Agron Duka: Unë, Rama dhe akuzat e Berishës për “Klanin e Zemunit”

Deputeti republikan, dikur ish-ministër i qeverisë Nano, është përzgjedhur nga PR për garën elektorale të Durrësit. Ai thotë për JAVA se do të respektojë vendimin e koalicionit opozitar dhe se ndjehet mirë përballë Vangjush Dakos. "Durrësi po qeveriset në mënyrë arrogante dhe klienteliste", thotë Agron Duka

 

Nga Skënder Minxhozi

 

Ju jeni tashmë kandidati për bashkinë e Durrësit, i Partisë Republikane. Pse tani dhe pse në këtë formë ky propozim nga kreu i PR Mediu?

Propozimi në fjalë zanafillën e ka nga strukturat e Partisë Republikane. Në konsultim me to, si dhe duke bërë një sondazh të elektoratit brenda të djathtës, u mendua që kandidatura ime mund të ishte një alternativë konsensuale. Kjo është arsyeja kruesore, për të cilën kryetari Mediu e hodhi atë publikisht para pak ditësh.

Dua të sqaroj se kandidatura ime nuk është përfundimtare, pra zyrtare. Ajo bëhet e tillë kur merr konsensusin  e të gjithë spektrit të djathtë dhe kur regjistrohet në KQZ. Por ne brenda PR kemi pasur përshtypjen se kjo është diçka e drejtë dhe konform ambicjeve elektorale të opozitës. Të shohim se cili do të jetë reagimi zyrtar nga pjesa tjetër e opozitës.

 

Nëse pjesa tjetër e të djathtës i thotë “Jo” emrit tuaj, çfarë qëndrimi do të mbani?

Nuk ka diskutim që opozita do të dalë me një kandidat të vetëm për Durrësin. Kështu është rënë dakort dhe ne i qëndrojmë pakteve. Nëse gjatë rrugës, pas sondazheve dhe konsultimeve përkatëse, shihet se një kandidaturë tjetër brenda të djathtës, do të jetë më afër fitores se unë, atëherë Partia Republikane dhe gjithë përkrahësit e mij, do të vihemi në krah të kandidatit zyrtar të opozitës. E rëndësishme dhe qëllim kryesor i të djathtës, pra dhe i imi si person, është që të fitojmë bashkinë e Durrësit.

 

Një pyetje, si kandidat për garën bashkiake të Durrësit: çfarë nuk shkon sot në këtë qytet?

Sipas meje, menaxhimi i Durrësit, sidomos kohët e fundit, është arrogant dhe selektiv. Them kështu sepse është vënë re se shpesh janë dhënë leje ndërtimi pa marrë aprovimin e institucioneve përkatëse. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me objektet që janë prishur, siç ka qenë rasti i shatërvanit. Mesa di unë nuk janë respektuar të gjitha etapat dhe kjo është një shenjë arrogance. Një sjellje që unë e gjej madje të “natyrshme”, pasi vjen pas tetë vjet pushteti. Unë mendoj se Durrësi nuk e meriton të vazhdojë të menaxhohet në këtë mënyrë.

Pjesa tjetër e problemeve ka të bëjë me dhënien e lejeve selektive  dhe ajo që ka rënë në sy të të gjithë banorëve të Durrësit, është konflikti i interesit që ka kryetari aktual dhe që është përmbledhur në parim në konceptin e betonizimit të qytetit. Dihet botërisht nyja e betonit e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Dikush mund të thotë se Vangjush Dako i tillë ka qenë edhe kur hyri në politikë, por nuk është kështu. Unë e njoh nga afër këtë proces dhe asokohe është menduar se ai do të ishte një menaxher i mirë për Durrësin, pavarësisht se kishte një biznes ndërtimi. Fakti që me kalimin e viteve, ai ngatërroi biznesin personal me punët publike, ky është një faktor negativ në trashëgiminë që le pas Vangjush Dako.

 

A ka një çarje në familje, mes jush dhe zotit Koka, sa i përket kandidimit në bashkinë e Durrësit?

Absolutisht që nuk ka asnjë çarje. Ne si familje mblidhemi shpesh në darka, dreka, në ngjarje të ndryshme të natyrës familjare, për mirë dhe për keq. Padyshim që jemi të dy prezentë, edhe unë, edhe zoti Koka. Dihet publikisht që jemi të pozicionuar politikisht në pozicionet tona respektive, në dy kahje të kundërta. Kështu që një politikan me përvojë nuk ka sesi t’i kërkojë votën një kundërshtari politik, qoftë ky dhe një i afërm. Prandaj zoti Koka do të jetë krejt i lirë të votojë forcën e tij politike. Por jam i bindur se edhe ai do të bëjë të njëjtën gjë me mua, ashtu siç kam bindjen se familjarët e zotit Koka, do të votojnë për Metën dhe kjo është e moralshme. Nuk besoj se ka vend për qejf-mbetje dhe nga krahu politik i zotit Koka.

 

Jeni shprehur që kandidimi i Dakos do ishte lajm i mirë. Pse?

