Zverneci, Rrjolli dhe Thethi kanë vetëm një lidhje, janë tokë shqiptare!

Nga Musa Kurtulaj
Në protestën e fundit që zhvillohet në Tiranë dhe në disa qytete të tjera, po bëhen përpjekje që Zverneci, Rrjolli dhe Thethi të trajtohen si raste të ngjashme, si zona ku qeveria ka ndërhyrë në mënyrë flagrante. Për hir të së vërtetës, e vetmja lidhje mes këtyre zonave është se ndodhen në territorin shqiptar. Sa u përket problemeve konkrete, ato kanë pak ose aspak lidhje me njëra-tjetrën.

Zverneci
Bëhet fjalë për një projekt turistik me vlerë rreth 4 miliardë dollarë. Zona është pronë private dhe klasifikohet si e mbrojtur e nivelit të pestë. Investimi parashikohet të realizohet nga një kompani nga Katari, me mbështetje dhe garanci nga njerëz në kupolen e SHBA .Deri tani janë paraqitur dy variante projektesh, por qeveria i ka kthyer për rishikim me qëllim përshtatjen më të mirë me karakteristikat e terrenit. Pra, ende nuk ekziston një projekt përfundimtar i miratuar.Nga ana tjetër, banorët pretendojnë se nuk kanë marrë ende pronat që u takojnë. Ndërkohë, investitori ka blerë rreth 250 hektarë tokë nga një pronar i kësaj zone, i cili sot jeton në SHBA.

Rrjolli
Këtu nuk ka asgjë sekrete. Investitori është shqiptar, me origjinë nga Vuthajt e Plavë – Gucisë së Alpeve Shqiptare.
Trualli ku ndërtohet resorti i është blerë nga investitori një ish-banori të këtij fshati, i cili kishte paraqitur dokumentët si pronari i kësaj sipërfaqeje toke. Megjithatë, një pjesë e banorëve e kundërshtojnë këtë transaksion, duke pretenduar se toka është e tyre dhe se është përfituar nga persona të tjerë përmes dokumenteve të falsifikuara ! Të dyja palët paraqesin dokumente pronësie mbi truallin ku ndërtohet resorti. Pronari që e ka shitur tokën deklaron se e drejta e tij mbështetet në vendime gjyqësore, gjë që refuzohet nga banorët e tjerë. Nga ana tjetër, investitori ka bërë të ditur se kontrata e blerjes është nënshkruar me klauzolë alternative. Kjo do të thotë se, nëse gjatë proçesit gjyqësor rezulton se ka pasur falsifikime në dokumentacionin e pronësisë, ai do ta shkëpusë kontratën me pronarin aktual dhe do ta lidhë atë me personin që gjykata do të njohë si pronar legjitim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Thethi
Thethi është një zonë turistike e mbrojtur, si për vlerat e trashëgimisë historike dhe kulturore, ashtu edhe për pasurinë e saj mjedisore dhe pyjore.
Ndërhyrja e IKMT-së vitin e kaluar për prishjen e disa objekteve u krye pasi ato ishin klasifikuar si ndërtime pa leje, si në qendrën historike pranë kishës, ashtu edhe në hapësirat e mbrojtura mjedisore. Banorët e Thethit bashkëjetojnë prej shekujsh me Parkun Natyror. Megjithëse, sipas mendimit tim, do të kishte qenë e vlefshme një analizë më e detajuar e objekteve para ndërhyrjes me fadroma, me qëllim diferencimin e atyre që nuk shkaktonin dëme dhe ruajtjen e atyre që mund të shpëtoheshin, në thelb ndërhyrja e IKMT-së ishte në përputhje me kërkesat që sot artikulojnë vetë mjedisorët në protestë për mbrojtjen e zonave të mbrojtura.Prandaj, përfshirja e Zvernecit, Rrjollit dhe Thethit në të njëjtën paketë argumentesh krijon më shumë konfuzion sesa qartësi. Secili rast ka historinë, problematikat dhe kontekstin e vet ligjor, pronësor dhe mjedisor, ndaj meriton të trajtohet veçmas dhe jo si pjesë e një narrative të vetme.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?