Zoti Vuçiç, Ju e dini kë do të prisni!

I nderuar Z.Vuçiç!

Me admirim të veçantë ndoqa mikpritjen madhështore që Ju organizuat me rastin e vizitës së Presidentit rus,

Z.Putin. Pjesmarrja e tij në çlirimin e vendit tuaj, e një lideri pra të një vendi të madh, e cila i ka dhënë botës artin e letërsisë e të dashurisë ishte impresionuese. Ishte dhe plot vlerë gjithqysh mbështetja e premtuar prej Tij ndaj vendit tuaj, sa herë e në çdo rethane do t’ja ndieni nevojën. Është mëse e vërtetë se kjo përkrahje e pa ndërprerë, deri në ditët tona, ka mbajtur të gjallë ndikimin e kahershëm të dy poleve aq të domosdoshëm në Ballkan! Euro- atlantikët kësisoj përherë kanë ndjerë në shpinë erën e freskët të veri-lindjes, pra të Rusisë.

 

Shqetësimi im është: a do të ndihet vallë kjo erë e freskët si dikur edhe në vitet e ardhshme? Përgjigja ime ndaj pyetjes sime është, Jo! Jo, sepse lëvizja e Presidentit rus drejt Krimesë e Ukrainës, në gjykimin tim, do të hajë të paktën 10 vite të mira  për t’i rehabilituar ato vise, e më pas po aq vite për t’u rehabilituar në sytë  e opinionit mbarkombëtar dhe ndërkombëtar.

Në këto rrethana, megjithë dëshirën e madhe, druaj se Rusia nuk do të mund të jetë prezente si dikur, për t’ju gjendur shtetit dhe popullit serb në sfidat e mëdha që e presin!

Është çasti që dhe Ju t’ja ktheni mirënjohjen Rusisë dhe liderit të saj historik Z.Putin, duke i treguar mbështetjen tuaj, duke mos e shpërqendruar e çorientuar nga impenjimet e tij në Detin e Zi, thjesht duke qëndruar ju vetë mbi këmbët tuaja.

 

I nderuar Z.Vuçiç,

Zoti e do Serbinë dhe pa e lënë asnjë ditë në vetmi po i ofron një fat, për çdo banor të saj që të gjendet në rrugën e mirëqënies, begatisë dhe të harmonisë si kurrë më parë… dhe ky fat vjen nga Shqiperia! Nga miliona shqiptarë që gjenden anembanë botës: nga shumë pranë, e nga shumë larg. Të kudondodhur e të ngadothirrur që rishtazi trupëzohen tek një burrë shteti që Shqipëria sot e ka.

 

Edi Rama vjen në datë 10.

 

I nderuar Z.Vuçiç,

 

Më lejoni, përpara se t’ju argumentoj me fakte “pse”-në e madhe që ju lind natyrshëm, ta nis nga vetja. Jemi thuajse bashkmoshatarë.

‘’Sot quhet Adana, në antikitet Adanus… vendbanimi i pandërprerë 4000 vjeçar, me tokat me pjellore në Mesdhe, vendi ku në një natë të tmerrshme shiu bashkë me grushtin e rradhës së ushtrisë, linda…

Në 12 Shtator 1980 pashë të përsëritej po ky grusht. U ndalua dalja nga shtëpitë, kazanet e plehrave plot me armë e fishekë pastroheshin nga ushtarët çdo mëngjes!

Kur një fëmijë nis të gjykojë ardhjen e Tij në këtë jetë është një ndjesi e tmerrshme!

Vitet 1990. Isha bërë gati të takoja vajzën më të bukur të qytetit. E vetmja këmishë e bardhë që kisha për atë rast, m’u ndy nga pikat e shiut që bashkë me naftën binin prej puseve që digjeshin në Gjirin Persik…Era kish mundur t’i sjellë nga Kuvajti në Adana.

Atë ditë kuptova, se edhe lufta ishte si dashuria, nuk donte t’ia dinte për kufij!

Viti 1991, Shqipëria po dilte nga vetë izolimi. Shumkush në ikje. Unë po vija. Vija për të studjuar në Akademinë e Arteve. Ju siguroj se pakkush mendonte askohe për artin…konkurova, fitova. Isha bariton.

U bëra dëshmitar okular i ndryshimit. Përvojë e pa përsëritshme për dikë të ardhur nga një vend si Turqia, me një demokraci që ende sot përpiqet të heqë njollat prej këmishës së bardhë. Shqipëria kishte vetëm një stof të kuq, grisa- grisa të kohës së diktaturës. Lakmonte të kish një të bardhë!

Viti 1997 Qëndrova. Muaj të tërë në një vend pa shtet. Nuk ndryshonte fare nga një shtet pa vend!

Viti 1999, Kosova! Qëndrova. Qëndrova mes krenarisë dhe turpit të të qënurit njeri!

Viti 2014

Mësova t’ja dal të pranoj në çast e me lehtësi si gjënë më të natyrshme, edhe të kundërtën e asaj që mendoja, asaj që më rrethon, që lexoj, që shoh e dëgjoj.

