Albulena Haxhiu: Klasa politike shqiptare, nuk i ka mbrojtur interesat e kombit!
Intervistoi: Aranit Muraçi
Albulena Haxhiu është deputete e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në Kuvendin e Kosovës. Ajo kryeson po ashtu edhe Komisionin për Legjislacion dhe si një ndër politikanet e reja, zërin e ngre për çështje kombëtare, për çështje që nuk kanë lidhje me politikën e ditës apo qoftë edhe pushtetin, për të cilin bën dallimin me shumë politikanë të tjerë shqiptarë këtej e andej kufirit që janë gjithnjë gati të sakrifikojnë gjithçka për të. Albulena Haxhiu mbi protestat e fundit të opozitës thotë se "nuk mund të ketë kompromise me territorin, sovranitetin, drejtësinë e barazinë," – prandaj edhe shton se gazi lotsjellës në Kuvendin e Kosovës mund të mos duket mirë në sytë e publikut, por është i domosdoshëm. Sa i përket shtrirjes së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, në një të ardhme edhe në Shqipëri, deputetja nuk e përjashton si mundësi por thotë se rrethanat do të përcaktojnë një gjë të tillë dhe asgjë nuk do të mbahet "sekret" nga forca politike që ajo përfaqëson. Në një intervistë për "Koha Jonë", Albulena Haxhiu flet për mënyrën sesi qeveriset Kosova ashtu edhe Shqipëria, duke cituar se: "shqiptarët, një shekull e gjysmë pas zgjimit kombëtar, i kanë ende punët shumë më keq nga fqinjët e nga popujt e tjerë evropianë," – e duke fajësuar kështu klasën politike, e cila rezulton se nuk ka punuar për interesat e kombit:
Si deputete e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, sa e vështirë është të jesh opozitare sidomos për një femër deputete?
Kjo është legjislatura e pestë e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, në këtë legjislaturë është subjekti më i madh opozitar. Së pari, më duhet të them se sot në krye të institucioneve të vendit janë njerëz që kanë humbur arsyen, kredibilitetin dhe njerëz të shantazhuar e korruptuar dhe përballë kësaj situate bërja e opozitarizmit është sfidë e madhe por besojë se mjafton të kesh parime, vullnet, guxim dhe dije për t'i realizuar qëllimet. Po ashtu, duke marrë parasysh situatën politike, ekonomike dhe sociale nëpër të cilën po kalojmë, të qenurit deputete dhe sidomos subjekti i parë opozitarë është përgjegjësi e madhe. Për fatin tonë të mirë, Kosova për herë të parë, që nga paslufta, ka një opozitë të fuqishme dhe të bashkuar dhe kjo është për t'u vlerësuar. Bërja e opozitarizmit nuk ka të bëjë me gjininë por me mendësinë politike dhe konceptin që përfaqëson.
Ka qenë e trazuar muajt e fundit situata politike në Kosovë. Shpesh kemi parë gaz lotsjellës apo edhe vezë të hidhen në sallën e Kuvendit. Në vend të dialogut, përse janë marrë këto akte disi radikale nga opozita?
Që nga 25 gushti situata në Kosovë nuk është më normale, pra është e jashtëzakonshme. Që nga 25 gushti si subjekt politik por edhe si opozitë e bashkuar kemi nisur kundërshtinë tonë për marrëveshjen për "Zajednicën" e cila e bosnjëzon Kosovën dhe marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, e cila ia falë afër 10 mijë hektarë Malit të Zi. Kundërshtimin tonë e kemi nisur me tribuna në qytetet e mëdha të Kosovës, me tubime në secilën lagje e fshat, me aksione simbolike në rrugë. Po ashtu kemi organizuar edhe peticionin kundër këtyre marrëveshjeve, i cili është peticioni më i madh prej pasluftës. Për një kohë jo të gjatë kemi arritur të mbledhim më shumë se 200 mijë nënshkrime të qytetarëve. Aksionet tona në Kuvend kanë qenë të domosdoshme, sepse jemi jashtëzakonisht shumë të shqetësuar me situatën politike në vend. Jemi jashtëzakonisht shumë të shqetësuar, sepse Qeveria po e ndan Kosovën dhe po e falë territorin e saj. Për dy muaj radhazi kryeministri Mustafa ka injoruar kërkesat e opozitës dhe të qytetarëve (që i quante të padijshëm). Po ashtu kjo qeveri ka rrëzuar poshtë kërkesën për mbajtjen e referendumit për këto marrëveshje aq të dëmshme. Nuk mund të lejojmë normalitet të Kuvendit për sa kohë po na rrezikohet Republika e territori. Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvend ka qenë një veprim politik për të shpërndarë Kuvendin dhe njëkohësisht ka qenë mbrojtje e Kuvendit nga abuzimet që po tenton t' ia bëjë qeveria Mustafa. Gazi lotsjellës edhe mund të mos duket mirë, por ama është i domosdoshëm karshi rrethanave të krijuara në vend dhe i njëjti nuk ka pasur cak ndonjë institucion të shtetit por ka pasur për qëllim zhbërjen e vendimeve të gabueshme të Qeverisë. Nuk mund të ketë kompromise me territorin, sovranitetin, drejtësinë e barazinë.
