Zheji-Bushatit: Përdore mirë çekiçin o Bushat!

 

Artur Zheji replikon me Andi Bushatin, për kritikat ndaj tij në ‘’mbrojtjen’’ e Ilir Metës që Zheji bën sipas Bushatit. Me një këshillë, Zheji i drejtohet Bushatit se duhet ta përdorë mirë çekiçin e tij.

“Një skulptor i pafat u kap duke goditur me çekiç skulpturën e famshme ”La Pieta”, të Michelangelos në “Shën Pjetër”. Kur e arrestuan, ai rrëfeu se kish goditur skulpturën e famshme, që emri i tij të lidhej me atë të Michelangelos. Dhe mediatikisht e për ca kohë ashtu ndodhi vërtet.Çekiçi dhe ai, “La Pieta” me gisht të thyer dhe Michelangelo, për ca kohë dolën gazetave së bashku. Për ca kohë, kuptohet.Më pas mbeti vetëm Michelangelo.Unë e di mirë që për fat të keq, unë nuk jam Michelangelo dhe për fat të mirë, as edhe ti nuk je ai skulptori i dëshpëruar me çekiç në dorë. Porse, këshillë e kam koleg, përdore më mirë çekiçin për të punuar në gur skulpturën tënde, sesa  të thyesh ndonjë gisht nga skulptura e tjetrit. Le të na gjykojë publiku, të cilit i drejtohemi ditë për ditë dhe ballë për ballë. Është më e ndershme dhe më korrekte.”, e këshillon Bushatin, Zheji në shkrimin botuar në ''Mapo''

Bushati shkruante se editoriali i Zhejit rrekej të shpëlante Ilir Metën nga llumi, ku atij i bënte përshtypje se Zheji ishte gjithnjë në anën e pushtetit.

“Një editorial i kësaj fundjave i Artur Zhejit*, ku ai rrekej të shpëlante Ilir Metën nga llumi që i hodhën mbi supe me të padrejtë, me ngjalli kujtimet jo të largëta të mbrëmjeve kur "përleshesha" me të në emisionin aq të gjetur të Ariant Çanit: “Majtas Jo Djathtas”. Jemi përballur pothuajse për gjithçka, për vrasjet e 21 janarit, për vjedhjen e votave në Tiranë, për pensionet e ushtarakëve dhe së fundi edhe nëse duhej dhënë leje ndërtimi nga Lulzim Basha për një pallat që pretendohej të ndërtohej mbi një konvikt ku strehoheshin ende nxënës. Ajo që më bënte përshtypje atëherë, njësoj sikurse tani, ishte fakti se rastësisht “kundërshtari im” Artur Zheji, ishte gjithnjë në anën e pushtetit. Gjithnjë me ata që ishin në poste.Këtë shije më la edhe shkrimi i tij i fundit dhe përpjekja për glorifikimin e çiftit të të rinjve Rama- Meta, që u treguan më të zgjuar sesa Berisha dhe çimentuan edhe më tej dyshen e tyre. Këtë shije më la përpjekja e tij e ekzaltuar për të shpallur pastrimin e Metës nga akuzat për vrasje me pagesë. Ofshama e tij e lehtësimit se këtej e tutje kreu i LSI-së do të lihet i qetë.”, shkruante Bushati në editorialin e tij tek Lapsi.al.

Bushati artikulon më poshtë edhe se tek kolegët që e shohin gotën gjysmë plot hynte edhe Zheji dhe sipas tij kishte pirë diçka tjetër përpos ujit brenda saj.

"Kështu e shoh unë këtë histori ndaj mendoj se gota e Metës edhe kësaj here është gjysëm bosh. Ndaj mendoj gjithashtu se të gjithë ata që e shohin gjysëm plot, kanë pirë diçka tjetër përpos ujit brenda saj. Tek këta të fundit hyn edhe kolegu im Artur Zheji, që nuk e humbi rastin për të më kujtuar, “përplasjet” tona të katër viteve më parë. Që nuk e humbi rastin gjithashtu për të evokuar se është gjithmonë po aq koherent në mbrojtjen e atyre që janë në pushtet. Si në rastin e videos së Dritan Priftit, si në 21 janar, si në votat e gabuara të Tiranës e në të tjera ngjarje. Edhe tani ai e sheh atë që ndodhi si një fitore të Ilirit dhe si një çimentim të marrëdhënies së tij me Edin. Ndoshta në këtë arsyetim niset nga shprehja pa çmim, autor i së cilës është: "Ilir Meta i di mirë punët e veta", shkruan Bushati për Zhejin.

