Zgjidhja e pamundur solomoniane shqiptarogreke
ALEKSANDËR ÇIPA
Marrëdhëniet greko-shqiptare gjatë qeverisjes gjashtëvjeçare të socialistëve me Kryeministër Edi Ramën, për një moment u dukën se do të merrnin zgjidhjen solomoniane (të vështirë dhe të drejtë). Ky perceptim jetëshkurtër feksi ndërsa ministër i Jashtëm ishte Ditmir Bushati (tashmë një socialist i shtyrë nga nivelet drejtuese dhe i spostuar dukshëm si në kohë të përjashtimit dhe pakënaqësisë politike). Në çastin e këtij iluzioni, Kryeministri Rama premtoi se do të “… tejkalonte problemet dhe çështjet e pazgjidhura historike të shtatëdhjetë viteve të fundit”.
Këtë pretendim kryeministri shqiptar e deklamonte ndërsa njëherësh vlerësonte se në të shkuarën “për një kohë të gjatë fqinjët tanë (nënkupto Greqinë), u mësuan pak keq që këtu në Tiranë të kishin bashkëbisedues të nënshtruar, të heshtur, që bënin sikur s’kuptonin kur fjala ka qenë për çështje që s’mund të anashkalohen dhe s’bëjmë dot sikur s’ekzistojnë”.
Ky përcaktim i përkiste vitit 2016, tre vjet pasi kishte ardhur në qeverisje. Kishte dhënë prova befasuese në dukje për një normë reciprociteti të munguar. Kjo është edhe arsyeja që e ka bërë edhe më të shtuar ndjeshmërinë e opinionit tonë publik ndaj sjelljeve, lëvizjeve dhe deklaratave politike dhe diplomatike të Tiranës ndaj Athinës.
Në ndjekje të kësaj strategjie, Kryeministri Rama reduktoi axhendën e vizitave të ndërsjella në nivele të larta mes dy kryeqyteteve Tiranë-Athinë. Vetë nuk ka shkelur ende në Athinë si Kryeministër i Shqipërisë, edhe pse po hyn në mesin e mandatit të dytë qeverisës, sikundër edhe homologët e tij të Athinës nuk e kanë vizituar Tiranën. Nuk e shkeli Tiranën as ish-Kryeministri majtist Aleksis Cipras dhe, sipas gjasave, për tre-katër muajt e ardhshëm nuk e parasheh në axhendën e vet as zoti Qiriakos Micotaqis, Kryeministri i ri grek i Demokracisë së Re.
Realiteti i sjelljes dhe aparencës diplomatike mes Kryeministrit Rama dhe ish-Kryeministrit majtist grek Aleksis Cipras nuk është plotësisht përkues me brendinë reale dhe lëvizjet preventive të diplomacisë respektive institucionale. Të dy kryeministrat preferuan delegimin e sipërmarrjeve realizuese te ministrat homologë Bushati dhe Kocias dhe vetë mbajtën për sytë e publikut dhe të syçeltësisë publike një ftohtësi shpesh aktoreske. U takuan më shumë se katër herë jashtë shteteve fqinje që qeverisën. Në nivelet ministrore të diplomacisë dypalëshe u kryen përgatitje, bisedime, shkëmbime dhe u ngritën grupe bilaterale, të cilat nuk kanë qenë ngritur për më shumë se 50 vitet e fundit. Madje, as kur u përmbys sistemi politik në Shqipëri dhe po krijohej një realitet i ri favorizues për Greqinë si kujdestare e shumëfuqishme mbi Shqipërinë. Politikisht, dhe jo vetëm, të dy kryeministrat e menaxhuan zgjuar dhe me diskrecion këtë sipërmarrje, e cila u tradhtua papritur nga dy faktorë (të dy politikë) dhe disa aktorë nga të dy anët e fqinjëve. Aktori që e zbuloi dhe e bllokoi veprën diplomatike ambicioze dhe shumë, shumë të guximshme të