Albert Çaçi: Fitorja ime në Fier do jetë historike

 

Albert Çaçi kandidat i PSD ne Bashkine e Fierit eshte nje kandidat potencial dhe duket sfidues ndaj kandidateve te PS dhe PD. Ne nje interviste ekskluzive per "Koha Jone" ai shprehet se do te jete fitues dhe per here te pare Fieri do te thyeje mitin e dy partive te medha dhe e do te jap fitoren e njeriut te punes e jo te atij qe vjen per dhe pas bizneseve.

Pse vendoset të kandidoni në Fier; si detyrim ndaj qytetarëve të majtë,si inat kundrejt Edi Rames apo si mik i Dritan Priftit që po të mbështet fuqishem?

Gjatë këtyre dy viteve që nuk kam qenë deputet, kam qenë vazhdimisht në kontakt me socialistë të thjeshtë, me intelektualë, me miq nga fshatrat, me njërëz të shoqerisë civile dhe kam arritur në konkluzionin se mbi 50% e elektoratit nuk beson me tek dy partitë e mëdha dhe për mendimin tim nuk ndihen më të përfaqësuar. Pikërisht këtë pjesë të elektoratit kërkoj të përfaqësojë në zgjedhjet për kryetar bashkie në Fier. Ndjej një lloj nervozizmi nga drejtues të PS duke dashur të më etiketojnë se po i shërbej të djathtes dhe po rrezikoj pushtetin e së majtës në Fier. PS dhe aleatët e saj në Fier në zgjedhjet e fundit morën rreth 75% të votave, pra në 3 fierakë 2 votua për ta. Nëse PS do të kishte mbajtur premtimet, do ti kishte qendruar afër njërëzve e do të kishte vlerësuar kontributet e tyre atëhere shumë lehtë mund të rikonfirmonte votat. Kështu nëse PS ka problem për rikonfirmimin e vota duhet ta gjej arësyen tek sjellja e saj e jo tek unë.  Megjithatë e djathta nuk ka shans fitoreje në Fier. Bashkia do të fitohet vetëm nga unë, Albert Çaçi ose kandidati i vertetë i socialistëve. Mbajeni mend! Votuesit kanë dy alternativa:  Armando Subashin – të sponsorizuar nga interesa të caktuar biznesi brenda PS.  Kandidati tjetër jam unë, Albert Çaçi, 3 herë deputet i PS, e që kam kontribute të jashtëzakonshme në zhvillimin e Fierit në dekaden e fundit, dhe përfaqësoj në këtë garë njërëzit e thjeshtë, militantët socialistë që duan të majtën, t’iu shërbej atyre dhe jo t’i mashtroj ata. Kam punuar me mish e shpirt për Fierin, pa asnjë interes personal.  Fitorja ime do jetë historike, sepse do tregoj që më në fund populli vendos me votë, dhe ka marr fatet në duar e veta.  

Pse mendoni se jeni ndryshe nga kandidati zyrtar i PS-së? Çfarë keni ju me tepër se ai?

Pikëspari kam qenë deputeti më i votuar për 3 legjislatura rresht nga PS. Së dyti kam mbuluar disa detyra shteterore si drejtor drejtorie në ministri, zv/minister i puneve publike dhe mendoj se kjo eksperiencë mund të sherbej për të kryer mirë detyrën e kryetarit të bashkisë së 3-të më të madhe në vend. Së treti mendoj se kundershtarët e mi nuk e kanë këtë ekperiencë. Dhe së katerti  kundershtarët e mi përfaqësojnë parti që nuk i kanë mbajtur premtimet, pra edhe kjo mbetet një avantazh për mua.  Një fakt i rëndësishëm është që unë jam fierak, me origjinë, lindur dhe rritur këtu. Kandidatët e tjerë vijnë në Fier, si të ardhur, dhe nuk përfaqësojnë në thelb votuesin fierak. Kanë ardhur për të marrë mandatin, sipas tyre, dhe për të qëndruar në Tiranë! Pra ato duan ta përdorin Fierin për interesa private e të një grupi biznesi. Nuk e kanë hallin tek fierakët.

Nëse fitoni çfarë mund të zgjidhni si kryetar bashkie me Edi Ramen kundër?