Përse nuk gjendet gjuha përbashkët mes politikës së Prishtinës për prosperitetin që i duhet vendit, pasi duket se shpeshherë ndjek atë të Tiranës dhe po ashte ngjason me një sindromë alla-shqiptare?
Në fakt sa i përket rrethanave, ka një dallueshmëri të madhe ndërmjet situatës politike në Shqipëri dhe Kosovë. Shqipëria dhe Kosova janë të ngjashme sa i përket problemeve ekonomike dhe sociale, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duhet pasur parasysh se qeveria e Mustafës aktuale nuk është formuar për zhvillim ekonomik, për mirëqenie, luftim të krimit të organizuar e korrupsionit, për arsim e shëndetësi më të mirë. Dihet botërisht që e njëjta është formuar për të çuar përpara Gjykatën Speciale e cila njollos luftën dhe përpjekjen çlirimtare dhe e ndan në dysh sistemin e drejtësisë e po ashtu për të çuar përpara bosnjëzimin e Kosovës dhe për t'i falë territore Malit të Zi. Gjuha e përbashkët nuk mund të gjendet me njerëz të cilët interesat e tyre personale i vënë para atyre shtetërore. Nuk mund të ketë gjuhë të përbashkët me ata të cilët për të shpëtuar vetën nga dosjet e korrupsionit, nënshkruan marrëveshjet e dëmshme dhe nuk mund të ketë gjuhë të përbashkët me një qeveri që në vazhdimësi po injoron Kuvendin dhe qytetarët e Republikës. Kryeministri Mustafa, para se të shkonte në Bruksel është dashur të vinte në Kuvend dhe bashkërisht të bënim një rikapitullim apo rivlerësim të këtij procesi negociator (që po e degradon Kosovën). Për çështje aq të mëdha asnjë vend demokratik nuk përjashton opozitën. Deputetët e Kuvendit nuk janë thjesht spektatorë janë përfaqësues të popullit dhe Kosova është Republikë parlamentare. Gjuhë të përbashkët mund të gjejmë vetëm atëherë kur Kryeministri Mustafa tërhiqet nga marrëveshjet e datës 25 dhe 26 gushtit. Nëse këtë nuk e bën atëherë duhet hequr sa më parë.
A shihni në një të ardhme të afërt në qeverisje Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe a ka ambicie kreu i saj, Albin Kurti, të jetë një ditë kryeministër i Kosovës?
Në Kosovë, dhe në shumë vende të Ballkanit, pushteti përfaqëson problemin më të madh për qytetarët, për banorët e këtyre vendeve. Formula politike është e thjeshtë, shteti është i dobët, pushteti është i fortë. Ky pushtet është vazhdimisht i mbështetur nga një aleancë e fëlliqur mes mafias dhe biznesit, dhe përmes dhunimit të vazhdueshëm të jetës së qytetarit në secilin aspekt të vogël e të madh të sajin, pushteti prodhon të ashtuquajturin stabilitet pa drejtësi. Të synosh këtë lloj pushteti nuk është gjë e vështirë. Edhe Lëvizja VETËVENDOSJE!, edhe shumë individë brenda saj, do ta kishin shumë të lehtë t'i pranonin gjërat ashtu siç janë, dhe "të luanin lojën", duke bërë aleanca të tilla, duke mbyllur sytë, duke bërë siç bëjnë të gjitha subjektet politike pranë pushtetit. Ofertat nuk kanë munguar, sepse është interes i pushtetit të inkorporojë dhe Lëvizjen, duke e bërë atë njësoj si subjektet e tjera. Por synimet e lehta nuk janë fisnike, as tërheqëse për ne. Lëvizja do të jetë në qeverisje shumë shpejt, por do të jetë aty për ta transformuar pushtetin, për ta ndryshuar atë. Ideja është që shteti të forcohet e pushteti të dobësohet. Pushteti duhet të ndahet nga pak në shumë duar, e jo të jetë shumë në pak duar – e kjo vjen vetëm kur të kemi shtet të fuqishëm, shtet që është shprehje e vullnetit publik demokratik, si në vendet e qytetëruara e të zhvilluara. Kjo pra është ambicia jonë edhe ambicia e zotit Kurti, i cili po të kishte synime aq banale sa thjesht të bëhej kryeministër i Kosovës, nuk do të gëzonte respektin që aktualisht gëzon prej shumëkujt.