Kryeministrit Rama dhe ministrit të mandatuar të tij, Bushati, ishte Presidenti Ilir Meta. Ishin refuzimet publike të tij për marrëveshjen në përgatitje të njohur ndryshe si “Marrëveshja e Detit”, e cila, sipas pretendimit presidencial, bie ndesh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Në vitin 2017, Presidenti i Republikës (tashmë në proces shkarkimi prej shumicës që kryeson Kryeministri Rama) në “TV Star” të Athinës nisi deklarata provokuese. I pyetur për marrëdhënien me zgjedhësin dhe tashmë shkarkuesin e vet Rama, përgjigjej: “Nuk jam unë i vetmi që kam probleme me Ramën, është edhe Greqia dhe fqinjët e tjerë”. Ndërsa i konsideronte marrëdhëniet me Greqinë “jetike për Shqipërinë”. Në këtë pohim, karshillëku i Presidentit ndaj Kryeministrit është i pashembullt: njeri i vlerëson të një rëndësie strategjike marrëdhëniet, tjetri jetike. Ik e gjej një mospërputhshmëri të tillë qëndrimesh politike, diplomatike dhe mbi të gjitha institucionale mes dy drejtuesve më të lartë institucionalë të shtetit, në ndonjë nga shtetet fqinje të rajonit tonë!!!! (Reminishenca mund të gjendet rishtazi shqiptare në rastin e Presidentit Hashim Thaçi me Kryeministrin Ramush Haradinaj për marrëveshjen e kontestuar dhe të mbetur propozim për korrektim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë).
Goditja President-Qeveri dhe përplasja Rama-Meta në lidhje me marrëveshjen në përgatitje greko-shqiptare ngjan kur shumëçka e nisur dhe e mbajtur në “furrën Bushati-Kocias” ishte në fazën finalizuese. Nga pala greke dukej se diskrecioni po respektohej më tepër, pasi siç edhe është shpesh deklaruar, interesi fitimprurës për Greqinë ishte më i madh sesa zgjidhja e mosmarrëveshjes me Shkupin. Brenda Greqisë, reagimet penguese po shpalleshin nga disa oratorë opozitarë dhe nacionalistë si dhe nga një pjesë e medias që ndjek historikisht, me “shqisë të shtatë”, diplomacinë e Greqisë me fqinjët. Ato do të hidheshin në erë pak më vonë nga polemika mes dy ministrave të të njëjtit koalicion qeverisës në Greqi, Kamenos-Kocias, të cilët zbuluan për dijeninë e opinionit publik grek dhe më pas, natyrshëm, edhe shqiptar, se shteti grek ka investuar konsistueshëm së pari me buxhete të fshehta dhe me negocime përherë diskrete për interesat e veta kombëtare me palën shqiptare. Kjo përplasje ngjau ndërsa u dorëhoq ministri i Jashtëm dhe u largua nga koalicioni ministri grek i Mbrojtjes.
Në ambicien e vet të atëhershme, për një rol sfidant dhe rezonues në marrëdhëniet ballkanike, Kryeministri Rama shprehej se “marrëdhëniet me Greqinë janë të një rëndësie të madhe strategjike, jo më kot ka qenë dhe mbetet një linjë e palëvizshme e politikës sonë të jashtme partneriteti strategjik me Greqinë, por nga ana tjetër është po aq e vërtetë që këto marrëdhënie sot kanë nevojë për t’u ngritur në një nivel tjetër, duke kapërcyer disa çështje të mbetura”. Çështjet e mbetura janë të gjitha një histori e mundimshme dhe shumëkohore greko-shqiptare, sikundër edhe arsye të fuqishme të lëna në fuqi për pengesa të ardhme.
