Agim Krajka: Parashqevia dashuronte një sigurims

 

Në një intervistë për ““Debati në Channel One” kompozitori Agim Krajka rrëfen për karrierën e tij muzikore bashkëpunimet, jetën në diktaturë 
 

Maestro Krajka, ju falenderoj që sapo keni ardhur nga SHBA, një nga punët e para është prezenca në studion e emisionit tim.

Ka 2-3 ditë që jam kthyer, shkova për të parë fëmijët, por kisha edhe nostalgji. Ditën e parë u kënaqa, por pastaj thoja kur do të kthehem. Siç thotë populli breshka ferrën do. Amerika për mua është një shtet që e bekoftë Zoti, por është vetëm shtet, jo komb, ky është ndryshim i madh.

Ju jeni qytetar amerikan?
Jam qytetar shqiptar dhe jam krenar. Kam pasaportë amerikane, por atje shkoj vetëm sepse më merr malli për fëmijët.

Cili është ndryshimi i parë që vëreni sapo vini në Shqipëri?
Ne e dimë traditën e formimet e këtij kombi. Nuk rendis dot as të këqijat as të këqijat.
Po më e mira? Që jam shqiptar, duhet t’i dalim Zot këtij vendi, gjithmonë në emër të të mirë.

Por kjo varet, jo vetëm nga individi, varet kush e drejton turmën.

A jeni ndeshur me ndonjë të ri që thotë kush është ky Agim Krajka?
Unë nuk dal shumë. Kur dal kthehem me kokë të ulur se njerëzit më befasojnë, më japin vlera që mendoj se nuk i kam. Kur unë kam ikur e lashë Shqipërinë me kod me Kodin shqiptar, e kur jam kthyer kam gjetur tallava e pisllëqe. Më mbyt edhe si fjalë e jo më ta dëgjoj.

Si të lejonin t’i bëje ato këngë, ku kishte ndërhyrje?
Të them të drejtë nisi nga papjekuria si i ri që isha, më pas thashë pse duhet të heq dorë nga kjo. Ishte viti 1961 kur i bija firzamonikës, dhe u thashë shokëve kam bërë një këngë për festival, ishte kënga “Lemza” dhe të gjithë e pëlqyen. Më pas ia tregova Vaçes. Nuk e besoi që e kisha bërë unë. Dhe nuk besonim të na pranonin në festival sepse këngët ishin të paracaktuara sa do të ishin për partinë, kush do t’i këndonte.

Nga e morët motivin?
Nga populli im, nga lagjja ime. Por më pas nuk u transmetua më. Nuk përkonte me kërkesën e partisë se ç’kulturë duhet të merrte populli i saj. Ajo nuk është rock n roll, ritmin nuk e ka krijuar Shqipëria, as bota ritmi ka lindur, sikur trokitja e derës.

Jeni frymëzuar nga të huajt?

Kemi pasur fatin e madh që dëgjonim Celentanon.

Pas sa vitesh u transmetua “Lemza” dhe “Djaloshi dhe shiu”?
Tre muaj pasi u hoq dhe u ndalua të transmetohej kënga ime “Lemza”, mbaj mend që kam qenë në radhën e qumshit dhe kishte shumë zhurmë. Në një moment dëgjova dikë që tha mos bëni zhurmë sepse po dëgjohet Lemza. Edhe djaloshi dhe shiu doli nga transmetimi. Kur morrëm pjesë në festival me këngën “Kafe Flora burra plot” më lajmëruan se më kërkonin në degën e brendshme. Kryetari i degës ishte Mill Doçi. Sa më pa tha: “Ku je se po na shkatërron rininë”. I thashë se ajo ishte një këngë pogonishte. Pas pak më nxorri prangat dhe tha do t’i kisha vendosur në vend, por përpara se ti vë ty, duhet t’ja vendos fëmijëve tanë që e dëgjojnë gjithë ditën këtë këngë. Pas festivalit të 11-të u izolova totalisht nga asambli 10 vjet. Kudo që shkonin jashtë, provat i bëja unë, deri ditën e fundit, dhe më pas gjenin dikë tjetër, mua më izoluan totalisht.

