojë dy kontrata të majme, me një vlerë totale prej afër 30 milion eurosh. Dhe të gjitha këto, vetëm me anë të një 26 vjeçari, Avdjol Dobi, përfaqësuesi i saj në Shqipëri, i cili nga Vlora, ku kishte selinë e një biznesi të hapur në 2016, erdhi dhe mori zyra në Tiranë, duke u vendosur së fundmi, pasi fitoi tenderat, në një prej godinave më luksoze të Tiranës, në katin e 14-të, të “ABA Business Center”, në qendër të kryeqytetit. Dhe është po kaq e habitshme, se si një sipërmarrje e tillë e mbështetur në falsifikime, të mund të realizohet, pa patur pas një garanci se të paktën, askush nuk do të gërmonte mbi aktivitetin e saj real.
Por ministri Gjiknuri tha se institucionet në këtë reast rezultojnë të kenë vepruar në respekt të ligjit. “Hapat e ndjekura nga ARRSH për kryerjen e procedurës për tenderim kanë qenë në përputhje me legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. Edhe oferta e paraqitur nga kompania në fjalë, në mënyrë elektronike, ka qenë në përputhje me kërkesat e dokumentave te tenderit që njeh legjislacioni. Legjislacioni në fuqi nuk kërkon verifikimin e informacionit të ofertuesve, përveç rasteve specifike, kur ka dyshime të arsyeshme për të dhëna të rreme”, u shpreh ministri, duke shtuar se “dhe ne do të nxjerrim përgjegjësitë tona. Kushdo qoftë ai që mund të rezultojë i përfshirë, patjetër do të përgjigjet para ligjit”.
Zoti Gjiknuri njoftoi se “nisur nga problematikat e hasura në këto procedura me kompani të huaja apo përfaqësi të tyre, unë sot kam propozuar ndryshime në aktet ligjore dhe nënligjore të ligjit për Prokurorimet Publike. Kam propozuar që të sanksionohet qartësisht në ligj, detyrimi që ofertuesit fitues t’i verifikohet në çdo rast informacioni që vetdeklaron përpara lidhjes së kontratës. Propozimi i është drejtuar zyrtarisht Agjencisë së Prokurimit Publik, për të inicuar këto ndryshime ligjore. Kjo do të vlejë në të ardhmen për parandalimin e situatave të ngjashme dhe do ti bëjë autoritetet më të kujdesshme në verifikimin e informacioneve përpara lidhjes së kontratës”, deklaroi ministri.