Por Zheji i përgjigjet se ndryshe nga Bushati ai i shkruan hapur shkrimet dhe nuk merr njeri nëpër gojë.

“Në radhë të parë koleg, unë i nënshkruaj hapur të gjitha shkrimet dhe opinionet e mia. Nuk godas askënd mbas shpine dhe Zot na ruaj, nuk marr askënd nëpër gojë, për jetën e vet personale. Nuk merrem as me gotat ku pinë ujë kolegët dhe as për pjatat e tyre të supës apo të sushit të rafinuar. As për udhëtimet e tyre vip, që nuk ua mban xhepi.Por merrem koleg me idetë. Unë ndaj me korrektësi idenë nga personi dhe merrem e gjykoj shfaqjen e saj, politike apo reflektive. Mirëpo, shpesh në faqen tënde on line koleg, dalin jo rrallë shkrime, ngacmime apo opinione, që nënshkruhen thjesht me siglën e faqes, si të ishin letra anonime.Madje, më bëri përshtypje vjet në shtator që, edhe ngushëllimet për humbjen e nënës sime, që nuk i mora asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ty koleg, i lexova të deformuara dhe si thashethem te “faqja jote on line”. Ku aludohej se komenti i Edi Ramës për nënën time, Besa Imami, ishte simbas “Faqes”, një lloj sprove afruese që Rama bënte ndaj meje.E tepërt dhe pa takt, apo jo?”, vazhdon të replikojë Zheji me Bushatin.

Në komentin e tij në gazetën ‘’Mapo’’, Zheji sulmon Bushatin për portalin Lapsi.al.

“Mirëpo “Faqja” e jote koleg, është krejt e ftohtë dhe duket qartazi se e ka pasion të vetin cinizmin. Secili ka “Faqen” e vet, koleg. Sigurisht. Por nuk dua të qëndroj këtu. Çështja është se edhe “Faqja” ka shpenzime dhe kosto. Edhe ata që punojnë aty, paguhen. Dhe akoma nuk kam lexuar ndonjë rresht, që të shkruhet diçka në atë “Faqe”, që të prekë interesat e botuesve apo të financuesve përkatës.Sepse populli duhet ta dijë, ne të dy paguhemi shumë mirë në tregun e gazetarisë, apo jo?“Faqja” mund të ngrejë stuhira edhe për lapsusin më të vogël të dikujt, apo si të thuash edhe për mbërthimin e gabuar të një komçe xhakete, e kam fjalën për komçën e fundit, por ndoshta “Faqja” rrëfehet e pavëmendshme nëse do të humbiste jetën ndonjë minator në Bulqizë. Besoj kuptohemi.”, shkruan Zheji.

 

Ja shkrimi i plotë i Artur Zhejit

 

Për kolegun Bushati

Nga Artur Zheji

 

Koleg, mbasi këndova me vonesë shkrimin tënd, më kapi një trill tipik i kohëve që jetojmë. Porosita pra fare kollaj, dikë në zonën e Bubqit, ku edhe piva një kafe të gjatë me ca çuna të sjellshëm dhe gojëkyçur. Ata më premtuan që të më sjellin një porosi të paketuar mirë, me ndezës, fitil dhe një celular të paidentifikueshëm. Mirëpo, bisedë pas bisede dhe meqë çunat qëlluan edhe fansat e mi, më morën gjysmë çmimi honorar, për ta mbaruar vetë atë punë. Me kusht që çmimin ta mbaj sekret, po ashtu edhe identitetin e tyre. Madje çunat flori të Bubqit më thanë se ishin të gatshëm që, nëse unë dëshiroja të porosisja me shumicë, për heqjen qafe edhe të ndonjë kolegu tjetër, ata nuk ia përtonin.