Por a ndiheshit mirë që disa u arrestuan dhe ju të paktën jo?
Unë nuk di të jetë arrestuar njeri. Nëse do të ishte arrestuar Sherif Merdani për këngën, më parë duhet të arrestohej kompozitori. Ai ishte vetëm riprodhues i këngës.
Xhelil Gjoni, sekretari i Partisë i Komitetit Qendror të Tiranës bëri lëshim për mua e i jam mirënjohës. Ai ishte artist në shpirt. Më kërkoi në zyrë. Nuk kisha frikë sepse e dija kush ishte ai. Më kërkoi këngë për 65-vjetorin e shokut Enver. Të gjithë kompozitorët thonë se vetëm Agim Krajka mund ta bëjë. Ajo këngë është kënga “një tufë lule”.
Sherif Merdani është burgosur për këtë…
Nuk është arrestuar njeri. Unë nuk di gjë. Jo, jo. Nuk është arrestuar Sherifi pse këndonte. Ta lëmë këtu sepse është një debat tjetër. Atëherë të hiqnin nga puna por nuk të fusnin në burg.
Po atë e futën në burg zoti Krajka.
Jeni i sigurtë? Unë e di në mënyrë tjetër që s’ka nevojë për ta thënë. Po ta kishin burgosur për këngën në radhë të parë duhet të futej në burg dhe arrestuar kompozitori. Sherifi ishte vetëm interpretues. Për këtë problem s’kishte arsye të arrestohej Sherifi. Duhet të futeshin brenda autorët e muzikës dhe tekstit. Kjo është logjika. Edhe në atë kohë kërkoheshin argumenta.

Po përse e dënuan?
Sherif Merdani është narcist. I dashuruar me veten. Sherif Merdani nuk ka as shkollë, as nota nuk njeh. Mos ma vër në radhën e Ceskut dhe Tishit. Është dënuar se i ka folur goja një gjë që s’duhej. Në atë kohë Gasper Çuçia u pushkatua se falsifikoi 100 bileta treni. Pra ai ligj të dënonte si për vejdhjen dhe si për muzikën. Nuk kishte ligje të veçanta për çdo fushë. Unë nuk isha budalla. Nuk e kam dashur dhe nuk e dua Enver Hoxhën por ka një gjë që ai sistem ma dha shkollën pa asnjë lek. Shkoje në spital pa asnjë lek. Nuk kam nostalgji për atë sistem. Enver Hoxha vrau shokët e vet dhe ata eleminuan njëri tjetrin si Kadri Hazbiu, Beqir Balluku. Analistët në SHBA thoshin se sistemet socialiste janë shumë funksionalë për vendet primitive. Pra duhej ai shtete ligjor që nuk korruptoje dot askënd, as policing as mjekun e gjykatësin. Sot i kemi të gjitha me pare.

Je bërë pishman që i keni kompozuar një këngë Enver Hoxhës?
Jo nuk bëhem, ajo nuk ka fjalë të Enverit. Trim kanë qenë vetëm ata që i dolën kundër Enverit kur ishte gjallë, unë s’kam qenë nga ata.

E ke takuar ndonjëherë Enver Hoxhën?
Vetëm njëherë në Radio Tirana, u dha dorën të gjithëve, mes tyre edhe mua.

Ju keni vuajtur nga ai, por nuk e shani. Si është e mundur?
Unë kam vuajtur si çdo shqiptar. Por ka pasur edhe nga ata që janë pushkatuar. Unë në atë kohë jam diplomuar, nuk kam pseudodiplomë. Në atë kohë nuk kishte burra, as tani nuk ka. As sot nuk ka asnjë që i del kundër Edi Ramës.

Sherif Merdani është i dashuruar me veten, as shkollë për muzikë nuk ka. Unë nuk e desha dhe nuk e dua Enver hoxhën, por nga ai sistem shkoje në spital pa asnjë lekë. Në Amerikë thuhej se sistemet socialiste janë shumë funksionalë për popujt primitivë. Këtij kombi i është dashur ai shtet ligjor, jo komunist, por shtet ligjor.

