Fusha e futbollit në Prishtinë-fusha e turpit pasi mbetet gjithë gropa e baltë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) e arsyetoi të hënën gjendjen e rënduar të fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me numrin e madh të ngjarjeve që mbahen në të.

Fusha e përbaltur gjatë fitores së Kosovës 1:0 kundër Izraelit në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian 2024 të dielen mbrëma ishte në qendër të vëmendjes.

Ajo shkaktoi reagime të mëdha në rrjetet sociale dhe nxiti edhe Komunën e Prishtinës – e cila është pronarja e stadiumit – dhe vetë FFK-në të dalin me sqarime rreth saj.

FFK – e cila e menaxhon fushën në bazë të një marrëveshje nga dhjetori 2022 sipas Komunës së Prishtinës – tha se “nuk mund ta marrë barrën për gjendjen e tillë të fushës, duke e ditur stërngarkesën e aktiviteve (jo vetëm sportive) në këtë stadium gjatë këtij viti.”

Ajo u ankua se “askush nga institucionet, qoftë të nivelit lokal apo qendror, nuk është marrë asnjëherë me çështjen e fushës, ndonëse prej shumë kohësh e kemi ngritur zërin për urgjencë dhe për nevojën e një stadiumi alternativë”.

Fusha plot baltë dhe ujë ua vështirësoi lojën skuadrave dhe pas ndeshjes, lojtarët e Izraelit u ankuan për gjendjen e saj, përfshirë kapitenin Eli Dasa.

Aq e keqe ishte gjendja e fushës gjatë ndeshjes saqë e largoi vëmendjen nga masat e rrepta të sigurisë dhe mungesa e tifozëve në stadium për këtë ndeshje.

Madje, FFK-ja tha se i vjen keq për “mungesë mbështetjeje për djemtë tanë dardanë, të cilët dhanë maksimumin e tyre në një fushë të tillë të rënduar. Të gjithë u morën me negativitet dhe askush nuk mori mundin t’i lavdërojë djemtë në fushë si dhe institucionet e sigurisë për një punë fantastike në mbarëvajtjen e kësaj ndeshje, e cila përveçse e rëndë në fushë, ishte e tillë edhe jashtë fushës.”

Stadiumi “Fadil Vokrri” është i vetmi në Kosovë i cili i plotëson kushtet e UEFA-s për organizimin e ndeshjeve zyrtare të UEFA-s dhe FIFA-s.

Stadiumi u pranua nga UEFA në vitin 2018 si stadium i kategorisë së katërt dhe prej atëherë, Kombëtarja e Kosovës, përfshirë ato të grupmoshave dhe ajo e grave, i zhvillojnë ndeshjet në të.

Përveç ekipeve kombëtare dhe klubit të Prishtinës që zhvillon ndeshje si vendas në të gjitha garat në të, “Fadil Vokrri” është shtëpi edhe e klubeve të tjera kosovare të cilat bëjnë garat në Evropë.

Deri tani ndeshje në të kanë zhvilluar, Ballkani, Drita, Llapi dhe Gjilani./Europa e Lirë/

SHKARKO APP