Albi Nako: Klaudia është fenomen, dua të besoj në gjykimin e “Amici-t”
(Nga Albina Gjergji)
“Signorina Wow”, kështu është cilësuar në Itali Klaudia Pepa. Pa diskutim, tashmë mund të thuhet që ajo po shkruan një tjetër kapitull talentesh përtej kufirit tonë. E transferuar në Romë prej disa muajsh, Pepa merr pjesë dhe është favorite e çmimit të parë në spektaklin më të madh me karakter garues, “Amici”. Tregues për këtë janë vlerësimet e shumta, të bëra nga anëtarët e jurisë, numri i madh i ndjekësve online, shumica italianë, si dhe komplimentet e jashtëzakonshme që merr çdo javë nga të ftuarit specialë, emra të mëdhenj botërorë të artit! Emocione, ankth, sfidë… të gjitha këto i ka përballuar me sukses deri më tani, por përballje të tjera e presin në javët në vazhdim, ku rrethi sa vjen e ngushtohet mes konkurrentëve. “Ajo është fenomen”, shprehet për gazetën “Koha Jonë” bashkëshorti i saj, njëherësh edhe koreografi personal prej vitesh, por deri tani ecurinë e saj e shikon pjesërisht pozitive. Se, pse e shikon jo plotësisht pozitive, Albi Nako e sqaron në poshtë në gazetën “Koha Jonë”. I vendosur në Itali për të ndjekur ëndrrën e bashkëshortes, ai rrëfen ecurinë e saj në këtë talent-show, vlerësimet e jurisë dhe ethet e finales, e cila është shumë pranë.
Prej disa javësh mediat italiane nuk shkruajnë vetëm për Klaudian, e cila është favorite në garën “Amici”, por edhe për ju si mbështetësi kryesor i saj. Si e shihni ecurinë e balerinës dhe bashkëshortes suaj në këtë garë talentesh në Itali?
Të jem i sinqertë ecurinë e Klaudias deri tani e shoh pozitivisht pjesërisht, për faktin se në ndryshim nga pjesa e shkollës që transmetohej të shtunave në drekë ajo nuk është më si më parë, e thënë kjo me thjeshtë është se në serale po shohim numra koreografikë me përmasa të mëdha dhe me mesazhe shumë domethënëse. Ato janë shumë panoramike në aparencë, por pak të zbehura në brendi. Klaudian ata që e njohin e dinë që jep shumë e më shumë dhe që ajo në Shqipëri është prezantuar më mirë se me pjesët që po bën tani në serale. Gara është shumë e fortë dhe vetëm pak javë kanë ngelur deri në finale, ku ajo duhet të japë maksimumin e saj dhe që të shpërthejë, por nuk është në dorën e saj. Shpresoj që e gjitha kjo të jetë një strategji e tyre dhe nëse jo do ndjehesha shumë i dëshpëruar për sfumimin e vlerave që ajo ka. Ajo është një potencial që aty në atë garë asnjë nuk do e përballonte dot dhe këtë gjë nuk e them si partner i saj, por si profesori i saj prej shumë vitesh. Të shohim ç’do të ndodhë në vazhdim…
Ju e keni ndjekur edhe live garën e saj në “Amici”, ç’ndjesi provon teksa dëgjon të flitet për talentin e saj?
Është e vërtetë që e kam ndjekur në çdo puntatë dhe kur dëgjoj të flitet aq mirë për të, me aq superlativa unë me vete mendoj e them, “si mund të komplimentosh një luan për ndeshjet që bën, kur atë e mban të mbyllur në kafaz dhe e ushqen me mandarina”?! Gjithsesi çdo kompliment në adresë të saj është dhe një kompliment që shkon automatikisht dhe në adresën time. Ndjehem njeriu më i lumtur.
Si erdhi pjesëmarrja e saj në “Amici”? Ka qenë një dëshirë e hershme e Klaudias, apo ndonjë shtysë e Kledi Kadiut?
Dëshira e saj është komplet një rastësi. Një ditë unë isha në zyrën e produksionit të “X Factor” dhe Klaudia në sallën e baletit të Tv Klan. Ajo më merr në tel e më thotë, “e di çfarë ka ndodhur”? -Çfarë – i them unë? “Më shkruajti Kledi në Facebook dhe më pyeti nëse dëshiroj të konkurroj në “Amici”. Unë ngela i shtangur për momentin e nxitova shpejt drejt saj. Kledi kishte parë interpretimet e saj në Instagram dhe i ishte dukur më se e arsyeshme që një talent i tillë duhej të ishte pjesë e shkollës së “Amici-t” edhe për vetë faktin që emri i një shqiptari ka kohë që nuk dëgjohet më në atë program. Ne i morëm të gjitha parasysh dhe ramë dakord.