Kompozitori Enver Shëngjergji përmend dhe thotë shumë vlerësime për ju. Sipas tij ju keni qenë idhulli i tij. Si ndiheni kur ju vlerëson shumë një koleg?

Kjo është shumë për mua. E vlerësoj dhe e falenderoj.

E keni vuajtur zilinë mes kolegëve?
Nuk e kam vuajtur, por e kam ditur. Arti është garë. Unë pata fatin e mirë vazhdova shkollën për kompozicion me pedagogët më të mirë.

Cili ishte idhulli juaj?
Idhulli im është Çesk Zadeja.

A mund të na përshkruani momentin kur keni marrë çmimin në Dizhon të Francës si Asambël i këngëve dhe valleve Popullore?

Sepse ajo është një vlerë që sot po përdhunohet. Ka shumë kohë që nuk dalin në ekrane figura të muzikës. Duhet treguar që ky popull nuk lindi dje, por ka qenë në shekuj.

Si funskiononin kocertet kur shkonit jashtë? Në sa shtete keni shkuar?
Vetëm në Bashkimin Sovjetik nuk kam qenë. Në Kinë kam qëndruar 6 muaj. Bënim shfaqje në çdo qytet. Kam qenë edhe në Australi.

A ju survejonin si edhe ekipet e sportit?
Si mund të mos survejoheshim? Na vinin pas deri në shtëpi. Mua më kanë ndenjur 6 javë përpara shtëpisë sepse më kishte ardhur djali i tezes nga Dibra e Madhe. Edhe kur ikinim jashtë na shoqëronin punonjës të sigurimit, ata silleshin si shokët tanë.

Sherfi Merdani ka thënë më ka thënë Krajka që bëja raporte…

Jo nuk është si thotë ai. Në atë kohë çdonjëri do të fliste për nivelin artistik. Flisnim për problemet profesionale, kush stonoi e gjëra të tjera. Nëse psh Sherif Merdani largohej, mbaja unë përgjegjësi.

Ai arrin deri atje sa thotë se ju keni qenë bashkëpunëtor i Sigurimit e deri te pseudonimi Belini.

Nuk e kam dëgjuar. Por kjo nuk ka rëndësi. Të thotë çfarë të dojë. Këto janë shpifje të ulta. Kujt i intereson le të hulumtojë e le ta verifikojë. Ai ka qenë narcist, ka dashur vetëm veten. Asgjë si ka dhënë shoqërisë. Ai vetëm për të më dëgjuar mua, kudo shkoja vinte më mbante firzamonikën.

Si është për ju Vaçe Zela?
Këto këngëtarë dolën nga gjiri i atij populli. Zërin e Vaçes dhe Vaçen e morën në dorë të tjerët. Ajo doli jashtë sferës sime. Çdo njeri ka vlerën e vetë në art. Vaçja kishte një zë natyral, konfidencial, të ngrohtë, edhe kur i ikte zëri, kur recitonte, dukej sikur këndonte sepse kishte një shpirt shumë komunikues, ishte totalisht artiste.

Mund të na tregosh pse realizove këngë për gjyshen dhe jo dikujt tjetër?

Unë jam i vetmi në botë që kam bërë këngë për gjyshen. Unë kam qenë djalë i vetëm me 6 motra. Sipas traditës, djali i vetëm është trashëgimtari i shtëpisë, ndërsa vajzat bëhen pronare të shtëpisë së botës sepse martohen. Gjyshja më mbante më afër se gjithë të tjerët. Ishte grua tmerrësisht e zhvilluar. Nuk e harroj kurrë këshillën që më dha kur isha 10 vjeç. Kisha provim në aritmetikë dhe për t’i bërë qejfin i thashë do ti lutem Zotit që të dal mirë.
Më tha Si mendon se Zoti do lerë miliarda njerëz në gjithë botën për të ndihmuar ty në provim? Nga miliarda qenie në botë, Zoti mendjen ia dha vetëm njeriut. Prandaj për çdo të mirë falendero Zotin që ke mendjen. Edhe të këqijat i ke prej mendjes.

