Zoti kryeministër! E para është drejtësia

Nga Roland Qafoku

Kur Edi Rama mori detyrën më 15 shtator të vitit 2013 kishte shumë sfida në mendje. Por nga ato që e përsëriste në atë kohë më shumë se çdo tjetër me zë dhe figurë ishte “sfida me drejtësinë”.

Me dhjetra herë kryeministri e përsëriste togfjalëshin “reforma në drejtësi” i prirur pozitivisht se nga të gjitha punët e shumta të shtetit, më e rëndësishmja, më e dobishmja dhe çelësi i të gjitha problemeve që kishte Shqipëria që nga vitit 1990, ishte drejtësia.

Jo vetëm betejat politike por edhe ato personale të Edi Ramës i kanë lënë shije të hidhur jo më shumë nga kundërshtarët politikë se sa nga togat e zeza të cilët në jo pak raste e kanë shpallur të humbur si palë në gjyqe për të cilat Edi Rama mund të jetë rekordmen për nga numri. Kulmorja ka qenë ajo e zgjedhjeve të vitit 2011 kur ai e humbi mandatin e katërt për të qenë në krye të bashkisë së Tiranës me një vendim gjykate. Deri këtu kryeministri kishte të drejtë.

Por 15 shtatori i vitit 2013 tashmë me idera në kokë duket shumë larg dhe tashmë pas 1 viti e gjysmë në qeveri çdokush mund të pyesë kryeministrin se në cilën masë e ka realizuar ai reformën e shumëpremtuar në drejtësi. Duhet ta themi hapur se përjashto punën e një ministri si Nasip Naço ne nuk kemi parë ndonjë hata të madhe ekskluzive të kryeministrit dhe mazhorancës së majtë në këtë 1 vit e gjysmë.

Për fatin e Edi Ramës, ministri i Drejtësisë vjen nga një karrierë direkte si pjesë e gjyqsorit shqiptar dhe jo si ndonjë riosh tjetër në kabinetin e Ramës apo në drejtim të disa institucioneve që diplomën e marrë në Perëndim e tund si të vetmin kontribut dhe si pasaportë zotësie, pavarësisht se nuk e tregon se e cilit nivel është ajo dhe në cilin universitet është marrë.

Më mirë se sa ministri Naço nuk e di askush aty në qeverinë Rama se ku janë vrimat e drejtësisë që pikojnë korrupsion, paaftësi, klientelizëm e deri abuzim politik me këtë drejtësi.

Por më shumë se sa kjo situatë, kryeministri Rama duhet të kuptojë se të shkëputësh drejtësinë nga politika nuk do të thotë që tia heqësh drejtësinë PD-së dhe tia veshësh PS-së.

Drejtësia nuk është aksion i policisë ndaj vjedhësve të energjisë elektrike që për hir të vërtetës Edi Rama, unë e kam përmendur edhe në një shkrim tjetër, tashmë e ka futur veten në histori po aq pozitivisht sa presidenti i 12-të i SHBA Zachary Taylor që në 1849 zbuloi se disa banorë kishin ndërhyrë në rrjetin e gazit të Shtëpisë së Bardhë dhe e vidhnin atë.

Drejtësia nuk është aksioni i INUK që mjafton të ndezësh eskavatorin dhe rruspën, të shpërthesh tritolin apo pallatet dhe hotelet pa leje e ti kthesh në pak minuta në një pirg mbeturinash inerte.

Drejtësia nuk është as qarkullimi rrugor që mjafton të kesh radarë dhe policë të ndershëm me bllok gjobash në dorë dhe pa një pa dy shoferët e kapardisur në timon të bëhen qingja.
Drejtësia nuk është as reforma në administratë që me një firmë mund të shkarkosh deri një zëvendësministre të shkretë që nuk kishte paguar një faturë energjie, apo disa të tjerë që i detyron të japin dorëheqjen në vend ti shkarkosh me bujë për diçka që të kanë zënë veshët.

Drejtësia është një çështje kombëtare që nuk i përket as kryeministrit në detyrë e as kryeministrit që ishte në detyrë. Ajo i përket githë shoqërisë, por më shumë politikës që merr vendimion dhe që duhet të bëjë konsensus kombëtar, presidentit që të bëhet palë me këtë politikë, dhe në fund por jo për nga rëndësia vetë gjyqtarëve.

Di Pietro mbajti flamurin e reformës më të madhe në Itali. Vërtetë ai më pas u fut në politikë, por dikur ishte pjesë e drejtësisë. Dhe si e tillë Italia, reformën më të madhe në drejtësi e bëri në aspektin gjithëpërfshirës: Kur politika dhe drejëtsia bashkëpunojnë edhe rezultati vjen në shumë raste i vërtetë dhe me rezultat pozitiv:

Vetëm breda një nate u arrestuan 500 mafiozë të Cosa Nostrës. Vërtetë ata nuk i arrestoi i vetëm një njeri si Pier Luigi Vigna, kryeprokurori Kombëtar i Antimafias Italiane e as gjykatësit që i thanë ok kërkesës së Vign-ës. Ata i arrestoi drejtësia italiane, por padyshim me mbështetjen e madhe të politikës.

Pak a shumë kështu duhet të ndodhë edhe tek ne. Drejtësia vazhdon të lëngojë zoti kryeministër! Fatkeqësisht, ajo është dhe do të mbetet e para.

SHKARKO APP