Raporti që keni me Kledin?
Raporti ynë me Kledin është një raport korrekt.
Druheni se mos italianët mendojnë ndonjë favorizim nga ana e Kledit, duke qenë shqiptar dhe pse jo simpatizant i talentit të Klaudias?
Unë nuk druhem aspak nga ajo çka mendojnë italianët. Jo pak herë jam ndeshur me sulme ofensive në faqen e “Amici-t” në Facebook, ku thuhej që ajo është e rekomanduar. Ata nuk ia kanë idenë e rekomandimit aspak dhe gjithmonë kur shprehen kështu ndeshen po njësoj me përgjigje të palës tjetër, duke i thënë, “po pjesa që ajo është ‘brava’ nuk quhet”? Aty të gjithë janë të rekomanduar pa qenë e nevojshme të përmend emra.
Një ndër komentet vlerësuese e më domethënëse për ju që i është bërë Klaudias gjatë transmetimit live?
Komentet dhe vlerësimet qe i janë bërë Klaudias nuk i janë bërë asnjërit prej konkurrentëve dhe ky është fakt. E para ishte nga profesor Garrison “signorina Waw”, e thënë disa herë nga ai. E dyta nga Pro Veronica Peparini, “sei un animale dal palcoscenico”. Elisa, “ti je një bombë dhe çdo femër e 2015-ës duhet të kërcejë kështu si ty”. Në fakt janë më se të merituara.
Performanca e fundit e Klaudias duket se ka mahnitur edhe të ftuarin special në “Amici”, aktorin amerikan, Oëen Ëilson. Ju keni patur fatin edhe ta përjetoni drejtpërdrejtë reagimin e tij. Na flisni pak më gjatë për emocionet që morët?
Është e vërtetë që emocionet në ato momente ishin të jashtëzakonshme dhe në çdo debutim e lëvizje të Klaudias unë vështroja edhe aktorin amerikan, Owen Wilson dhe kur ai bëri reagimin “Waw” pas debutimit të Klaudias më vinte ta përqafoja, por në fund ai ia dha pikën Bluve dhe unë aty si shqiptar që jam… “i komplimentova motrën” (qesh)!
Nëse Klaudia shpallet fituese do të transferohet në Itali për të zhvilluar karrierën e saj? Po e ardhmja juaj profesionale?
Nëse e ardhmja e Klaudias është jashtë Shqipërisë, atëherë unë do ngelem si një rimorkio e saj, por e mbushur plot me produkte të lëndës së parë që asaj do i nevojiten aq shumë. Në të kundërt… shihemi në gjyq (qesh)!
Nëse do të fitojë Klaudia, që ne ia urojmë dhe besojmë në talentin e saj, cilat janë planet e përbashkëta konkrete?
Klaudia shpresojmë të fitojë, nëse gara do të jetë e drejtë dhe besoj që ashtu do jetë. Planet nuk i kemi bërë akoma për sa kohë “peshku është akoma në det”.
Konkurrentet e Klaudias sa të fortë i shikoni në garë? Sipas jush pse duhet të fitojë Klaudia?
Konkurentët janë të fortë, por ndryshimi i tyre me Klaudian është se tek ajo është bërë një punë “arkitekturore” trajnuese prej vitesh dhe ajo tashmë është një gradaçelë në krahasim me kioskat që ka për rivalë. Ma merni për mungesë modestie, ose jo, por ajo është fenomen dhe për këtë arsye ajo duhet të fitojë, në të kundërt turpi le t’u ngelet atyre që e meritojnë. Me shpresën dhe besimin e plotë që ajo po shkon drejt finales, aty hyn në lojë televotimi, domethënë, që njerëzit kanë të drejtë të votojnë dhe nga Shqipëria e kudoqofshin. Kam besim tek sensibilizimi i shoqërisë sonë në momente të tilla, kur vjen puna për një bashkëkombase, që garon e na përfaqëson me dinjitet në një spektakël kaq të ndjekur.
Albi, prej disa vitesh ju jeni koreograf në tv Klan, konkretisht në garën muzikore, “X Factor Albania”. Sa e lodhshme është tani pa Klaudian dhe ç’vlerësim u jepni krijimeve tuaja në këtë skenë?
Pa Klaudian ishte e lodhshme në fillim, sepse e kisha krah të djathtë, por si të thuash çdo gjë rikuperohet dhe ia mora dorën prapë, sepse në fillim isha pa Klaudian, u bëra me Klaudian e tani jam prapë pa Klaudian. Krijimeve të mia, sigurisht që ju vë notën dhjetë, madje më shumë se dhjetë, ose më mirë i vë notën nëntë. Një le t’ia vendosë publiku.