Të kundërtat dhe kundërshtitë nëse gjykohen e vlerësohen me mençuri  kthehen në faktor mbrothsie, mirqënieje e paqe të qëndrueshme. Popuj të tjerë ja kanë dalë. Popuj që kaluan në të njëjtin rrugëtim urrejtjeje, luftrash, shkatërrimi, përçudnimesh e përçmimesh. Popuj që i thirren arsyes, e gjetën atë dhe e quajtën Evropë.

 

Unë Ahmet Dursun, shqiptar i diasporës greke, turke, kosovare, serbe: evropian linda, jetova, mësova!

 

I nderuar Z. Vuçiç,

 

Sot tashmë vendet në konflikte të ndryshme të Ballkanit kanë një model të një politikani që me dekada u ka munguar. Ky është Edi Rama, dhe qenja e tij bashkëkombas i imi, as nuk i shton e as nuk i heq asgjë, pra edhe nëse do të ishte serb, malazez, maqedonas, boshnjak do t’i përmbahesha këtij mendimi. Për t’ju drejtuar sado që të më kuptoni e të bindeni, ju ftoj të lexoni një tregim që vetëm për hir të kësaj ngjarjeje po e ndaj.

 

Sot Valeri, është një prej piktorëve më në zë të Evropës e më gjerë. Lindi në Tiranë, nga një prind ruse dhe shqiptar, në periudhën e mardhënieve rozë, të socializmit të kuq të bllokut të lindjes.

Në vitet 70, e ëma u akuzua pa asnjë shkak si bashkpuntore e regjimit sovjetik, dhe u dënua me 8 vite burg…

Në vitin 78, Valeri u dënua 10 vite me akuzën e tentativës për arratisje jashtë Shqipërie.

Ndërsa bënte pune të detyrueshme në minierat më të frikshme të globit, i ngjasoj ato me labirinthet e shpirt ligësisë njerëzore, ua gërryu fundin e tyre.

Gjith përjetimin e 10 viteve burgosje e gdhendi në kocka, dhe 10 vite të jetës së tij i bëri një varëse…

Në 20 tetor 1988, kur u lirua e nisi të eci në rrugët e qytetit të Tiranës, shumë pak prej ish miqëve të tij e përqafuan…

Një prej tyre që i qëndroj pranë, ishte njeriu i cili nuk kish patur asnjëherë dhunë nga regjimi, megjithatë i qëndroj pranë pa treguar asnjë frikë, pa e quajtur të deklasuar, armik i popullit…ky ishte Edi Rama.

Valeri një prej ditëve mori trenin dhe shkoj në bregdetin e qytetit të Durrësit. Ndërsa peshkonte i vetëm, ju afrua një grua e re angleze (një prej atyre që ua lejonte regjimi t’a vizitonin Shqipërinë).

Qëndruan së bashku, në   fshehtësin e errët të natës. Dashuria nuk do të pyeste atë natë për ideologji…

Ishte korrik 1990, një prej netëve të zbrazura të qytetit të Tiranës para shtëpisë së tij, një natë para se Valeri, të futej në ambasadën Italiane. Bashkë me  Edi Ramën ishin ulur në trotuar dhe nisën të flasin poshtë dritës së rrugicës me orë të tëra për shumë gjëra që Valeri kishte për të thënë…dhe në një çast i tregoj për historinë e shkurtër me gruan angleze, dhe ngjitet në shtëpi dhe ja sjell Edi Ramës varesën dhe ja tregon…

– Këtë kam ndërmend t’ja dhuroj asaj gruaje, si thua?

Rama, ndërsa i kish ngulur sytë në varësen që mbante nëpër duart e tij u kthye nga Valeri dhe i tha:

– Ç’janë këto komplekse Valer, ajo ta ketë për nder që ka kaluar një natë me ty.    Por kjo është një vepër që na takon të gjithëve ne, dhe duhet të mbetet këtu.

 

I nderuar Z.Vuçiç,

 

  1. Rama ishte veçse 25 vjeç kur ju përgjigj Valerit në këtë mënyrë. Ju ftoj të sillni në mendje, sa njerëz që sot merren me politikat në Ballkan, e që në kushtet e një Shqipërie të asaj kohe do të mund t’i jepnin një përgjigje të tillë, qofshin ata edhe 75 vjeçarë që ende janë në politikë? Sa njerëz të mendjes, sa historian, akademik?

 

Sot Z. Rama është 50 vjeç. Dhe për fatin tonë të përbashkët të mirë mund të mendojmë, të këmbngulim e të besojmë se varëset me kockat e ideologjive absurde, Z. Rama do t’ja heqi çdo banori të Ballkanit.

 

Për të sotmen por sidomos për fëmijët që mos të  gjykojnë më kurrë për ditën e ardhjes së tyre në Ballkan.

 

Sa për dronin, mbase e ngritën shpirtrat që ende nuk janë futur në trupat e fëmijëve, për t’ja kolauduar mendësinë që të ngrihet lart, e të mos mbetet ende me numrin e të vrarëve që sot ndodhen nën tokë.

SHKARKO APP