Albana Vokshi: PD, grup pune për të penguar zbatimin e reformës në arsim

Mes debatesh të forta, të martën e 21 Korrikut, në një seancë maratonë, Kuvendi i Shqipërisë votoi pa praninë e opozitës projektligjin e arsimit të lartë. Kundërshtimi i deputevë të djathtë degradoi në akuza të ashpra ndaj Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit nga ana e opozitës, e cila më pas vendosi të braktisë votimin. Projektligji për arsimin e lartë u miratua me 78 vota pro, pas më shumë se 9 orë debatesh. Deputetja e Partisë Demokratike,  Albana Vokshi, në një intervistë për TemA Tv, sjell argumentet e opozitës lidhur me kundërshtimin e Projektligjit për Arsimin e Lartë.

Zonja Vokshi, përse nuk duhej të miratohej në parlament projektligji për arsimin e lartë sipas opozitës?

Arsyet jane sa të shumta aq edhe të rëndësishme, por më kryesorja është që ai vë në udhëkryq të rrezikshëm interesat e rinisë, ai i rrëzon ëndrrat e tyre duke i detyruar të marrin rrugën e azilit për një jetë më të mirë. E them këtë pasi ky nuk është një ligj integrues por izolues, i cili i privon qindra e mijëra të rinjve të drejtën kushtetuese për edukim universitar duke e bërë atë një ligj diskriminues e përcmues për 80 përqind të popullsisë e cila jeton nën nivelin mesatar të të ardhurave për frymë që nuk do të kenë mundësi të paguajnë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Por në këtë rast duhet të ndalemi edhe te arsyet ligjore të cilat lidhen me praktiken parlamentare që nisi dhe bitisi kjo odise që unë do e konsideroja si antiligjore dhe antiparlamentare. Mënyra si u hartua ky ligj ishte aspak transparente, mund të thuhet madje dhe tinzare, me një heshtje arrogante, në kulisat dhe prapaskenat e ministrisë së arsimit dhe të qeverisë. Pr.ligji erdhi i imponuar në komisionet parlamentare me diktat nga lart, i shtyrë nga klanet e korrupsionit në arsim. U luajtën shumë skenarë, u bojkotuan nga ana e deputetëve të PS mbledhjet e Komisionit parlamentar që unë drejtoj, kur në axhendë ishte pikërisht ky projektligj për diskutim; u tentua të futej në rendin e ditës së seancës parlamentare në shkelje të plotë të rregullores së parlamentit, u thirr me urgjencë seanca e posacme jashte radhe, u miratuan ndryshime në minutën e fundit për të cilat askush nuk ishte ne dijeni, e gjitha pra, në kundershtim të cdo neni e praktike normale parlamentare.Për të ardhur tek fryma e ligjit në tërësi dhe nen për nen, që në mendimin tim është anti­profesionale, anti­evropiane, anti­morale dhe antikombëtare, që cënon parimin universal të një ligji që është dobishmëria publike. Po rendis shkurt edhe një herë disa arsye pse ne jemi kundër ligjit te qeverisë për arsimin e lartë: – sic e përmenda në hyrje të intervistës, në ligjin e arsimit të lartë të sapomiratuar nga maxhoranca, bie e drejta kushtetuese për mundësi të barabarta për arsimim për të gjithë. Ai deformon qëllimin e universitetit publik, i cili është ai i hapjes se dyerve për arsim ndaj të gjithave shtresave, vecanërisht për të rinjtë që vijnë nga familje të varfëra duke i dhënë përparësi interesave të sektorit privat universitar. – drafti i projektligjit nuk është bazuar në një eksperiencë të mirëfilltë ndërkombëtare dhe më së shumti duket si një mutacion i shëmtuar, i cili shkel parime të rëndësishme të Kartës së Bolonjës… – nga ana llogjike, kjo reformë duhet të startonte pasi të përfundonte ajo e arsimit parauniversitar si dhe pasi të ishte ndërmarrë një studim dhe analizë e thelluar mbi trendet e tregut të punës në Shqipëri. – ligji cënon të drejtën e të rinjve për vazhdimësinë e arsimit pasuniversitar (master dhe kërkimit shkencor në phd) pasi kriteret janë tejet konservatore, tarifat shumë shtrënguese – ligji deformon rëndë ekulibrat mes hierarkisë së administratës së universiteteve dhe cënon autonominë brenda tij. Njëherësh ai centralizon marëdhëniet mes elites dhe institucioneve dhe qeverisë duke i vendosur në marëdhënie vasaliteti. Qeveria kontrollon cdo gjë, në cdo nivel, nëpërmjet bordit të administrimit, administratorëve dhe të agjensive të shumta që po ngre. Qeveria përcakton fondet, kuotat, pagat, fushat, bursat. Sa para do t’i hiqen publikut për t’ja kaluar privatit. E kam theksuar edhe më parë, me anë të këtij ligji AUTONOMIA universitare ka vdekur!!! Dhe miratimi i këtij ligji ishte FUNERALI I saj!! – kërkimi shkencor kthehet në në cikël të mbyllur dhe jo në shans për të rinjtë e talentuar e të aftë, të cilët mund të mos kenë burime financiare për ta paguar – ky ligj nuk ka në qendër të tij STUDENTIN dhe interesat e tij – është ligj i kundërshtuar nga absolutisht të gjitha grupet e interesit. Jo vetëm nga studentët, por edhe pedagogët, dekanët, senatet, akademikët, etj në sektorin publik. I kundërshtuar madje edhe nga vetë bashkëshorti i Ministres së Arsimit, i cili mbart një eksperiencë mbi 20 vjecare në këtë sector. – së fundi, ky ligj është diskriminues për të gjithë ata që kanë marrë gradën “Doktor” dhe janë specializuar në Shqipëri (duke i trajtuar si të dorës së dytë), dhe i jep priotitet për t’u rritur në karrierë vetëm atyre që janë doktoruar në një nga vendet e BE apo OECD. Kjo i vë përfunidmisht, ligjërisht, një vulë të zezë universiteteve shqiptare të cilat në bazë të këtij ligji, nuk vlejnë pasi nuk hapin dyert e karrierës.

