Al Bano Carrisi: Lidhja ime e veçantë me Shqipërinë
Me rastin e 20- vjetorit të krijimit të shoqatës “Al Bano & Romina Power”, pianistja e famshme shqiptare, “Mjeshtër i Madh” Aksinja Xhoja, njëherësh një mike e hershme e këngëtarit, i ka marrë këtë intervistë këngëtarit, për t’ia përcjellë me zërin e tij, fansave në ditën e festës.
Më 30 janar në Vlorë festohet 20 -vjetori i krijimit të shoqatës “Al Bano & Romina Power”. Kryetarja e shoqatës, gazetarja Zenepe Luka, kërkon nga ju të përcillni një përshëndetje për fansat, në pamundësi për të qenë i pranishëm…
Më lejoni ta nis përshëndetjen time duke kënduar këngën “Tanti Auguri a voi”. Urimet më të mira Zenepe Lukës dhe të gjithë fansave të mi në Shqipëri. Më vjen shumë keq, që nuk do të jem mes jush, sepse jam i angazhuar me koncerte. Duhet të isha vënë në dijeni 5-6 muaj përpara, që ta planifikoja ardhjen aty. Sinqerisht më vjen shumë keq, pasi jam i sigurt, që do të jetë një mbrëmje fantastike. Ashtu sikurse di të organizojë vetëm mikja ime, që unë e thërras Oriana Falacci Albanese, Zenepe Luka. Dëshiroj t’ju përqafoj të gjithëve ju së largu, Bamir Topin, urime nga zemra Zenepe Lukës dhe të gjithë pjesëmarrësve të kësaj shoqate të mrekullueshme, që ka punuar shumë për gjatë 20 viteve, duke u shndërruar në një urë lidhëse mes dy popujve tanë. Unë kam kënduar për Shqipërinë dhe në Shqipëri, kur mendoj për këngën “Saranda Okinava”,aty gjej një pjesë të respektit dhe dashurisë, që kam për vendin tuaj të mrekullueshëm. Me rastin e festës dua t’ju them: Festoni, argëtohuni, ngrini dolli dhe mendoni se me zemër, jam aty, mes jush.
Kujtoni vizitën e parë që keni bërë në Shqipëri në vitin 1985, bashkë me babanë tuaj Don Karmelo, ku takoi familjen që i kishte shpëtuar jetën, kur ishte ushtar në Gjirokastër?
Ka qenë udhëtimi im i parë në Shqipëri, për të cilin dua të falënderoj ambasadorin shqiptar Bashkim Dino, që na pajisi me vizë. E kujtoj me mall të madh, me dashuri të pakufi. Ishte këmbëngulja e babit tim, që ta shihte Shqipërinë përpara se të vdiste. Në atë kohë ishin ligje të tjera, nuk lejoheshin të shkonin grupe në Shqipëri, sikurse ishim ne, duhej të prisje turnin e 25 vetëve, që shkonin njëherë në muaj si turistë, por për mua ishte e pamundur, pasi isha i angazhuar me koncerte. Mirënjohje edhe njëherë për ambasadorin që na akordoi një leje speciale.
Shoqërova tim atë në vendin ku kishte qenë gjatë luftës, por ai më tha: “Unë nuk kam vrarë njeri dhe popullit shqiptar, i dedikoj jetën time”. Ai u shtir si i sëmurë dhe shqiptarët i shpëtuan jetën. Tregonte se e kishin ushqyer me bukë misri dhe me dashuri njerëzore. Im atë nuk ka qenë asnjëherë në radhët e para të luftës, sepse ai ishte njeri paqësor. Gjëja më e bukur që më ka thënë dhe që e përsëriste shpesh me krenari, ishte: “Unë nuk kam vrarë asnjë person, por rrezikoja të më vrisnin gjermanët dhe dikush nga lart më tha, që nuk kishte ardhur akoma ora për të vdekur”.
Ishte një udhëtim i paharruar, që ka lënë gjurmë të thella në qenien time, pasi zbulova shqiptarët, një popull i mrekullueshëm, sikurse e cilësonte im atë. Ky popull e riktheu atë në jetë.
E riktheu në jetë, pse çfarë kishte ndodhur me Don Karmelo?
Babai im në atë kohë, kishte kaluar një infarkt dhe priste të ikte nga kjo jetë, por ardhja e tij në Shqipëri, ishte një mrekulli, që i dha energji të jashtëzakonshme, u mbush me kujtime, me emocione të kohës së luftës, duke vizituar Gjirokastrën, Përmetin, Vlorën, Sarandën. Këto emocione të forta, i përtërinë shëndetin. Është një e vërtetë e madhe, që babai im na ka transmetuar një dashuri të madhe për Shqipërinë dhe unë e shfaq këtë dashuri duke kënduar dhe duke e manifestuar orë e çast dashurinë që kam për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në muajin maj shoqata, do të organizojnë një koncert me ju, si e prisni. Ndërkohë, po ju dorëzoj si dhuratë me rastin e festës disa libra të autores Zenepe Luka “L’amore albanese për Al Bano”. Çfarë do të thonit?
Kur e pashë në fillim këtë libër, në verën e vitit 2012, sapo doli nga botimi, nga titulli mendova se po trajtonte dashurinë e ndonjë gruaje. Me vete thashë: Çfarë ka shkruar kjo mikja ime Luka, unë nuk kam ndonjë histori dashurie në Shqipëri. Në të vërtetë, titulli ishte shumë domethënës dhe duke e lexuar mësova se bëhej fjalë për dashurinë e popullit shqiptar, për mua. Faleminderit!
Sa për koncertin, jam i gatshëm, sikurse kam qenë sa herë më ka ftuar shoqata, madje, mezi pres të vij, për mua ka një rëndësi të veçantë, sepse vij në vendin që e ka emrin Al Bano & Albania.
Unë si gjithmonë do t’ju dhuroj shumë dashuri shqiptarëve. Po e përsëris “L’amore Di Al Bano per L’Albania”. (Dashuria e Al Banos për Shqipërinë). Mirë u takofshim në Tiranë!