Ti mund të më pyesësh se pse po ta them dhe madje po ta shkruaj këtë gjë kaq fare hapur, sepse ndoshta Prokuroria e Përgjithshme mund të më thërrasë dhe të më hetojë.

U pendova, vlla. Sepse, me sa duket, jam natyrë paqësore. U telefonova pra, çunave të Bubqit, dhe e anulova këtë kokëkrisje kundër kolegut.

Dhe e di përse u pendova?

Sepse, duke menduar marrjen e jetës së tjetrit, hodha ndërkohë një sy në jetën time modeste. Dhe  pra, ndonëse si gjithkush me dy para mend mbi këtë tokë, jam me plot pakënaqësira, në fund të fundit, arrita në përfundimin se jetën time, ashtu si është dhe si e kam jetuar, nuk e ndërroj me jetën e askujt tjetër. Më kapi një ndjesi pozitive dhe madje u ndjeva i përkëdhelur nga fati, për prindërit që kisha dhe për fëmijët që kam sjellë në jetë.

Dhe pra, në këtë vetëkënaqësi të brendshme, mendova që të anuloj porosinë për çunat e Bubqit dhe në vend të pakos shpërthyese, për ty koleg, thashë të ngjyej paksa penën në bojën e paoksidueshme të inglizit dhe të humorit të tyre të rafinuar. Që ti, besoj do ta mirëkuptosh. Sepse, që të qetësoj ndonjë prokuror të zellshëm, atentat nuk do të ketë.

Një shkrim, po.

Tani le të kthehemi në terrenin konkret të baltës dhe përbaltjes sonë të përditshme.

Në radhë të parë koleg, unë i nënshkruaj hapur të gjitha shkrimet dhe opinionet e mia. Nuk godas askënd mbas shpine dhe Zot na ruaj, nuk marr askënd nëpër gojë, për jetën e vet personale. Nuk merrem as me gotat ku pinë ujë kolegët dhe as për pjatat e tyre të supës apo të sushit të rafinuar. As për udhëtimet e tyre vip, që nuk ua mban xhepi.

Por merrem koleg me idetë. Unë ndaj me korrektësi idenë nga personi dhe merrem e gjykoj shfaqjen e saj, politike apo reflektive.

Mirëpo, shpesh në faqen tënde on line koleg, dalin jo rrallë shkrime, ngacmime apo opinione, që nënshkruhen thjesht me siglën e faqes, si të ishin letra anonime.

Madje, më bëri përshtypje vjet në shtator që, edhe ngushëllimet për humbjen e nënës sime, që nuk i mora asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë nga ty koleg, i lexova të deformuara dhe si thashethem te “faqja jote on line”. Ku aludohej se komenti i Edi Ramës për nënën time, Besa Imami, ishte simbas “Faqes”, një lloj sprove afruese që Rama bënte ndaj meje.

E tepërt dhe pa takt, apo jo?

Koleg, Rama në shtëpinë time të dikurshme dhe unë në shtëpinë e tij të dikurshme, ishim si në shtëpinë tonë. Kemi ngrënë e kemi pirë nga duart e nënave tona, sa herë të na deshte qejfi. Edhe Neta edhe Besa, ishin goxha zonja mikpritëse. Kështu që byrekun që mbante mend Edi, sot Kryeministri, ishte thjesht një shije dhe një kujtim i largët, i një rinie të jetuar mirë. Dhe kur burimi i këtyre kujtimeve koleg, largohet përgjithmonë, si edhe u largua Nëna ime, nëse Edi hedh dy radhë në FB, kur edhe mund të kalonte nga shtëpia ku dikur bubronte me tuta gjithë kohës, nuk ke se çfarë zbulon tjetër.

Mirëpo “Faqja” e jote koleg, është krejt e ftohtë dhe duket qartazi se e ka pasion të vetin cinizmin. Secili ka “Faqen” e vet, koleg. Sigurisht.

