Zgjedhjet 2017/ Meta: Lista të hapura dhe më pak biznesmenë në Kuvend
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sot se zgjedhjet parlamentare të qershor 2017-ës kërkojnë angazhim maksimal të forcave politike, por edhe strukturave monitoruese të këtij procesi.
Në tryezën “Pavarësia e organeve të menaxhimit zgjedhor”, ku u diskutuan përvojat mes Shqipërisë dhe Sllovenisë, Meta evidentoi disa nga sfidat që kërkojnë zgjidhje imediate. Lista e hapur e kandidatëve për deputetë, ulja e numrit të deputetëve në Kuvend, si dhe futja e më pak kandidatëve biznesmenë janë disa nga pikat, ku sipas Metës, duhet të ndryshojë Kodi Zgjedhor.
Ai theksoi se çështja primare ka të bëjë më standardet zgjedhore dhe shmangien e manipulimit të votave. Meta tha se duhen masa penale të ashpra ndaj atyre që blejnë vota.
“Debati për cilësinë e zgjedhjeve ka të bëjë me penalizmin maksimal të gjithën aty që tentonte të blejnë votën, ose përpiqen për të fotografuar votën, penalizim maksimal të atyre që tentojnë të kontrollojnë votën, për të shantazhuar me mbajtjen apo fitimin e një vendi pune, apo shantazhet nga administrata ndaj qytetarëve. Gjatë këtyre tre viteve parlamenti nuk ka reflektuar atë urtësi dhe kulturë politike që mbart dhe meriton shoqëria dhe populli ynë në këto 26 vite. Jo ka ardhur nga mungesë jonë serioze në kodin zgjedhor”,- tha Meta.
Nga ana tjetër, ai ka theksuar se Kuvendi duhet të ketë më pak deputetë biznesmenë. Meta tha se si kryetar i LSI-së e ka shtruar disa herë këtë çështje. Meta tha se është vënë re se biznesmenët bëjnë presion ndaj qeverisë për çështje të veçnata ku kanë interes.
“Një problem tjetër që unë e kam thënë dhe që të paktën në rast se unë do të jem Kryetari i LSI-së do ta kem në konsideratë në mënyrë të veçantë, është kufizimi i pjesëmarrjes së biznesmenëve në Parlament. Mund të mos jetë me probleme do me thënë që kanë të bëjë me dekriminalizimin, por pjesëmarrja e madhe e biznesmenëve në Parlament dhe në poste publike është një problem për cilësinë e Parlamentit. Kjo është një gjë fare e vërtetë dhe e dukshme, por edhe njëkohësisht nuk ndihmon as cilësinë e ligjbërjes, nuk ndihmon as rritjen e kontrollit të Parlamentit mbi qeverinë, por shpesh ndikon në presionet që i bëhen edhe qeverisë, që i bëhen edhe politikës, që i bëhen dhe forcave politike për interesa të ngushta. Këto janë disa probleme të cilat kanë të bëjnë me procesin. Janë disa probleme që kanë të bëjnë me detyrimin e forcave politike ndaj qytetarëve, që mund të mos adresohen te Kodi Zgjedhor dhe duhet një vullnet për t’i zgjidhur”,- tha Kreu i Kuvendit.
Meta ka theksuar dhe nevojën e uljes së numrit të deputetëve në Kuvend. Me kryerjen e reformës territoriale, Meta tha se numri i deputetëve është shumë më i madh sesa ai që i nevojitet vendit. “Duhet parë se numri i deputetëve është më i madh se sa duhet. Ne bëmë një reformë administrative, nga 400 njeri kaluam në 61 njësi dhe mendoj që ishte një hap i domosdoshëm. Duhet parë diçka edhe tek Parlamenti. Sepse kjo do të ndihmojë dhe në një funksionim më të mirë të Parlamentit edhe një cilësi më të mirë të funksionimit të Komisioneve, por edhe vetë pastaj përmbajtja do të jetë më cilësore se sa është sot”,- deklaroi Meta.
Lidhur me ndryshimet e tjera të Kodit Zgjedhor, Meta theksoi se ideja e listave të hapura duhet të rishitet edhe një herë ngë komisioni i reformës.
“Unë mendoj që problemi demokratik i Kodit është që listat duhet të jenë të hapura. Kjo e bën të pashmangshme pastaj dhe vetë demokratizimin e partive, sepse krijon lidhjen e qytetarit me votuesin. Pra, deputetët nuk janë thjesht partiakë, por janë më shumë parlamentarë, sepse kanë një raport tjetër me votuesin dhe do të ruajnë një raport edhe me drejtimin e partisë, edhe me qytetarët. Unë këtë gjë e kam mbështetur dhe e mbështes pavarësisht nga vështirësitë që mund të ketë në zbatimin e saj. Sepse në këtë mënyrë, ne më shumë se sa kemi një sistem parlamentar demokratik, kemi një sistem dypartiak, trepartiak apo katërpartiak, kjo nuk është shumë e shëndetshme”,- tha kreu i Kuvendit, Ilir Meta.