Nikoll Lesi flet për 27 vjetorin e “Koha Jonë”
(Kronikë e Televizionit më të madh shqiptar, Top Channel)
27 vjet më parë u botua numri i parë i gazetës “Koha Jonë”, e para gazetë private në Shqipëri pas rënies se regjimit komunist.
Botuesi Nikollë Lesi na tregon përmes fotove dhe arkivave gati tre dekada në shtypin e përditshëm. Kopja e parë e gazetës doli në qytetin e Lezhës dhe ruhet me kujdes nga zoti Lesi. Në pak kohë, gazeta u bë më e shitura në vend.
“Sot bëhen fiks 27 vite nga dalja e numrit të parë të gazetës së pavarur shqiptare “Koha Jonë”, gazetë që nisi në Lezhë, gazetë lokale, një herë në javë. Për pak kohë u kthye në gazetën më të madhe të Shqipërisë, e përditshme. Mblodhi stafin më të mirë të gazetarëve të asaj kohe, dhe kësaj kohe në një farë mënyre, se të gjithë kanë dalë nga “Koha Jonë”. Gazeta ka një tipar, që mendoj është i gjithë gazetarëve që sot kanë dalë nga “Koha Jonë” dhe punojnë në tregun mediatik shqiptar, e kurajës, e vrasjes së frikës ndaj pushtetit, sepse atëherë dhe sot natyrisht ka presion ndaj medias”, rrëfen Nikollë Lesi.
Përpalsja me pushtetin nuk ka qenë pa kosto për gazetën “Koha Jonë”. Në 1994 u arrestuan kryeredaktori Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktorit Martin Lekaj . Ndaj botuesit dhe gazetarëve ushtrohej presion i vazhdueshëm me rrahje dhe burgosje.
Kulmi arriti natën e 2 marsit 1997, kur forcat qeveritare qëlluan me armë dhe dogjën krejt redaksinë e gazetës “Koha Jonë”.
Gazeta nuk doli në treg për 40 ditë. Kjo përkon edhe me kulmin e numrit të kopjeve të shitura në treg.
“Koha Jonë mbahet mend si gazetë jo vetëm e parë dhe e lirë private, po gazetë që u ndesh me pushtetet, u dogj nga pushteti, siç është ajo e 2 marsit 1997 dhe atëherë arriti tirazhin më të madh që arriti 88 mijë kopje shitje në një ditë, kur ishte kryeredaktor Ben Blushi, mos gabohem. Më pas gazeta u kthye në një lloj shkolle praktike të gjithë medias shqiptare, ku kanë dalë sipas statistikave 75% e analistëve, moderatorëve, drejtuesve të medias së shkruar e televizive sot në tregun shqiptar, kanë dalë nga duart e Koha Jonë”, thotë Lesi.
Përplasjet vazhduan edhe me qeverinë “Nano”. Sot jemi në një realitet tjetër, ku shtypi i shkruar po gjen mënyra të reja për t’iu përshtatur botës së informacionit.
“Ka ndryshuar tregu shqiptar i medias së shkruar sidomos, Koha Jonë tani është dhe online si shumica e mediave shqiptare, ndonëse është një treg mediatik i një media digjitale, koha jonë ka një eksperiencë 27-vjeçare që e bën të jetë shumë konkurrente sot që të ngelet jo vetëm si histori, po praktikë e shembullit kurajoz të gazetarisë. E ardhmja do jetë siç është sot”, thotë Lesi. (marrë nga top Channel).
Gazeta “Koha Jonë” është e para gazetë e pavarur dhe private në Shqipëri, e cila është themeluar me datë 11 Maj 1991 në qytetin e lashtë të Lezhës.
Themelues i saj është Nikoll Lesi. Por gazeta ka patur si bashkëdrejtues të parë gazetarët Nikoll Lesi dhe Zef Shtjefni. Gazeta filloi botimin një herë në javë si gazetë lokale e rrethit të Lezhës, duke u kthyer brenda një viti në një gazetë të kërkuar nga lexuesit, ndërsa në vitin 1994 u bë gazeta më e madhe (tashmë e përditshme) e Shqipërisë duke arritur kulmin në ngjarjet e vitit 1997 në 88 mijë kopje të shitura në ditë. Kryeredaktor i “Koha Jone” në vitet 1996-1997 ishte Ben Blushi.
Po si vazhdoi historia e gazetës së parë të lirë në Shqipëri?
Pas largimit të Zef Shtjefnit në nentor 1991 në redaksinë e parë mbeten gazetarët Marash Mirashi, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli dhe Vera Ivanaj. Në dhjetor 1991 ofrohet dhe një student me emrin Aleksandër Frangaj, i cili me sharmin e tij gazetaresk dhe kurajon e veçantë ra në sy të botuesit Lesi, i cili e ofroi mënjëherë, duke u bërë bashkëpunëtori më i mirë i gazetës.
Në 22 korrik 1992 Nikoll Lesi i fali Aleksandër Frangaj 40 për qind të aksioneve të gazetës, ku avokat i këtij veprimi juridik ishte Spartak Ngjela. Gazeta u bë me stafin më kurajoz e profesionistë në vend. Periudha më e vështirë, por më e sukseshme e kësaj gazete të madhe mbeten vitet 1992-1997, ku jo vetëm ishte një gazetë profesioniste e kurajoze, por u shndërrua edhe në një universitet të medias shqiptare. Gjatë kësaj periudhe media “Koha Jonë” nxori në treg si filiale gazetat “Sport Ekspres” dhe “AKS”.