Por nuk dua të qëndroj këtu. Çështja është se edhe “Faqja” ka shpenzime dhe kosto. Edhe ata që punojnë aty, paguhen. Dhe akoma nuk kam lexuar ndonjë rresht, që të shkruhet diçka në atë “Faqe”, që të prekë interesat e botuesve apo të financuesve përkatës.

Sepse populli duhet ta dijë, ne të dy paguhemi shumë mirë në tregun e gazetarisë, apo jo?

“Faqja” mund të ngrejë stuhira edhe për lapsusin më të vogël të dikujt, apo si të thuash edhe për mbërthimin e gabuar të një komçe xhakete, e kam fjalën për komçën e fundit, por ndoshta “Faqja” rrëfehet e pavëmendshme nëse do të humbiste jetën ndonjë minator në Bulqizë.

Besoj kuptohemi.

E pra, koleg, meqë të pëlqen vetëportretizimi i vetes dhe i miqve të tu, krejt të pakët, si shenjtorë të gazetarisë, duhen kaluar shumë sprova. Mjafton përshembull të hedhësh një sy në praktikat e rrepta që ka Kisha Katolike dhe Vatikani përpara shpalljes së shenjtorëve. Ngrihen koleg, skuadra të tëra investigative me priftërinj të rreptë, që gërmojnë të gjithë jetën e kandidatit për shenjtor dhe madje pritet me vite. Por kjo nuk është praktika ime.

Sepse mendoj se Shenjtëria apo Kalorësia e mendimit nuk shpallet. Ajo, ose është, ose nuk është.

Por ecim më tej. Le të shpenzojmë dy fjalë për rastin Meta, që i di mirë punët e veta.

Në zhurmën më të fundit, me plot krisma që nuk shpërthyen, Ilir Meta pësoi një goditje zymtake dhe mirëfilli politike. Sigurisht si politikan që është, kjo është pjesë e jetës së tij, të përzgjedhur nga vetë ai, për të cilën është vetë përgjegjës. Objekt dhe subjekt i saj.

Mirëpo më bëri përshtypje të mirë se pjesa racionale e gazetarisë shqiptare, madje edhe ajo më kritikja, ku ti koleg përfshihesh dhe vetëpërfshihesh me pasion, duke mos gjetur një logjikë të qëndrueshme në mpiksjen e kësaj farse, duke patur si të thuash respekt për inteligjencën e vetvetes, nuk iu bashkua kësaj vazhde dhe kësaj farse, e denjë për filma komercialë të dorës së dytë.

Në shkrimin tim më të fundit, që u bë edhe objekti i zbrazjes së “mllefit apo distancimit tënd parimor”, koleg, isha i përqendruar pikërisht në këtë “rezistencë logjike ndaj të palogjikshmes”. Sepse në këtë vendin tonë të bekuar, që ngjan në të shumtën e rasteve me një Çmendinë, ku të sëmurët janë jashtë dhe të mençurit mbyllen mes katër mureve të vetmisë së tyre, shpesh të pangushëllueshme, kjo rezistencë pra, më pëlqeu pa masë. Dhe mendoj se ishte për t’u përshëndetur.

Përsa i përket çimentimit të deritanishëm të dyshes Rama-Meta, që unë nënvizoja, ky është thjesht një fakt, për të cilin nuk se kam akoma ndonjë opinion nëse është mirë apo keq për ne, por sigurisht është mirë për ata, aleatët dhe keq për ca të tjerë, që janë kundërshtarët e tyre politikë dhe jo vetëm. Kaq pra, asgjë më tepër.

Për sa i përket qëndrimeve të mia të këtyre 15 viteve të fundit, je qëllimisht i pasaktë.

Në vitin 2001, përshembull, kam qenë rreptësisht kundër Ilir Metës kryeministër, në favor të reformës Nano brenda Partisë Socialiste. Deri në vitin 2007, kam qenë fort i lidhur me Opozitën dhe Ramën, në mbështetje të fushatës së këtij të fundit për të rifituar Bashkinë e Tiranës. Kemi denoncuar më pas Gërdecin dhe sidomos reformën për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës dhe Kodit Zgjedhor, e njohur ndryshe si marrëveshja Berisha-Rama. Në vitin 2008.

