“Albanian Tyson”, Nuri Seferi: Objektivi i radhës, titulli Kampion Bote

Albina Gjergji 

I lindur në Gostivar të Maqedonisë, por që prej vitesh jeton dhe zhvillon karrierën në Zvicër, shqiptari Nuri Seferi ka ditur më së miri të korrë suksese në jetë. Sigurisht pa përjashtuar sfidat e forta, të cilat më vonë e shpallën edhe kampion Europe në Boks. Profesionist që prej vitit 1999, nga 43 përballje të forta, ndeshje boksi, Seferi ka arritur të prekë rekordin me 33 fitore (20 KO) e 6 humbje. I cilësuar si “Albanian Tyson”, kampion aktual i Europës dhe numri 3 i botës në kategorinë "Cruiser" në fund të janarit që lamë pas është përballur në Poloni me numrin 1 të botës në Boks, Krzysztof Glowacki. Për këtë eksperiencë, por edhe për rrugëtimin e tij të gjatë në pasionin e “çmendur” të boksit, Nuri Seferi ndalet e na rrëfen veten, fillimet e tij në ring, ndeshjet më të forta, triumfet, padrejtësitë e ndonjë gjyqtari, por sigurisht pa lënë mënjanë edhe objektivin kryesor, titullin Kampion Bote, që është edhe qëllimi final i Seferit në Boks.

I lindur në Gostivar të Maqedonisë, por që prej vitesh jetoni në Zvicër. Sa mall ndjeni për vendlindjen tuaj Nuri?

Paçka se ne jetojmë në një vend të huaj dhe e kemi ndërtuar jetën tonë këtu, malli për vendlindjen nuk shuhet asnjëherë.

Çfarë mbani mend nga toka ku keni lindur, kujtimetmë të bukura që ju lidhin me vendlindjen?

Më mungon mënyra e jetesës dhe ajo qetësia shpirtërore që na falte vendi ynë.

I lidhur shumë me sportet, veçanërisht në fëmijëri me mundjen, pastaj me boksin, si i kujtoni fillimet tuaja në këto dy sporte?

Përsa i përket mundjes ai ka qenë një sport i trashëguar nga gjyshi im, por që unë e kam bërë më shumë për hobi, sesa për dëshirën që të vazhdoja më tej, sepse ajo që unë kam dashur të bëj gjithmonë është sporti i boksit, gjë që e arrita me sukses falë punës dhe vullnetit tim.

Ndeshjen e parë në ring e mbani mend? Ku dhe me kë?

Ndeshja ime e parë ka qenë në boksin amator me një francez në vitin 1997.

Ama si amator, në vitin 1998 fitoni trofen e titullit kampion Zvicre në peshat e rënda, për të kaluar më pas tek boksi profesionist. Si ka ardhur ky zhvillim në jetën tuaj?

Kjo gjë ka ndodhur shumë natyrshëm, sepse unë nuk e kisha menduar që profesioni im do të ishte boksi profesionist edhe pse dëshira ishte shumë madhe, duke pasur parasysh që jetoja në një vend të huaj dhe nuk e dija sa mbështetje do të kisha, por fatmirësisht gjithçka mori rrugën e duhur.

Profesionist që prej vitit 1999, nga 43 përballje të forta, ndeshje boksi, ju keni arritur të prekni rekordin me 33 fitore (20 KO) e 6 humbje. Çfarë domethënie kanë për ju trofetë dhe ky rekord?

Sigurisht që sadisfaksioni është shumë i madh, sepse të gjitha fitoret e mia janë produkt i një pune disa vjeçare dhe shumë të lodhshme.

8 ndeshjet e para i keni fituar para kohës së përcaktuar nga arbitri dhe gjithsej nuk u janë dashur më shumë se 16 raunde për t’i fituar, por fitorja më e rëndësishme duket se mbetet ajo kundër ish “WBO-Intercontinental”, kampionit nga Bjellorusia, Muslim Biarslanov. Si e kujtoni këtë fitore?

Ishte kjo sfidë që më motivoi dhe në një farë mënyre ndryshoi rrjedhën e historisë, sepse që nga ai moment unë kam boksuar vetëm me boksierë të afirmuar.

Më pas numëroni fitore të tjera, si ajo kundër Mario Stein, Bruce Özbek, apo Andrej Witkowski. Ku ndryshon një fitore nga tjetra Nuri, çfarë i veçon për nga ndjesitë?

Në thelb nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh për nga ana emocionale, sepse ndryshimin e bën vetëm fitorja, por më pas, nëse do të merrnim anën teknike çdo boksier ka statusin e tij, gjë që bën edhe ndryshimin.

Karriera juaj njeh ndonjë vendim jo korrekt të gjyqtarëve, kam ndërmend këtu ndeshjet tuaja në ringun evropian dhe atë botëror?

Nëse do të merrnin vendime jo korrekte mund t’ju përmend këtu vetëm njërin, por që ka dhe shumë të tjerë. Në rastin konkret ka qenë në vitin 2006 me rusin, Nikoly Popov.