Cili është mendimi juaj për Parashqevi Simakun?
Për mua është nga zërat më të rrallë të muzikës shqiptare. Ajo këndonte muzikën e lehtë, por këndonte shumë mirë edhe këngën popullore. Kur këndonte këngës e Qamiles të rrënqethte mishin. E ka kënduar Hafsa Zyberi dhe pas shumë kohës e këndoi Parashqevia. Në Amerikë qëndroi 6 muaj në shtëpinë time. Na kërkuan të bënim disa këngë bashkë. I kishim të gjitha të paguara, por ajo kërkoi të ikte në Hollivud. I thashë të mos e bënte këtë gabim. Por zë si ai nuk i vjen më Shqipërisë. Pas dy tre vjetësh e takova i ishte pjekur fytyra sikur e kishte futur në furrë. Por, e shkreta ajo gjysmën e trurit e kishte bosh.

Çfarë kishte ndodhur?
Ishte sëmurë. Çfarë bëri ajo në Holliëood? Gjeti një djalë gjoja amerikan që i binte kitares dhe u martuan. Kënduan në dasma. Më pas i ra një sëmundje. Por zë si ai nuk i vjen kurrë Shqipërisë.

Alida Hisku ka thënë: “Këngëtaret që kërkonin karrierë e që nuk ishin të gjithanshme ato që nuk ishin të sinqerta në krijimtarinë e tyre si artiste, u nënshtroheshin këtyre lloj rrugëve, duke u bërë vegla të Sigurimit të Shtetit ose të politikanëve.

Nuk e di këtë ua them sinqerisht. Dhe flet Alida Hisku? Di që Parashqevia kishte një të dashur që punonte në sigurimin e Shtetit. Do të martohej me të, por ndryshuan punët e sigurimit këtu në Shqipëri. Edhe ai i Sigurimit njeri ishte. Nuk kishte të drejtë ai të dashuronte? Po ajo përse nuk flet me kë ka shkuar? Apo është virgjëreshë?

Sipas jush nuk ka pasur abuzime të hetuesve të sigurimsave?

Unë nuk di, sidomos ndaj femrave unë nuk di.

Një politikan i njohur i PD Fatbardh Kadilli ka qenë ai që me një grup shokësh të ka ardhur në shtëpi kur morët çmimin e parë.

E dija gjithmonë që merrja ose çmimin e dytë, ose çmimin e tretë. Në festival nuk shkoja, isha i bindur që çmimin e parë nuk e merrja, shkoja vetëm në prova. Atë natë shkova me një shok të pinim fërrnet. Më pas u nisëm për në shtëpi, e kidhim harruar festivalin. Kur shkoj në shtëpi e gjeta gruan të mjeruar, si gjithmonë kur ishte festivali.

Ajo ishte konsulentja ime në muzikë, vinte nga një familjr me shumë kulture. Në familjen saj flitej vetëm frëngjisht. Në atë kohë po jepeshin çmimet. U dhanë 3 çmime të treta dhe unë po shpresoja të dytin ta merrja unë. Kur dha çmimin e aprë kam përplasur në tokë një pjatancë të madhe që e kisha blerë në Turqi. Kërkova pak alkool për ta pirë, kisha vetëm alkool dezinfektimi në shtëpi dhe atë e piva. Në atë moment ra zilja, shohim një klasë mature. Nuk di sa gëzim të madh kam ndjerë, sesi më trajtuan për atë çmim që mora. E mbaj mend Fatbardhin që erdhi me disa djem dhe vajza dhe kemi qendruar përgjithë natën bashkë. Ishte suprizë e këndshme.

Si ishte Irma Libohova?
Irma kishte zë dhe talent. Disa nota i kishte të veshura me timbër, disa nota të larta i zbardheshin dhe kemi punuar shumë vite bashkë.

Po Luan Zhegun si e vlerësoni?
Zëri më i mirë I zërave burrërorë, të paktën që kanë kënduar në atë kohë.

Si u ndjetë kur Top Channel e këndoi këngën tuaj “Këngët e Rinisë” në një nga festat e fundvit?

