Agron Duka: Ligji i mbetjeve, duhet referendum

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka është shprehur kundër ligjit për importin e mbetjeve në Shqipëri, që u votua në Parlament nga mazhoranca. Në një intervistë për gazetën “Telegraf”, Agron Duka thekson se, ky ligj i Qeverisë bie ndesh me premtimin e Ramës në vitin 2013. Ai shton se ekziston një mënyrë që ky ligj të anulohet, dhe kjo bëhet përmes referendumit.

***

-Zoti Duka, Edi Rama, si kryetar i Opozites, ne 2013 kundershtoi fort projektligjin per importimin e Plehrave. Ndersa në 22 shtator 2016, 63 deputetë të Mazhorancës së kryeministrit Rama u imponuan  nga vetë Rama, që ta votonin Ligjin e Plehrave. Ju, si mendoni, përse tani Edi Rama, si kryeministër e voton Ligjin e Plehrave?

-Në radhë të parë kemi të bëjmë me Mbetje dhe jo me  Plehra, madje është vetë kryeministri  në vitin 2013 i ka quajtur plehra dhe tani i quan mbejtje. Unë nuk i di arsyet se pse mazhoranca  e miratoi  këtë nisme, faktikisht asgjë nuk ka ndryshuar nga tre vite me parë, pasi edhe në atë kohë, ashtu edhe sot,  janë të njëjtat struktura  që kontrollojnë hyrjen e sasive të mbetjeve në Shqipëri.

– Edi Rama, si kryetar i Opozitës në 2013, duke kundërshtuar fort atëhere projektligjin e qeverisë “Berisha”, deklaroi:  “Ajo qeveri që do të votojë lejimin e importit të plehrave është e blerë nga mafia dhe nuk e do kombin e vet’”. Ju, sot, a mund t’i thoni kryeministrit Edi Rama, që është blerë nga mafia dhe nuk e do kombin e vet?

– Pikërisht këtu qëndron demagogjia dhe papërgjeshmëria  e të bërit politikë, ku edhe nga mbetjet klasa politike kërkon të fitojë politikisht, duke luajtur me ndjenjat e popullit, i cili përditë e më shumë po përballet me problemet mjedisore të keqadministrimit të mbetjeve.

– Një nga arsyetimet që dha Eduard Shalsi, si kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarisë  Prodhuese, është se importimi i Plehrave, do të japë  mundësi punësimi industrisë së riciklimit. A mundet që kjo nevojë të justifikojë importin e Plehrave?

– Punësimi  nuk është argument që të justifikoje importin e mbetjeve, pasi   këtu në vend gjenerohen aq shumë mbetje, sa që mund të hapen mijëra vende pune. Mjafton që qeveria dhe bashkitë të ndërmarrin masa për të mundësuar që edhe mbetjet tona të riciklohen e ripërdoren. Ka nevojë që mbetjet tona të ndahen  që në burim, në dy apo tre kategori, ku të ndahen mbetjet e thata letra, qelqi, kanaçet plastika nga mbetjet  organike, e në këtë mënyrë   bëhet më e lehtë  që mbetjet të përpunohen e të përdoren si lëndë e parë për industrinë.

– Cila është rrezikshmëria e importimit të Plehrave në Shqipëri?

– Unë mendoj  se importi i mbetjeve,  në çdo kohë dhe në çdo vend, madje edhe në vendet më të zhvilluara,  mbartin një rrezik të madh.  Së pari, në Shqipëri rreziku i importit është ai që bashkë me mbetjet për riciklim të vijnë edhe mbetje të rrezikshme, mbetje spitalore, mbetje kimike, mbetje radioaktive. Së dyti, duke lejuar import pa kufi të mbetjeve nga jashtë, do të lihet pas dore trajtimi i mbetjeve tona këtu në vend.

– A garanton qeveria, që me importimin e Plehrave, nuk do të vijnë në Shqipëri edhe mbetjet bërthamore dhe nukleare?