Unë hyj në këtë garë jo për inat të dikujt, as për qejfmbetje, por duke testuar elektoratin. Kam besim të plotë tek fitorja, pasi njërëzit sot kërkojnë ndryshim, jashtë skemave të dy partive të mëdha. Sot ndarja e njërëzve në të majtë e në të djathtë e ka humbur kuptimin. Sot njërëzit ndahen në njërëz që punojnë dhe jo, në njërëz që kanë ikur në eksod, në njërëz të përgatitur për të ikur në eksod, në njërëz që kanë rënë në fatalitete dhe një pjese që gezon të mirat e pushtetit, që kanë shumë euro e vijnë e kandidojnë këtu për ti shumëfishuar. Pikërisht nga kjo gjendje e rënduar sociale, nga kjo mungesë e theksuar shprese, mendoj se zgjedhësit do të kërkojnë një drejtim të ri që nuk ka të bëjë me dy partite e mëdha. Përsa i përket një drejtimi me kryeministrin kundër, bashkia e Fierit është bashkia e tretë më e madhe në Republikë, dhe nuk mendoj se fondet do të përfitohen nga marrëdhëniet personale me kryeministrin. Së pari fondet për bashkite llogariten sipas një formule që merr parasysh numrin e popullsisë së bashkive, dhe së dyti pesha e investimeve që jep qeveria për një bashki është reduktuar ndjeshem dhe zhvillimi i nji bashkie do të varet shumë nga zhvillimi i biznesit privat dhe thithja e investimeve të huaja që janë edhe prioritetet e punes së kryetarit të bashkisë sot. Dhe nuk kryeministër që guxon t’i prekë!

Votat keni siguri se nuk ua përlajnë militantët e PS+LSI?

Për këtë mazhorancë janë zgjedhjet e para që po organizon dhe nuk mendoj se që në testin e parë të dështojnë, duke shkelur ligjin. Megjithatë në sajë të eksperinces që kam pasi kam drejtuar 6 fushata të PS në Fier do të marr të gjitha masat për të ruajtur votat që do më japin. Pastaj, nëse këta kanë vendosur me çdo kusht të rrembejnë fitoren kundër vullnetit të popullit zgjedhjet do t’u mbeten në dorë me pasoja të paparashikueshme politike.  Jam kontaktuar nga shumë përfaqësues të OSBE dhe të ambasadave të ndryshme të cilët kanë shprehur interes për kandidaturen time, dhe me garantojnë se do sjellin vezhgues të huaj për çdo qender votimi.  Deri më sot Shqiperia s'ka bërë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, kështu që ky shqetesim ekziston.

Cila është pika e dobet e dy kandidatëve kundërshtarë tuaj në Fier?

Fakti që përfaqësojnë dy partitë e mëdha dhe fakti që shumica e zgjedhësve nuk besojnë më në to, kthëhet automatikisht në një problem për ta. Akoma kandidatët nuk kanë shpalosur programet e tyre, por premtimet e tyre spektakolare janë tashmë përballë një realitetit të hidhur që kanë zhgënjyer shumë njërëz. Po e ilustroj me një shembull. Një nga kandidatët ka thënë se do të privatizojmë Albpetrolin, bashkia do të marrë magazinat dhe do t’i shnderrojë në fasoneri duke sjellë sipas tyre punësim dhe lumturi në Fier! Së pari kjo mazhorancë i mori votat duke i thënë naftëtarëve dhe qytetarëve të Fierit se në kundërshtim me qeverinë e PD-së nuk do ta privatizonte Albpetrolin dhe tani tenton të kunderten. Së dyti privatizimi i Albpetrolit sot në kushtet kur çmimi i naftës është 50-60 dollarë për barilë, është i gabuar pasi ai do të shitej për një copë bukë. Nëse çmimi i naftes nuk do t’i kalojë 100 dollarë për barilë, kjo pasuri kombetare që ka mbetur do të ndjeki fatin e shumë privatizimeve ineficente të tjera në këtë vend. Sot Albpetroli prodhon rreth 120 ton naftë në ditë dhe mban rreth 2100 punonjës, ndërkohë që kompania private Bankers, me puse me shumë produktive prodhon rreth 3000 ton naftë në ditë dhe mban rreth 400-500 punonjës. Pra në rastin më të mirë ky Albpetrol i privatizuar i kalbur teknologjikisht dhe teknikisht, dhe i rrenuar financiarisht, do të nxirrte në rrugë rreth 1500 punonjes që do të ishte një barrë e jashtëzakonshme për gjendjen e rënduar ekonomike të zones. Pastaj kalimi i punonjesve me rroga nga 500-600 mijë në muaj, në paga fasonerie 100-150 mijë në muaj, do të ishte një rënie shumë e madhe e nivelit të jetesës për shumë familje, por edhe rënie e fuqise blerëse në zonë. Ilustrova vetem një shembull për të treguar se si mosmbajtja e premtimeve kthehet në një dëshirë për të mos votuar me ata që gënjejnë. 

