Zgjedhjet në Mal të Zi, pesë fakte për vendin fqinj

Mali i Zi, një shtet i vogël me 620 000 banorë, kandidat për në Bashkimin Europian është një vend detar pa flotë dhe një shtet sovran pa monedhën e tij zyrtare.

-Një i ”pambytshëm”-

Ata kanë vdekur të gjithë, serbi Slobodan Milloshevic, kroati Franjo Tuxhman dhe boshnjaku Alija Izetbegoviç.

Milo Gjukanoviç vijon të jetë gjithnjë aty, i emëruar në 1991 për drejtimin e Malit të Zi nga ana e Millosheviçit, kur ai ishte vetëm 29 vjeç.

Ai është distancuar prej kohësh për t’iu bashkuar kampit perëndimor. Ai udhëhoqi vendin e tij drejt pavarësisë nga Serbia në vitin 2006.

Favorit në presidencialet e së dielës, Milo Gjukanoviç nuk është larguar nga pushteti vetëm për një periudhë të shkurtër, tashmë president nga viti 1998 deri në 2002, ai ka qenë gjashtë herë kryeministër, herën e fundit deri në tetorin e vitit 2016. Ai i la drejtimin e vendit një personi të besueshëm, Dushko Markoviç. Mbështetësit e tij ashtu si dhe kundërshtarët vijojnë ta konsiderojnë si ‘’kryetar’’.

-Një shtet pa monedhë-

Mali i Zi është një shtet pa monedhë. Është pikërisht monedha euro që qarkullon që nga viti 2002, katër vite përpara pavarësisë. Më parë, marka gjermane ishte në qarkullin që prej vitit 1999.

-Marinarë pa anije-

Marina tregtare jugosllave shkollonte oficerët e saj në Malin e Zi, më konkretisht në shkollën detare të Kotorrit. Kompania ‘’ Jogooceanija’’ e cila kishte selinë e saj ka punësuar 15 000 marinarë. Flota e saj numëronte më shumë se 20 anije. Në këtë të kaluar, nuk ka mbetur gjë tjetër veçse një muze.

Me shuarjen e Jugosllavisë, anijet u shitën, shpeshherë për t’u çmontuar për hekurishtet e tyre.

Sot, vetëm katër anije lundrojnë nën flamurin e Malit të Zi.

Marinarët nuk kishin mundësi tjetër veçse t’i bashkoheshin radhëve të ushtrisë. Mali i Zi është një vend me dalje në det që nuk zotëron një flotë ushtarake.

-Një grusht shteti pa armë-

Të dielën e zgjedhjeve parlamentare të tetorit 2016, autoritetet njoftuan se kishin dekonspiruar një grusht shteti i orkestruar nga ushtarakë prorusë, kundër anëtarësimit në NATO.

Njëzet persona u arrestuan, shumica serbë. Ata parashikonin të merrnin pushtetin dhe të vrisnin Milo Gjukanoviçin.

Për opozitën proruse, komploti nuk ishte gjë tjetër veçse një lëvizje e orkestuar për ta eleminuar atë nga skena politike. Ajo shprehet se policia nuk ka përdorur për asnjë moment armë, pasi puçistët mendohet të ishin pjesë e saj. Procesi gjyqësor për këtë çështje është ende në vijim.

-Turistë dhe të paskrupullt-

Me një nivel papunësie me rreth 20% dhe një pagë mesatare prej 500 euro, Mali i Zi mbështetet tek turizmi dhe bregdeti i larmishëm me pika turistike si Budva apo Kotorri, të klasifikuara në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.

Por, Kotorri është gjithashtu bastioni i trafikantëve të drogës, arena e larjes së hesapeve. Gjatë stinës së verës turistët kryqëzohen shpesh në momentin e zbritjes nga anija me policë të forcave speciale të maskuar.

Krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten dy problematika në këtë shtet të vogël.(ATSH)

SHKARKO APP