– Kjo mbetet për t’u verifikuar. Thuhet se ekzistojnë kapacitetet për kontrollin e mbetjeve në pikat kufitare, por unë mendoj se teknikat e kontrollit duhet të përsosen më tej. Ashtu si trafikantët përpiqen të sofistikojnë mënyrat  e tyre të trafikuat, ashtu edhe qeveria duhet të përsosë teknikat e zbulimit, të rrisë kapacitetet njerëzore, si dhe nga ana tjetër, do të duhet të rriten masat e ndëshkimit për trafikantët e mbetjeve. Gjobat, që aplikohen me ligj janë shumë të ulëta në krahasim me dëmin i shkaktohet mjedisit dhe  shëndetit të publikut.

– Ju jeni i mendimit, që importimi i Plehrave në Shqipëri, është drejtpërdrejt një shërbim i interesave ekonomike që Kryeministri Rama u bën koncensionistëve që do kenë eksluzivitetin e riciklimit të këtyre plehrave në Shqipëri?

– Nuk mendoj që Kryeministri të jetë vënë në shërbim të interesave ekonomike të sipërmarrësve. Megjithatë, një gjë duhet thënë se në këtë sektor të ngritur tashmë pre tre vjetësh janë të punësuar disa qindra vetë. Ndërsa, përsa i përket eksluzivitetit, unë mendoj  që duhet përkrahur dhe nxitur që riciklimi i mbetjeve,  të zgjerohet në të gjithë bashkitë e vendit, duke përfshirë sa më shumë  sipërmarrës në këtë inciative.

– Atëhere, sado dobi kishte “JO” që qeveria i tha SHBA për demontimin e Armëve Kimike të Sirisë në Shqipëri, përballë miratimit të Ligjit të importimit të Plehrave? 

– Përsa i përket armëve kimike, as që bëhet fjalë, pasi ne nuk i kemi  kapacitetet për trajtimin e tyre. shkalla e rrezikshmërisë së armëve kimike është shumë here më i lartë se mbetjet urbane. Gjithashtu,  edhe vende më të zhvilluara nuk i kanë këto kapacitete dhe nuk janë në gjendje të marrin këtë lloj përgjegjësie.

– A ka hapësirë ligjore, bërja e një referendum popullor, për të anulluar ligjin e importimit të Plehrave?

– Unë mendoj që Ligji i mbetjeve ka nevojë për rishikim dhe për amandamente te tjera. Së pari, duhet të shikohet me përparësi trajtimi i të gjithë mbetjeve të vendit dhe pastaj të shikohet importi. Së dyti, duhet  përcaktuar qartë ndalimi i importit të mbetjeve për djegje   dhe, së treti, pavaresisht listes se gjelber te mbetjeve, Shqipëria duhet të rishikojë me ligj këtë listë dhe ta reduktojë në 4-5 mbetje,  të thata dhe të diferencuara. Në radhë të parë kjo çështje duhet të zgjidhet nga parlamenti, i cili duhet të përfshijë ekspertizën teknike e shkencore, si dhe të dëgjojë Shoqërinë Civile për shqetësimet e ngritura. Në mungesë të një vullneti politik në parlament, atëhere mund te kalohet në  vendim marrjen populore, siç është referendumi.

– Ju do të jeni iniciator që  25 deputetë të kërkojnë referendum?

– Unë natyrisht në radhë të parë do të përdor të drejtën time, si ligjvënës në parlament, duke ndikuar për zgjidhjen e problemit aty. Gjithashtu, në mungesë të një vullneti nga ana forcave politike, pse jo  edhe referendumi është një instrument, i cili duhet të përdoret.

– PAA, si parti parlamentare, a do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e importimit të Plehrave, për ta bërë të pavleshme?

– Ligji sapo është miratuar në Parlament dhe duhet kohë  që të hyjë në fuqi. Në lidhje me kushtetueshmërinë e tij deri tani nuk është folur që ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën. Nga ana jonë,  do të mbështetim çdo vendim  qe merret për kushtetueshmërinë e çdo ligji, përfshirë këtu edhe ligjin e mbetjeve.

SHKARKO APP