Në 2010 fitoni titullin e WBO të Europës në një duel të vështirë kundër çekut, Sandro Siproshvili, më pas mbrojtët titullin europian në përballjen me Douglas Otieno dhe në 2011 ndaj belgut Tony Ingelrest u shpallët po kampion europe me KnockOut në raundin3. Na e përshkruani pak duelin më të vështirë mes këtyre emrave?

Ndeshja më e vështirë ka qenë ajo me Sandro Siprosvilin, sepse kemi pasur një përgatitje reciproke 6 muaj dhe u zhvilluan 12 raunde me shumë agresivitet, prandaj ishte edhe më e vështira.

Dueli më i veçantë?

Të jem i sinqertë ndeshja e fundit ka qenë ndeshja që unë kam ndjerë më shumë përgjegjësi dhe emocion e me sa duket ky ka qenë edhe një motiv më shumë që unë të bllokohesha, përveç faktit që ate natë kam pasur temperature edhe mjeku ma kishte ndaluar që të boksoja.

 Kampion aktual i Europës dhe numri 3 i botës në kategorinë "Cruiser", në fund të janarit jeni përballur me numrin 1 të botës, Krzysztof Glowacki në vendin e tij në Poloni. Sa sfidë kishte brenda këtij dueli, duke qenë se edhe Glowacki është një emër i fortë i boksit në botë?

Mund të them që 12 raunde ishin sfidë.

Përpara kësaj ndeshjeje jeni shprehur: “Do sakrifikoj çdo gjë për këtë fitore. Dua ta ngre flamurin Kuq e Zi në Poloni, dua ta bëj kombin tim krenar, do të luftoj deri në pikën e fundit për fitore”. Në fakt populli shqiptar është shumë krenar për ju. Po ju, më krenar jeni për të shkuarën e lavdishme të popullit shqiptar, apo edhe për atë që shqiptarët janë sot?

Unë jam krenar për shqiptarët sot dhe ato që kanë qenë…

Si kampion Europe në boks e jo vetëm, jeni parë ta ndani këtë sukses me krenari me të gjithë shqiptarët. Pse?   

Sepse janë ata që më motivojnë për të fituar.

Pas çdo suksesi në ring ngrini lart dhe festoni me flamurin kuq e zi. Nëse një ditë do t’ju afronin 1 milion euro a do ta ndërronit këtë flamur? 

Hahhaahhah jo… 

Në Gostivar, qytetin tuaj të lindjes, çfarë ndjesie ka të jesh shqiptar dhe njëkohësisht kampion Europe?   

Për mua është diçka më se normale. Fakti që jam kampion nuk ndryshon asgjë në karakterin tim.

Sakrificat më të mëdha që keni bërë në emër të profesionit dhe pasionit, boksit?

Nuk kam sakrifikuar asgjë, sepse gjithçka e kam bërë me pasion dhe dëshirë.

Cilat janë objektivat tuaja në të ardhmen?

Do bëj të pamundurën që të arrij atë, për të cilën kam luftuar deri më sot, domethënë kampion bote.

Keni ndonjë idhull?

Ndoshta po të ma bënit këtë pyetje para 10 viteve do ju përgjigjesha, por sot që kam arritur në këtë stad vetë mund të them që s’kam më idhuj.

Kombëtarja kuqezi e futbollit konsiderohet simbol i bashkimit të shqiptarëve dhe mbledh në çdo ndeshje tifozë të shumtë edhe nga trojet shqipfolëse të Maqedonisë. A jeni ndopak xheloz që boksi nuk ka popullaritetin e futbollit në trojet shqipfolëse?

Xheloz më duket fjalë e ekzagjeruar, sepse unë jo vetëm që nuk jam xheloz, por jam krenar për kombëtaren shqiptare dhe kanë gjithmonë mbështetjen time.

Cili mendoni se është kryeqyteti më i bukur Tirana, Prishtina, apo Shkupi?

Unë mendoj që secili nga këto kryeqytete ka një histori, e cila të tërheq, prandaj nuk dua të veçoj asnjërin. Për mua janë të tre të rëndësishëm.

E vizitoni shpesh Shqipërinë Nuri?

Po Shqipërinë e vizitoj shumë shpesh, duke qenë se edhe bashkëshortja ime është nga Tirana. Ne shkojmë shpesh, sepse kemi dhe shtëpinë tonë aty.

Koha e lirë, ju mbetet ndopak në dispozicion pas kaq shumë angazhimesh që keni dhe si e shfrytëzoni atë?

Kohën e lirë e shfrytëzoj me familjen time.

Si nis një ditë e zakonshme e një kampioni Europe dhe në ç’orë mbaron?

Ajo që nuk mungon asnjëherë gjatë ditëve mia është stërvitja në mëngjes dhe në darkë, pjesën tjetër e kaloj me familjen time.

SHKARKO APP