Zgjedhjet e reja në Greqi – një sinjal fatal
Një fitore e të majtëve të lidhjes Syriza do të rrezikojë suksesin ekonomik të arritur me vështirësi në Greqi, mendon Christoph Hasselbach.
Alexis Tsipras mund të arrijë me rrugën e tërthortë të dështimit të zgjedhjes së presidentit atë që nuk arriti ta bënte disa vite më parë, domethënë të bëhet kryeministri i ardhshëm i Greqisë. Sondazhet e shohin në këtë moment partinë Syriza përpara. Nëse Tsipras do të drejtojë vërtet qeverinë e ardhshme dhe do ta realizojë deklaratën e tij për të hequr dorë nga kursi i konsolidimit, punët do të shkojnë keq – si për Greqinë dhe për të gjithë eurozonën.
Punë bindëse e lodhshme
Një retrospektive e vogël: dy kryeministrave grekë, socialistit Jorgos Papandreu dhe konservatorit Antonis Samaras, iu desh të bënin një punë të madhe dhe të vështirë për bindjen e bashkëqytetarëve të tyre për kursimet dhe reformat, që kërkuan donatorët ndërkombëtarë nga Greqia. Që atëherë ishte Alexis Tsipras, i cili udhëhoqi rezistencën politike kundër tyre. Po pa këto masa Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk do ta kishin shpëtuar vendin nga kolapsi financiar me shumën legjendare prej 240 miliardë euro .
Greqia si gur prove
Është domethënëse që Samarasi mori në fushatën zgjedhore 2012 mbështetje jo vetëm prej kancelares gjermane Angela Merkel, e cila i takon së njëjtës familjeje partiake si Samarasi, por edhe nga ana e presidentit socialist francez François Hollande dhe ish-kryeministrit italian pa parti Mario Monti. Si Hollande dhe Monti kanë qenë në raste të tjera aleatë kundër kursit të kursimit që pretendonin se kërkon Gjermania. Por në rastin e kredive për Athinën me sa duket të dy e kishin të qartë se qëndrimi i Greqisë në bashkimin monetar – nëse jo e gjithë politika evropiane e shpëtimit – varej nga pranimi i kushteve prej Greqisë.
Frytet e para
E ardhmja ekonomike e Greqisë tani mund të jetë përsëri në rrezik. Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble paralajmëroi në gazetën "Bild" që çdo qeveri e re greke duhet "të respektojë marrëveshjet kontraktuale të paraardhësit. Nëse Greqia do të zgjedhë një rrugë tjetër, kjo do të jetë e vështirë." Ironia e një fitoreje të Syrizas në zgjedhjet e ardhshme do të jetë mbi të gjitha momenti: ekonomia greke po ngrihet pas viteve të recesionit ngadalë prapë në këmbë dhe vendi mund të korrë frytet e para të flijimeve pa dyshim të mëdha që morën mbi vete njerëzit. Këto viktima mund të shkojnë kot, nëse qeveria nën drejtimin e Tsipras do t'i japë fund kursit të kursimeve dhe reformave.
Irlanda tregon se si mund të bëhet
Donatorëve nuk do t'u mbetet politikisht asnjë rrugë tjetër, vetëm se pezullimi i ndihmave. Cilit tatimpagues në Gjermani, Holandë apo Francë mund t'i shpjegosh që Greqisë do të vazhdojnë t'i jepen ndihma praktikisht pa kushte, pra pa këmbëngulur që duhet ndryshuar diçka tek shkaqet e borxhit? Dhe sigurisht do të jetë e vështirë që një që e tillë t'u shpjegohet përfituesve të tjera si Irlanda dhe Portugalia që gjithashtu me shumë dhimbje, kanë ndërmarrë shkurtime të ngjashme. Irlanda është vërtetë shembulli më i mirë se si pas një konsolidimi të suksesshëm mund të ecet përsëri përpjetë. Dikur në prag të falimentimit Irlanda ka dalë përsëri një vit më parë nga ombrella e shpëtimit dhe tani regjistron vlera të larta rritjeje. Pse, atëherë, do të pyesin irlandezët ne duhet të përballemi me shumë privime, në qoftë se Greqia shpëton kollaj?
Qëllime të papajtueshme
Tsipras i do të dyja, që Greqia të mbetet në eurozonë, por pa bërë kursime. Por këto nuk mund të bëhen së bashku. Deri tani janë sigurisht vetëm sondazhet që flasin për një fitore të Syrizas. Deri në datën e zgjedhjeve më 25 janar, situata mund të ndryshojë. Dhe edhe Tsipras kohët e fundit nuk është shprehur më aq radikalisht sa më parë, kur vetëm donte të anulonte në mënyrë të njëanshme vendimet për kursimet. Ndërkohë, të paktën ai dëshiron të negociojë me huadhënësit. Por qëllimet e tij zyrtare – rritja e rrogave dhe e pensioneve, dhënia fund e pushimeve nga puna dhe një ndalimi i privatizimeve – janë thelbi i asaj që kërkojnë kreditorët dhe për të cilat kanë marrë premtimin. Gjithashtu duhet të mbahet para sysh se edhe nën Samarasin kushtet e kthimit të kredive janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme. Prandaj një Tsipras si kryeministër vështirë se mund të shpresojë për më shumë mirëkuptim nga huadhënësit.
Reformat që bëjnë mirë
Ndoshta shumë grekë kanë ardhur gjithashtu në përfundimin se disa nga reformat e detyruara nga jashtë janë të mira për vendin në tërësi, por që politikanët e tyre kurrë nuk e kishin pasur guximin për t'i ndërmarrë ato: për shembull, riorganizimin e aparatit të fryrë, por joefikas shtetëror apo përmirësimin e sistemit plotësisht të mangët të mbledhjes së taksave. Pikërisht sektori i taksave tregon gjithashtu se jo çdo ndryshim duhet të lidhet me vështirësi sociale dhe se reformat madje mund të sjellin edhe drejtësi sociale. Ashtu si para krizës Greqia gjithsesi nuk mund të bëhet përsëri. Mbetet të shpresojmë se grekët nuk do t'i vënë në lojë për ëndrra politike ato që kanë arritur me vështirësi.