Ambicia e Kryeministrit Rama për t’i zgjidhur ishte, dhe sipas gjasave mbetet, donkishoteske. Mirëpo, sipërmarrja utopike në atë periudhë, pra, në kohën 2016-2017 u vendos në disa kontekste dhe rrethana perceptimesh pozitive. Një vit përpara, pra, në 2015, gazeta greke “Kathimerini”, përmes një shkrimi të analistit të njohur për relacionet ballkanike, kolegut Stavros Tzimas, shkruante për dyshen Rama-Cipras: “Ata duhet më në fund të gjejnë një rrugë të përbashkët dhe të lënë mënjanë ato që i ndajnë. …Rruga e kthimit të Greqisë për në Ballkan kalon nëpërmjet rifillimit të marrëdhënieve me Shqipërinë dhe rruga e shqiptarëve për në BE kalon nëpërmjet Greqisë. Udhëheqësit duhet të guxojnë”. Mirëpo, guximi i kryeministrave për marrëdhënie të tilla kaq problematike dhe me histori moszgjidhjeje që shtrihet në të shkuarën e shumë dekadave, nuk mjafton. Pengesat bilaterale shpesh tejkalohen nëse zgjidhen pengesat e brendshme politike. Axhenda ambicioze e Edi Ramës për zgjidhjet shqiptarogreke nuk e kishte llogaritur fuqinë penguese apo qoftë edhe përfshirëse të Presidentit Ilir Meta. Për këtë arsye, ajo nuk u gëzua si proces dhe për kohë të tëra që vijnë nuk ka për t’u shijuar si zgjidhje.
Në momentin e tanishëm, skema e asaj zgjidhjeje ka dështuar. Nuk është e lidhur me mospërkimin si përkatësi politike e dy qeverive në të dyja vendet, por është e pengueshme prej një situate të re, konteksteve të ndryshuara dhe klimës politike të ndryshme që ndajnë të dy vendet në skenat e veta politike dhe në marrëdhëniet me aktualitetet e tyre diplomatike.
Ministri i ri i Jashtëm i Greqisë është me origjinë nga viset e Himarës. Në dukje kjo të jep shijen e një detaji pozitiv, por, në kontekst me historinë e përfaqësimeve diplomatike të të ashtuquajturve epirotas në shtetësinë greke, ky është një kompleks i paheqshëm. Deklaratat e para të zotit Dendias në Parlamentin grek janë tipike dhe tradicionale si ato të paraardhësve të tij në vitet ’90-të. Më shumë premtuese për linjën e pretendimit për të drejtat e minoritarëve jashtë Dropullit dhe Vurgut dhe rikonfirmim i tutorizmit për pronësinë e homogjenëve grekë në Shqipëri. Në ditën e fundit të korrikut 2019, analisti i njohur grek, Tzimas, shkruante rishtas në “Kathimerini”: “Kryeministri socialist Edi Rama po hesht, ndoshta po pret nga homologu i ri grek qëndrimet e qeverisë së tij për axhendën e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat prej kohësh kanë temperaturë Siberie”.
Ndërkohë që Shqipëria tashmë ka një rishtar në detyrë, si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, i cili vështirë se mund të pretendojë diçka si premisë vijuese për procesin e mbetur aq diskret, në ambicien e ndërprerë dhe tashmë të shuar të paraardhësit të vet.
Një qasje të re dhe afruese ka bërë qeveria e re e Athinës me Uashingtonin këtë periudhë prologu, ndërsa ka paralajmëruar të realizojë në Bruksel përdorime tradicionale të rolit të saj si fqinjë me Shqipërinë. Kjo strategji e keqpërdorur në kohën e të ashtuquajturit “tranzicion shqiptar” nuk garanton rezultatet e dikurshme greke, ndonëse mund të vjelë kompleks të vjetruar shqiptar. Axhenda dhe proceset e vështira greko-shqiptare janë po ato. Rendi dhe metodologjia trajtuese e këtij procesi mes qeverive Micotaqis-Rama duhet të jetë krejtësisht e ndryshme nga ajo Cipras-Rama. Për të ndodhur kjo, trajtimi dhe pretendimi solomonian i të dyja palëve është i nevojshëm dhe i vetmi, por realizmi dhe disponimi duken edhe më të largët dhe fatkeqësisht të munguar. Për këtë arsye, paqëndrueshmëria politike që zotëron skenën tonë të brendshme, është thjesht një pretekst favorizues për Greqinë, por jo një kapitull i ri i mundshëm për t’u shkruar në zgjidhjet diplomatike greko-shqiptare.