Ka qenë nderi më i madh që mund të më këtë bërë një TV. Dhurata më e mirë që më është bërë në jetën time. Ishte e mrekullueshme të shikoje ata djem e vajza gazetarë që kishin mbushur qendrën e Tiranës me flamuj dhe këndonin këtë këngë. Është padyshim një këngë baladë.

Cili është zëri që ju ka bërë më shumë përshtypje?
Vaçe Zela, Irma Libohova, Luan Zhegu dhe Parashqevi Simaku, për mua këta janë zërat më të mirë. Parashqevia është zeri femëror më i mirë i këngës së lehtë shqiptare dhe Luan Zhegu zëri më i mirë i mashkull i këngës shqiptare. Janë të papërsëritshëm.

Si u bëtë pjesë e filmit “Sex and the city”?
Unë shkoj shpesh tek një restorant që quhej Broadway. Shkova të më dëgjonte shefi i kuzhinës në prani të disa muzikantëve për të më marrë në punë. Ishte ditë e shtunë, dimër. Pasi luajta një pjesë të gjithë më duartrokitën fort. I thashë bosit nëse do të punoja atje apo jo. Më tha do të punosh, por varet sa e do rrogën. Më tha të punoja 6 netë në javë dhe nëse nuk bën gabime do të ikësh i fundit nga ky restorant. Punova 12 vjet dhe fitova një vlerë që nuk do ta kisha fitur kurrë në Shqipëri. Kriss i “Sex and the city” vinte shpesh atje dhe i duhej dikush që luante me firzamonikë. Më pas mora pjesë edhe në 2-3 filma të tjerë.

Si e përjetuat lajmin e vdekjes së Vaçes?

Ashtu si përjetohet vdekja e një artisti.

A u nderua siç duhet nga shteti shqiptar?

Ne nuk e pamë kufomën e Vaçes, në hollin e operas, pamë vetëm foton e saj.

A e keni ndjerë veten të vlerësuar?
Në 2007 kur erdha nga Amerika e gjeta pensionin 12 mijë lekë. Presidenti Moisiu më dha titullin “Mjeshtër i madh”, jo vetëm për vlerësimin moral, por edhe pensioni mu bë 40 mijë lekë.

Në shumë foto jeni me bashkëshorten. Kaq shumë e doni?
Jemi me shumë fat që kemi gjetur njëri-tjetrin. E kam parë rastësisht me shoqet në Liceun artistik. Ishte ashtu siç dëshiroja unë të ishte një grua.

Çfarë ka ndodhur me muzikën që kultivohet sot?
Asgjë s’ka ndodhur dhe prandaj muzika është kot. S’të luan asnjë nerv. Këngët janë të tipit dashuroj-shurroj-shurroj-shurroooooooj.

Si zgjidhet kjo? Si largohen këto prurje?
Më parë të kishe firzamonikë ishte fat i madh, jo më një piano. Sot kanë blerë të gjithë vegla muzikore në shtëpitë e tyre.

Që kur kam ardhur nga Amerika, s’ka ardhur asnjë këngëtar të më thojë “Profesor do të më bëni një këngë?”

Keni ndonjë peng për ndonjë krijim tuajin?
Mua më janë hequr shumë këngë, por më janë hequr pasi janë publikuar, kjo edhe më ka ndihmuar sepse sa më shumë i hiqnin, aq mq shumë kërkonin t’i dëgjonin. Nuk kam pasur as konkurrentë, as rivalë, as më të mirë as më të këqinj se vetja.

Si e vlerësoni Gjergj Lekën?
Si muzikant është i formuar. Edhe këndon, edhe kërcen etj. Por nuk është kompozitor, për mua vlerat e tij më të mëdha janë në piano. Është instrumentist shumë i mirë

Një këshillë çfarë duhet të bëjë shoqëria shqiptare?

Kur Bonaparti fitoi me Italinë, i thotë këshilltari dil se të presin mijëra njerëz, ai i thotë se po ata njerëz nesër me të njëjtën kënaqësi edhe do ta kishin nënvlerësuar, se kjo është turmë, do të kisha kënaqësi të shikoja një popull me traditë, jo një turmë.

SHKARKO APP