Kam qenë dhe jam i vendosur kundër revolucioneve në dyert e Kryeministrisë, si në vitin 1998 ashtu edhe në Janar të vitit 2011, pavarësisht pasojave të rënda që ato sjellin me vete në humbjen e jetëve njerëzore, siç edhe ndodhi herën e fundit.

Sepse kriminalizimi me çdo kusht i Berishës, më duket politikisht diçka e sforcuar dhe tentativë e padobishme për vendin. Dhe as sot e as nesër nuk e revizionoj këtë tezë.

Por njëkohësisht, jam me Policinë në betejën e saj kundër krimit dhe jam me njeriun e lirë, kundër Policisë dhe kundër Shtetit të të fortëve.

Isha me ty, plotësisht dhe pa rezerva,  kur u shpalle puçist në farsën e Komisionit Hetimor Parlamentar dhe jo me kryeministrin e atëhershëm, Sali Berisha.

Nëse ke kujtesë.

Isha me ty dhe krah teje e kolegëve të tjerë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, hapur dhe me gërma të mëdha në emisionin tonë Majtas jo Djathtas dhe kudo tjetër.

Isha kundër rizgjedhjes së Ramës për herë të katërt si Kryetar Bashkie, sepse fantazia dhe mundësitë e tij për kryeqytetin më dukeshin të shteruara, ndonëse dukej qartë në sfond se shumë shpejt, vrapi i tij drejt pushtetit maksimal ishte i afërt dhe i pandalshëm.

Për premtimin e Ramës, kryeministër tashmë, për demontimin në Shqipëri të armëve kimike,  isha rreptësisht kundra. Kundër procesit dhe proceseve, koleg, jo kundër individit. Kur sulmohet shtëpia e Ministrit të Brendshëm me tritol nga krimi, jam me ministrin dhe me shtetin, kundër krimit dhe tritolit. Dhe kjo nuk është as e turpshme dhe as e parëndësishme.

Në mbyllje po të them edhe një ngjarje që ndodhi para ca vitesh në Romë.

Një skulptor i pafat u kap duke goditur me çekiç skulpturën e famshme ”La Pieta”, të Michelangelos në “Shën Pjetër”. Kur e arrestuan, ai rrëfeu se kish goditur skulpturën e famshme, që emri i tij të lidhej me atë të Michelangelos. Dhe mediatikisht e për ca kohë ashtu ndodhi vërtet.

Çekiçi dhe ai, “La Pieta” me gisht të thyer dhe Michelangelo, për ca kohë dolën gazetave së bashku. Për ca kohë, kuptohet.

Më pas mbeti vetëm Michelangelo.

Unë e di mirë që për fat të keq, unë nuk jam Michelangelo dhe për fat të mirë, as edhe ti nuk je ai skulptori i dëshpëruar me çekiç në dorë.

Porse, këshillë e kam koleg, përdore më mirë çekiçin për të punuar në gur skulpturën tënde, sesa  të thyesh ndonjë gisht nga skulptura e tjetrit.

Le të na gjykojë publiku, të cilit i drejtohemi ditë për ditë dhe ballë për ballë. Është më e ndershme dhe më korrekte.

Sepse, si thotë Shekspiri në një vend: “Jeta është një përrallë e rrëfyer nga një i çmendur…” dhe mjerisht, duke qenë se në çmendinën tonë, të çmendurit janë të zgjidhur dhe të mençurit janë në minorancë të përhershme, për atë që i hanë duart, ka shumë punë për të bërë. Dhe rasti më i fundit që ti merrje në shqyrtim, në replikën tënde koleg, ishte një fitore e vogël e partisë së të Logjikshmes, në festën e së cilës ti theve kot një shishe verë.

Por pak rëndësi ka në fund të fundit, vreshti edhe kësaj radhe ka shpëtuar. Falë edhe kontributeve të tua, sidoqoftë.

Mirëupjekshim. Pa çekiç, mundësisht. Zgjedhja është e jotja, sidoqoftë.

SHKARKO APP