Ka kohë që diskutohet për projektligjin e ri të arsimit të lartë. Pse opozita po e kundërshton fort këtë ligj vetëm në këto 4 muajt e fundit?

Qëndrimet e opozitës për draft ligjin e Arsimit të Lartë janë artikuluar në të gjitha formatet publike. Qeveria mbajti të fshehtë draftin e hartuar “pikë për pikë”nga klientët e saj, ndërsa paralelisht në favor të tyre bllokoi për Universitetet Publike edhe kuotat e studimeve të Doktoraturës. KLSH ka kërkuar ndjekje penale për zyrtarët e lartë të MAS dhe institucionet përgjegjëse duhet të zbardhin dhe skenarët e hartimit të këtij ligji.

Zv/ministri i Arsimit, Arbjan Mazniku,vetëm pak orë përpara mbledhjes së seances plenare ku u miratua projektligji për arsimin e lartë, tha se tashmë institucionet e arsimit të lartë do të kenë incentivë të madhe dhe të brendshme për të pasur studentë më të mirë, kërkim shkencor më të mirë si dhe do të hartojnë programe për të afruar studentët me tregun e punës.Si e vlerësoni ju këtë deklaratë?

Në formë dhe në përmbajtje duket si një deklaratë e një ish drejtuesi të Mjaft përpara donatorëve në përpjekje për ti bindur ata në financimin e ndonjë projekti.Kjo mazhorancë dhe kjo qeveri është eksperte në përdorimin e retorikës dhe në krijimin e dështimeve si argumente në mbrojtje të kauzës së tyre. Janë pikërisht këto suksese te hamendësuara dhe të supozuara në ligjërimin mediatik që sjellin ngërçe dhe dështime të forta në zbatimin e tij. Kur ligji mbështetet nga një klientelë e ngushtë interesash në dëm të interesit public, sic është mbyllja e dyerve të universitetit si e mirë publike, dëmet për shoqërinë do të jenë të pariparueshme. Publikja nuk mund të tronditet për të ashtuquajturin rritje cilësore e mësimdhënies që sigurohet nga privati apo aq më keq nga rritja e tarifave në mënyre të ndjeshme për xhepat tashmë të shpuar të shqiptarëve. Asnjë gërmë dhe asnjë nen i këtij ligji nuk siguron studentë më të mirë apo cilësi më të mirë në kërkim shkencor. Përsa i përket studimeve për tregun e punës këto janë deklarata shumë manipulative pasi vetë ligji dëshmon mosnjohjen e thellë të tregut dhe kërkesave të tij. Pra si mund ta kërkojmë ne zbatimin e ligjit, kur në tekstin e tij nuk sanksionohet qartë?!

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës për projektligjin e ri për arsimin e lartë, a mendoni znj. Vokshi se ka ardhur koha që sistemi arsimor shqiptar të reformohet dhe a keni ju, si opozitë, ndonjë platformë tuajën?

E theksova dhe më sipër që opozita e ka përkrahur dhe kërkuar reformën në arsimin e lartë por ne jemi kundër një ligji klientelist, në favor të pushtetit dhe në dëm të së tashmes dhe të së ardhmes të shtetit tonë. PD ka një strategji ambicioze me thelb pavaresinë dhe forcimin e një universiteti me buxhet dhe politika vetadministruese dhe në mbështetje të sektorit publik duke siguruar kështu një të drejtë kushtetuese për arsimim të sa më shumë të rinjve shqiptarë. Kjo strategji ka qenë në thelb të programit politik të PD në zgjedhjet e 2013 por mashtrimet e Rilindjes për arsim dhe shëndetësi falas, për shtim të buxhetit në arsim dhe të degëve të reja mori votat për një fitore të manipuluar sikurse ndodhi dhe me këto zgjedhje.PD ka ngritur një grup pune me ekspertët më të mirë në mbështetje të pedagogëve dhe njerëzve të sektorit të arsimit për të përcaktuar hapat që do ndërmarrim për të penguar zbatimin e kësaj reforme.

SHKARKO APP