Zotërinjtë e Shtëpisë së Bardhë
Guvernatori i Nju Jorkut, Endrju Kuomo, mbajti dje në Bufalo, gjatë një ceremonie me rastin e fillimit të mandatit të dytë në këtë post, një fjalim me një retorikë mjat emfatike, që trajtonte çëshjet më kryesore me të cilat përballet shteti dhe mbarë vendi: nga kriza e drejtësisë, pabarazia sociale dhe deri tek mbrojtja e klasës së mesme.
Vëzhguesit që analizuan tektin, ishin në një mendje, se ai fjalim ishte një tjetër hap para, në drejtim të një kandidimi të mundshëm të tij për president. Një synim ky, që ka përshkuar prej 23 vitesh karrierën politike të Kuomos. Në të njëjtën kohë në anën tjetër të shtetit, i rrethuar nga dashuria e familjarëve në banesën e tij në Manhatan, babai Mario po jepte frymën e fundit, ndërsa vdekja në fakt ndodhi pak orë më vonë, pas një tjetër goditje që pësoi zemra e luftëtarit veteran.
Mario, djali i dy emigrantëve italianë nga Noçera e Salernos, kishte qenë guvernator i Nju Jorkut nga viti 1983 deri në vitin 1994. Për një dekadë, ai mbajti në ankth vendin dhe Partinë Demokratike me pritshmërinë, asnjëherë të realizuar të kandidimit për postin e presidentit. Tashmë familja Kuomo, është një dinasti politike e dorës së parë në skenën amerikane.
Zgjedhja
Një ditë para vdekjes së Mario Kuomos, në Majami ish-guvernatori i Floridës, Xheb Bush dha dorëheqjen nga të gjitha postet zyrtare e private që ai mbante. Edhe ky i fundit, pas dy dekadave joshjeje nga ana e Partisë Republikane, është tanimë gati të zbresë në fushëbetejë, për të garuar në të njëjtën zonë elektorale, që konfirmoi fitues fillimisht të atin Xhorxh H. W. Bush në vitin 1980, dhe më pas vëllain e tij Xhorxh W. Bush, 20 vjet më vonë.
Familja Bush është prej kohësh një dinasti politike e padiskutueshme në arenën publike amerikane. Fakt është se familjariteti dhe demokracia, shkojnë shumë mirë krah njëra-tjetrës në politikën amerikane. Në njërën anë janë trashëgimtarët e ëndrrës populiste, që lejon gjithkënd të fitojë, me armët e vetme të ambicjes dhe sakrificës.
Barak Obama, është një njeri i lindur nga një studente me prejardhje modeste, dhe që u rrit pa e njohur babain e saj. Përpara tij, demokratët patën sjellë në pushtet, Bill Klintonin, djalin e një shitësi ambulant të akloolizuar, që vdiq 3 muaj pas lindjes së të birit.
Por përkrah këtyre figurave që u “vetëndërtuan”, ndodhen shpesh një zhgan politikanësh që ndjekin njëri-tjetrin, brez pas brezi, në një sistem aristokracie të padeklaruar zyrtarisht, por që megithatë është faktike. Nëse Klinton, ishte një kampion i ngjitjes së shpejtë në majë, duke filluar nga shkallët më të ulëta, zëvendësi i tij Al Gor, vinte nga një familje e pasur naftëtarësh, që militonte në politikë prej të paktën 70 vjetësh dhe qe e lidhur përmes martesash, me gjakun blu të disa dinastive që dominojnë skenën kombëtare.
Akuzat
Nepotizmi është në fakt një akuzë që mund t’i bëhet shumëkujt në SHBA, duke filluar që prej etërve të pavarësisë së vendit. Njëri nga nipërit e Xhorxh Uashingtonit u bë gjykatës në Gjykatën e Lartë. Një kushëri i presidentit të dytë amerikan, Xhon Adams, ishte mes atyre që firmosën Deklaratën e Pavarësisë. Ndërsa djali i tij Xhon Kuinsi Adams, u zgjodh presidenti i gjashtë i SHBA-së. Ndërkohë, lindja e dinastive, është e lidhur me afirmimin e fuqisë industriale të SHBA, dhe shfaqjen e “baronëve” në fillim të viteve ’900.
Mes tyre, familja më e njohur në Nju Jork ishte ajo e Rokfelerit, e destinuar të qeveriste qytetin, shtetin dhe zv.presidencën e SHBA, deri vitin e kaluar, që shënoi edhe bratisjen e skenës politike nga ana e pinjollit të fundit të familjes, senatorit të shtetit të Delauerit, Xhej Rokfeler.
Për një kohë të gjatë, dominimi i këtyre familjeve, ka patur një karakter rajonal. Psh. Kenedit “mbretëronin” në Nju Inglënd, duke filluar më së pari nga Masaçusetsi, ku ende sot është pjesë e parlamentit lokal, Xho Kedi III, stërnipi i ish-presidentit Xhon Kenedi.
Ndërkaq Harisonët, që u detyruan të heqin dorë nga titulli fisnik britanik i baronëve të Lankashajërit, ia dolën gjithësesi të ruajnë kontrollin politik të Virxhinias, prej ku u zgjodhën dy presidentë, si dhe një numër i madh guvernatorësh. Ruzveltët nga ana tjetër, ishin të rrënjosur në Nju Jork, Muhlenbergët në Pensilvani dhe familja Taft në Ohajo.
Vetëm kohët e fundit, lëvizshmëria gjeografike dhe sociale, ka pështjelluar disi këtë konfigurim dhe vetë familja Bush, është një shembull domethënës.
Ngjitja e kësaj familjeje, filloi me fabrikat e gomës në Ohajo, vazhdoi më pas me sektorin bankar në Konektikat e së fundmi u mbështet nga industria teksane e naftës. Në rrugën drejt garës së ardhshme presidenciale në vitin 2016, pinjolli i familjes Bush, Xhebi do të gjejë me shumë gjasa përballë Hilari Klintonin, një tjetër përfaqësuese e një pushteti që duke sikur përjetësohet, sapo merret ne duar.
Bashkëshorti i saj Bill, ia doli për të parën herë, të shndërronte trashëgiminë politike, të fituar gjatë presidencës së tij në Uashington, në një trashëgimi financiare të pashtershme, me të cilën me shumë mundësi, do të mbështesë gruan e tij në fushatën paraprake zgjedhore në vetë gjirin e PD. Ndoshta, do të nxisë në një të ardhme jo shumë të largët, edhe ambicjet politike që tani të dukshme të së bijës, Çelsi. /messaggero/
a.g./www.bota.al