Pse mendoni se zoti Subashi erdhi të kandidojë në Fier kur ishte deputet i PS-së?

Fakti që parlamenti është kthyer si një vend pelegrinazhi ku deri tani kanë hyre e kanë dalë rreth 30 deputetë, dhe ku roli i deputetit në vendimmarrje të ndryshme është reduktuar pothuajse në zero ka bërë që shumë deputetë kanë tentuar të zhgenjyer t’i largohen asaj përgjegjesie. Sipas mendimit tim kandidatura më e mirë që kishte përkrahjen e PS dhe elektoratit, e konfirmuar edhe nga sondazhet që partia më e madhe në vend ka bërë vetë ishte ajo e Ervin Koçit. Por si duket kandidati i tyre aktual kishte mbështetjen më të madhe në kupolen e PS, tek interesat e biznesit që rrethojnë Ramen.  Ata shmangen disa kandidatë të tjerë më të mirë se Subashi vetem që në Fier të kenë njeriun e bindur në krye të Bashkisë.  I bënë kurth Baftjar Zeqos duke sajuar akuza korrupsioni në mënyrë që ai mos të rikandidonte.  Ashtu siç shmangen Ervin Kocin, Arjon Mucaj, e kandidatë të tjerë. 

A mendoni se akoma Fieri mbetet bastion i verber i së majtës apo ka ndryshuar?

Unë mendoj se termi bastion në kuptimin e tij klasik nuk ekziston më, aq me tepër kur këto janë zgjedhje mazhoritare dhe votohet për individin. Vjen një ditë kur ti nuk mban premtimet e atyre njërëzve që të sollën në pushtet dhe në mënyrë të pashmangshme vjen ndëshkimi me votë. Kështu përshembull ndodhi në Kavajë që nga një super bastion i PD fitoi kandidati i PS. Pra bastione të përjetshme nuk ka. Ka premtime dhe mosmbajtje premtimesh. Në fund të fundit njërëzit bëjnë një arsyetim me të thjeshtë. Pas dy vjetesh qeverisje të kësaj mazhorance janë më mirë apo më keq, dhe mbi këtë bazë votojnë, duke humbur kështu kuptimin e termave i djathte dhe i majtë. Fieri nuk është me bastion i askujt.  Fitorja ime në këto zgjedhje do të jetë shembull historik i humbjes së bastioneve, kur nuk respekton elektoratin dhe votuesit.

Keni kandiduar me PSD e Gjinushit. Pse? Apo jeni pjesë e një plani të madh siç përflitet se Dritan Prifti, Tom Doshi e shumë të tjerë do të përfshiheni në PSD për të qenë parti e tretë, para LSI?

 

Deshira ime e madhe për të kandiduar për kryetarin e bashkisë Fier, realizohej teknikisht vetem me përkrahjen e PSD, dhe unë këtu dua të gjej rastin për të falenderuar Profesor Doktor Skender Gjinushi për mbështetjen që më dha. Përsa i përket krijimit të një partie të re, unë mendoj se në Shqiperi me këtë zhgenjim të madh nga dy partitë kryesore e ka bërë të nevojshme krijimin e një partie të re ashtu siç ndodhi në Greqi, Angli, Spanjë apo Itali. Sipas mendimit tim partitë nuk krijohen për inate individesh apo qejfmbetje, por si një nevojë e elektoratit për ndryshim, dhe nga kjo pikëpamje mendoj se një parti e re mund të jetë shprehje dhe deshirë e shumë njërëzve të zhgenjyer nga politika aktuale. Përsa më përket mua pozicionimi im do të varet nga rezultati dhe vlerësimi që do të më bëjë elektorati fierak në këto zgjedhje.  Me këtë rast dua ti bëj një thirrje elektoratit të majtë në gjithë Shqipërinë të votojnë për PSD dhe Skender Gjinushin, për t’i dhënë një mesazh Rames e Metes se nuk janë dakord me qeverisjen e tyre, se mbeten të majtë, por nuk janë dakord me mashtrimet e qeverisë socialiste.  Habitem se sa shumë është konsumuar qeverisja e PS për vetem 2 vjet.  Populli ka zhgenjim të madh. Janë gati të votojnë edhe PD.  Eshtë fat që në Fier ka një kandidat PSD, sepse mund të ndodhin çudira.  Unë në popull nuk ndjej thjesht pakënaqësi. Pakënaqësia është kthyer në urrejtje, ashtu siç ishte dikur kundër Saliut.  Varferia është ulur këmbëkryq me qytetarin dhe fshatarin fierak, dhe në këto kushte populli ja hedh fajin qeverisë.  

 

SHKARKO APP