Ndaj gazetës “Koha Jonë” pati arrestime të kryeredaktorit Aleksandër Frangaj dhe zv/kryeredaktorit Martin Lekaj (31 janar 1994), ndjekje penale kundrejt drejtorit, vendosje tritoli nga segmentet e shtetit dhe krimit në shtëpinë e Nikoll Lesit natën e 1 Nentorit 1995, rrahje e burgosje të gazetarëve nga pushteti i kohës.
Kulmi arriti natën e 2 mars 1997 kur forcat qeveritare qëlluan me armë dhe dogjën krejt redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Gazeta nuk doli në treg për 40 ditë. Në 31 janar 1997 Aleksandër Frangaj vendos të largohet nga pronësia e gazetës dhe ia shet aksionet e tij, të dhuruara nga Nikoll Lesi, po Nikoll Lesit.
Nga viti 1997 deri me datë 7 mars 2007 Nikoll Lesi vazhdon të jetë botues i “Koha Jonë”, pavarësisht qënies së tij deputet i parlamentit të Shqipërisë prej qershorit 1997.
Me 7 Mars 2007 Nikoll Lesi largohet nga media për t’iu përkushtuar politikës si deputet dhe i kalon 100 përqind të aksioneve të gazetës “Koha Jonë” Aleksandër Frangaj. Por surprizat dhe çuditë nuk vonojnë dhe me datë 17 Tetor 2013 Aleksandër Frangaj njofton se heq dorë përfundimisht nga pronësia mbi gazetën “ Koha Jonë”. Nikoll Lesi e rimerr pronësinë e gazetës, të cilën e themeloi në Lezhë në vitin 1991, duke u kthyer në media, falë edhe eksperiencës që krijoi në politikë duke qenë 12 vjet deputet në parlament.
“Koha Jone” është histori e madhe dhe e veçantë e medias shqiptare të pas vitit 1990.
Në multimedian “KOHA JONË” kanë punuar emrat më të mëdhenjë të medias shqiptare: Nikoll Lesi, Martin Leka, Aleksandër Frangaj, Ben Blushi, Frrok Çupi, Teodor Keko, Armand Shkullaku, Andi Bushati, Andi Bejtja, Blendi Fevziu, Fatos Lubonja, Sokol Balla, Filip Çakuli, Arian Çani, Mimoza Dervishi, Adi Krasta, Mimoza Picari, Kiço Blushi, Rezart Xhaxhiu, Anila Basha, Enton Abilekaj, Henri Çili, Rudina Xhunga, Arta Marku, Jonila Godole, Lorenc Vangjeli, Skender Minxhozi, Edi Rama, Bledar Zaganjori, Mentor Kikia, Keida Kostreci, Alfred Peza, Anila Jole, Aleksandër Çipa, Juli Krisafi, Eriona Shehu, Fatos Baxhaku, Arban Hasani, Ilir Babaramo, Esmeralda Gjoka, Pandi Gjata, Vladimir Prela, Altin Kreka, Gent Shkullaku, Fatmir Meneri, Edi Lesi, Ylli Pata, Alban Dudushi, Sokol Bregu, Roland Qafoku, Gerti Çarçani, Arben Rrozhani, Mikel Janku, Zef Shtjefni, Marash Mirashi, Gavrosh Levonja, Gezim Nushi, Vera Ivanaj, Tritan Kokona, Emin Barçi, Auron Sulo, Zamir Alushi, Arben Vata, Erli Murati, Ilir Gjoni, Xhovani Shyti, Enkel Demi, Tonin Çobani, Alfons Zeneli, Edmond Kaçeli, Ylli Dylgjeri, Dritan Kaba, Agim Xhafka, Milto Baka, Vehab Kaba, Bardhi Sejdarasi, Altin Kreka, Adriatik Dosti, Eglantina Nasi, Albina Gjergji, Agim Baçi, Edmond Arizaj, Manjola Zeka, Roland Zili, Denion Ndrenika, Urim Bajrami, Jakin Marena, Zenepe Luka, Feliks Bilani, Agim Neza e deri Qamil Xhani (kryeredaktor 2015-2018) si dhe plot të tjerë korrespodentë e analistë.
Gazeta “Koha jone” është e para gazetë në Shqipëri, e cila u themelua e pavarur dhe e lirë me 11 maj 1991.
“Koha Jone” u përballë me dhunën, arrestimet dhe djegien nga pushteti, pushtete të cilat asnjëherë nuk e kanë patur mirë me “Koha Jone”, pasi ishte gazeta e cila nuk donte miqësi me pushtetet.
Nga dyert e “Koha Jone” kanë dalë pothuaj mbi 70 përqind e drejtuesve, analistëve dhe gazetarëve të sotëm shqiptarë, të cilët janë ndër më të njohurit e tregut mediatik.
Kjo është “KOHA JONE”!
Në foto: Majtas (Aleksandër Frangaj) dhe Nikoll Lesi. 11 maj 1994
Në foto: Zyrat e redaksisë së “KOHA JONE” djegur nga forcat e SHIK-ut dhe Gardës së Republikës natën e 2 marsit 1997
Në foto: Kopertina e Librit “Kështjella e Medias” shkruar nga Nikoll Lesi për historinë e gazetës së parë të lirë në Shqipëri, “KOHA JONE”.