Zgjedhjet e vështira përpara Europës

Nga Chris Morris

Ngado që të kthehesh, Gjermania duket se merr rolin udhëheqës në Europë për momentin. Dhe Kancelarja Merkel qëndron mbi të gjithë të tjerët si personaliteti dominues politik i këtij kontinenti

Ky i fundit ishte një samit zyrtarisht joformal, por që erdhi në një moment shumë dramatik. Si i tillë, ai u mor me ata që konsiderohen si dy problemet më të mëdhenj që do të hasë Europa në vitet e ardhshëm. Pikësëpari, ka dilema sociale dhe ekonomike që lidhen me eurozonën, masat e kursimit dhe çështjen shqetësuese të rritjes ekonomike. Greqia ka qenë gjithmonë në anën e mprehtë të këtij debati, edhe pse për shkak të përmasës relativisht të vogël të ekonomisë së saj, mund të mos përbëjë rrezikun më afatgjatë. Por zgjedhja e Alexis Tsiprasit dhe Syrizas i ka sjellë gjërat mbi tryezë, dhe si pasojë deri në fund të shkurtit do të duhet të merren vendime të mëdhenj. Tsiprasi po sfidon rendin e vendosur ekonomik në eurozonë, dhe ai ka një sërë forcash të cilat janë reshtuar kundër tij. Sidoqoftë, kompromisi duket gjithmonë e më i mundshëm: një zgjidhje semantike që do të arrijë të kënaqë të dyja palët. Diskutimet teknikë po fillojnë, por vendimet përfundimtarë do të jenë, në fund të ditës, politikë. Asgjë nuk është e garantuar, dhe Syriza duket e përgatitur për të çuar gjërat deri në skaje, me qëllim që të përmbushë sa më shumë prej atyre premtimeve që u ka bërë votuesve, që të jetë e mundur. Por Tsiprasi mund të marrë zemër prej faktit që askush nuk dëshiron ta humbasë Greqinë, sidomos në një kohë kur problemi i dytë i madh me të cilin përballet Europa është kaq shumë delikat. E ardhmja e Ukrainës është bërë tashmë një prej sfidave më të mëdha të sigurisë të kohës sonë, si dhe rreziku më i madh për marrëdhëniet Lindje-Perëndim, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Cfarë qasje duhet të zgjedhë Europa kundrejt kufijve të saj lindorë, dhe çfarë lloj marrëdhënieje duhet të vendosë BE me Rusinë e Vladimir Putinit? Fokusi tashmë do të jetë mbi monitorimin e mënyrës se si po zbatohet marrëveshja më e fundit e armëpushimit që u arrit në Minsk. Në sfond vjen rrotull kërcënimi i vazhdimit dhe ndoshta edhe shtimit të sanksioneve. Ka një çështje të tretë të madhe me të cilën BE do të duhet të merret së afërmi, dhe kjo është pa dyshim marrëdhënia e Britanisë me pjesën tjetër të Europës, si dhe pyetja nëse një prej shteteve më të mëdhenj të BE do të duhet të largohet. Për momentin është lënë pas dore, deri pas daljes në maj të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme në Mbretërinë e Bashkuar. Por menjëherë pas zgjedhjeve, dalja e Britanisë mund të kërkojë vëmendjen e debatit të BE-së. Dhe ka diçka që i lidh të tre këto sfida – Greqinë dhe eurozonën; Ukrainën dhe Rusinë; si dhe mundësinë e daljes së Britanisë nga BE. Madje është jo diçka që i bashkon, por dikush: Angela Merkeli. Eshtë në qendër të skenës në debatin për Greqinë dhe masat e shtrëngimit, me ripohimin e pozicionit të Gjermanisë si fuqia ekonomike kryesore e Europës. Ishte në qendër të skenës në bisedimet e Minskut, pasi ka kaluar shumë më tepër kohë me Vladimir Putinin gjatë vitit të fundit, se sa çdo udhëheqës tjetër perëndimor. Dhe është në qendër të skenës si e vetmja udhëheqësve që një qeveri e ardhshme britanike – e cilësdo ngjyrë – do të dojë të ketë në krah, nëse do të dojë të ndryshojë marrëdhënien me BE-në. Kështu që, nga do që të kthehesh, Gjermania duket se merr rolin udhëheqës në Europë për momentin. Dhe Kancelarja Merkel qëndron mbi të gjithë të tjerët si personaliteti dominues politik i këtij kontinenti.

BBC. (bota.al)

SHKARKO APP