Zhgënjim në Athinë

Grekët janë të indinjuar nga masat e kursimit të negociuara në Bruksel dhe me negocimin nga ana e qeverisë së tyre.

Pensionisti Aristidis Dimopoulos e ka ditur gjithmonë, kështu thotë së paku, „se nuk mund të jesh në luftë me gjithë Evropën, kur fjala është për kaq shumë para.“ Situata është e ndërlikuar, nuk ka një rrugëdalje të thjeshtë. Megjithatë 72 vjeçari mbetet në thelb optimist: "Besoj se partnerët tanë nuk kanë as interesin më të vogël për të na nxjerrë nga euro, sepse nuk do t'u kthehej asnjë cent. Por me sa duket duan të sigurojnë, që rregullat e përbashkëta të vlejnë ende në Europë“.

Dimopoulos i mban mend mirë kohët e mirëqënies në Greqi. Si punonjës i linjës ajror shtetërore Olympic Airways ai kishte një punë të mirë dhe pasi doli në pension përfitoi 1.550 euro, një pension të lartë për kushtet e Greqisë. Në kuadër të kursimeve edhe atij i janë hequr 25% të të ardhurave. Tani 72-vjeçari rri çdo ditë në rradhë para automatëve në Athinë për të siguruar 60 euroshin. Pas mbylljes së bankave dhe futjes së kontrollit të kapitalit në Greqi askush nuk lejohet të tërheqë më shumë nga kontoja brenda ditës. Pasi Banka Qendrore Evropiane (BQE) e shtyu vendimin për ndihma të tjera emergjente për institucionet kredidhënëse greke, zgjatet për 48 orë edhe mbyllja e bankave në Greqi, deri të mërkurën në mbrëmje. Dimopoulos është i shqetësuar, por edhe i gëzuar, që nuk i ka ndodhur diçka më e keqe: „Për fat kam mundur t'i marr në kohë kursimet nga banka. Kam patur disi një parandjenjë, që kursimet tona janë në rrezik“, thotë ai i buzëqeshur në bisedë me Deutschen Wellen.

"I zhgënjyer dhe i mashtruar“

Thanassis është i dërmuar këtë të hënë: Ndjehem për tokë dhe i zhgënjyer, i zhgënyer dhe i mashtuar nga politika“, thotë 45 vjeçari, që në fakt është simpatizant i partisë së majtë. Por optimizimi i tij i fillimit është shndërruar në zhgënjim: "Të them të vërtetën, nuk besoj se në Bruksel në fundjavë ka patur negociata të vështira, sepse unë kam ndjekur me shumë vëmendje atë, që tha Angela Merkel në konferencën e shtypit: Ligjet, që Tsipras do t'i sjellë që nga e hëna në parlamentin grek, kanë qenë të hartuara dhe të gatshme për nënshkrim. Kjo do të thotë, se gjithçka ka qenë e vendosur më parë“, indinjohet burri nga Athina.

Ai beson se Greqia pas kësaj marrëveshjeje me donatorët nuk do të gjejë qetësi, përkundrazi. „Një vend i poshtëruar do të shpërthejë dikur, s'ka si të jetë ndryshe“, paralajmëron ai. BE ka ndjekur një politikë Versaje ndaj Greqisë dhe kjo dikur do t'i hakmerret. Tani Thanassis pret një ndryshim radikal në pejsazhin politik grek. Kryeministri Alexis Tsipras me sa duket duhet të kërkojë partnerë të tjerë koalicioni, ose të formojë një parti gjithëpartiake. Politikanët e vjetër, të cilët bëhen përgjegjës për mjerimin ekonomik të vendit, do të bien në harrresë në vitet e ardhshme. Por Tsipras nuk bën pjesë tek ato.

Trazirat politike të pritshme

Edhe në politikën e Athinës ashpërsohen tonet. Përmes një deklarate krahu i majtë i partisë në pushtet Syriza porosit nga rreziku i "memorandumit të ri të kursimeve", që merr statusin e "një kolonie borxhlie në Evropë nën tutelën gjermane" dhe i bën thirrje njerëzve për të "luftuar" kundër masave të kursimeve. Fjalë të ashpra do të priten edhe në mbledhjen urgjente të partisë të martën (14.7). Ndërkohë zëdhënësi i grupit parlamentar Nikos Filis u ka kërkuar kundërshtarëve të mundshëm të japin dorëheqje. Kryetarja e Parlamentit Zoe Konstantopoulou, që është një nga kritiket më të mprehta të kryeministrit Tsipras, deklaroi se nuk sheh asnjë arsye për një gjë të tillë.

DWelle

 

SHKARKO APP