Sigurisht që do të ishte kështu, pasi ai për mua është tashmë një figurë e konsumuar. Ka dhe diçka tjetër me rëndësi: Dako u përpoq ta pastrojë skakierën politike të majtë në Durrës, përveç asaj pjese që u mor me bashkinë. Si fillim ndoshta u bënë edhe disa punë të mira nga bashkia, kurse më vonë ai u mor thuajse ekskluzivisht me pastrimin e fushës nga të majtët e vërtetë të Durrësit. Shembuj të tillë ka shumë. Mund të fillohet me Gazmend Bizhgën, i cili ka qenë themeluesi i PS atje, për aq sa unë e mbaj mend PS-në. Po ashtu ka edhe emra të tjerë në Durrës që kanë pësuar të njëjtin fat.

Me këto që them nuk dua të bëj ndonjë diversion, por në përgjithësi kjo ka qenë sjellja e kryetarit me të majtën në Durrës.

 

Trajektorja juaj drejt së djathtës e ka zanafillën në konfliktin me kryetarin Rama, gjatë zgjedhjeve të vitit 2013. Si e kujtoni atë moment?

Më lejoni t’ju korigjoj. Trajektorja ime është shumë më e hershme se kaq. Unë vij nga një zonë, ajo e Shijakut, e cila njihet për përkrahjen e saj për të djathtën. U bëra ministër i qeverisë socialiste të Nanos, por ju kujtoj se isha deputet i pavarur, i mbështetur nga PS. Nuk jam bërë kurrë anëtar i PS dhe as jam përzier me partinë socialiste në Durrës. Më vonë mora një ftesë nga Edi Rama, për t’u angazhuar me programin e PS në fushatën e vitit 2013, në fushën e bujqësisë, të cilën e njoh më mirë.

Duhet t’ju them se e mora me mjaft zell angazhimin tim, udhëtuam nëpër gjithë Shqipërinë me një staf të shkëlqyer që e falenderoj dhe sot për punën që kanë bërë. Më vjen keq që ai program që hartuam asokohe nuk gjeti zbatim në qeverinë e sotme, çka dëshmon se mesa duket vetë programi ishte elektoral, e jo qeverisës.

Më vonë, konflikti me Ramën ishte se donte të më kandidonte vendin e pestë të listës shumë-emërore në Berat. Nuk e kisha problem vendin ku do kandidoja, por unë kam dashur e do të dua gjithmonë që të jap kontribut në zonën time. Përvoja, njohjet, natyra ime është e tillë, që më kanë krijuar më tepër mundësi e marrëdhënie në zonën ku banoj. Ndoshta nuk jam një politikan i rangut kombëtar, por në rajonin e Durrësit besoj se kam mbështetje.

 

Sa problem krijon për ju, tashmë djathtas, terminologjia e vjetër që ka përdorur dikur Berisha ndaj jush. Kujtojmë këtu të famshmin “klan të Zemunit”…

Nuk besoj se ndikon absolutisht historia ime e vjetër me Berishën, sepse kopha që unë ndenja jashtë politikës, në tetë vjetët e fundit, provoi indirekt se ato u thanë kundër meje nuk u vërtetuan. Unë isha dhe jam në biznes por askush nuk ka provuar dot asnjë akuzë. Pati një tërheqje thuajse totale nga ato që u thanë, kurse unë nuk u ngacmova më kurrë në biznesin tim, pavarësisht se në atë kohë unë isha në opozitë. Në një farë mënyre, edhe në opinionin publik ku unë jetoj, pra në Durrës, nuk besoj se ka ndonjë rudiment të këtyre  ngacmimeve. Besoj se këto deklarata kanë qenë të nxituara dhe me natyrë politike, shpesh të ardhura nga informacione të marra bruto dhe të pakonfirmuara.

 

Si po qeveris Edi Rama?

Për mua, jo si opozitar, por si qytetar i këtij vendi, mendoj se nuk po qeveris mirë. Ka disa gjëra që personalisht i gjykoj pozitive, siç është përpjekja për të formalizuar shtetin, pra për të vënë ligjin. Por disa aspekte të tjera nuk më pëlqejnë, përfshirë menaxhimin e bujqësisë dhe sporteve të cilat i njoh më mirë. Nuk më duket pozitive as tendenca për ta vënë ligjin në vend me arrogancë dhe në mënyrë selektive. Për shembull, jam shumë dakord me prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje, por jo diku të shemben godinat, aty ku nuk njihen personat, e diku tjetër të thuhet që këtu do të legalizohen ndërtimet.  E njëjta gjë shpesh po ndodh edhe me energjinë elektrike, ku kemi dy standarte. Ka pasur raste vetësakrifikimi të personave që s’kanë të paguajnë dritat.

Më pas, nëse do të hyjmë në detaje, si bujqësi dhe fusha të tjera, ka plot për të thënë. Thjesht për të përmendur dy-tre gjëra në fushën e bujqësisë, meqë jam i atij profili, ju kujtoj se gjatë gjithë fushatës Rama deklaroi se sapo të vinte në pushtet, do të reduktonte akcizën e karburantit që përdoret në bujqësi dhe peshkim, si dhe do të hiqte taksën e qarkullimit. Asnjëra nga këto nuk është realizuar. U tha gjithashtu që brenda mandatit do të  realizoheshin skemat ujitëse dhe kulluese, madje u kalkulua edhe shuma e nevojshme për ta realizuar këtë nismë. Me fondet që janë dhënë në dy vitet e fundit, kjo duket se nuk do të realizohet. Duhet thënë se është bërë një farë përpjekjeje për rajonalizimin e kulturave bujqësore, por kjo është e pamundur të kryhet, nëse nuk ka politika subvencionuese nga shteti. Gjithsesi kjo duket një përpjekje pozitive.

SHKARKO APP