Në vlerësimin tuaj, a është klasa politika shqiptare në lartësinë e duhur për të mbrojtur interesat kombëtarë, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë?
Në pyetjen e mëparshme unë bëra një ndarje mes pushtetit dhe shtetit, duke treguar se ne si Lëvizje synojmë forcimin e shtetit, ndërkohë që shumëkush tjetër synon forcimin e pushtetit. Më duhet të bëj një ndarje konceptuale edhe në këtë rast, mes asaj që mund ta quajmë "klasë politike" dhe asaj që mund ta quajmë "klasë drejtuese". Klasa politike është e gjerë, ajo përfshin brenda qytetarët, mendjet kritike, intelektualët e angazhuar, madje edhe popullin. Nuk flas për popullin si sasi e fjetur, apo si njësi statistikore, por për popullin si koncept cilësor, të përbërë nga shumësia e njerëzve që ndërhyjnë për t'i dhënë drejtim gjërave që kanë të bëjnë me ta. Brenda kësaj klase politike sigurisht që ka njerëz në lartësinë e duhur, jo vetëm si shqiptarë, po në lartësinë e duhur edhe për mbarë njerëzimin. Por këta kanë shumë pak, ose aspak zë. Lëvizja VETËVENDOSJE! synon të jetë forumi ku zëri i tyre dëgjohet edhe amplifikohet. Po ashtu kemi edhe një klasë drejtuese, e përbërë nga pushtetarët e sotëm dhe pushtetarët e dikurshëm, nga kryetarë bordesh, drejtues biznesesh e shoqërish civile, drejtues mediash e drejtues aktivitetesh që nuk i njohim, siç mund të jenë ato kriminale etj. Këta persona kanë pushtet real në duart e tyre. Ata janë shumë pak, dhe përqendrimi i pushtetit tek ta flet keq për demokracinë tonë. A kanë qenë këta njerëz në lartësinë e duhur për të mbrojtur interesat kombëtarë? Përgjigjen kësaj pyetjeje ia jep vetë analiza që mund t'i bëjmë interesave kombëtare shqiptare, nëse janë ruajtur e nëse janë kultivuar. Unë mendoj se jo, pasi shqiptarët, një shekull e gjysmë pas zgjimit kombëtar, i kanë ende punët shumë më keq nga fqinjët e nga popujt e tjerë evropianë.
A ka në planet e saj Lëvizja VETËVENDOSJE!, të shtrijë aktivitetin e saj edhe në Shqipëri, përderisa është krijuar si lëvizje dhe përfshin të gjithë trojet shqipfolëse?
Lëvizja VETËVENDOSJE! ka aktivistë, anëtarë dhe simpatizantë nga të gjitha trojet. Ajo po ashtu ka një rrjet të zhvilluar në diasporë. Mendojmë se pa u ndërtuar publikja shqiptare, është e vështirë të ndërtojmë vendin tonë në botë. Sa i përket aktivitetit në Shqipëri, kjo është një çështje të cilën nuk e përjashtojmë, por për të cilën vendimet i marrin forumet e Lëvizjes – sigurisht duke vlerësuar edhe situatën në Shqipëri. Kemi kërkesa, siç ka kërkesa edhe për shtrirjen e Lëvizjes në Maqedoni, por ne nuk kemi natyrë populiste, nuk dëshirojmë të shkaktojmë shpërthime emocionale apo ekzaltime te njerëzit, e më pas t'i zhgënjejmë ata. Të gjithë hapat tanë përpiqemi t'i hedhim të mirëmenduar e të matur. Kur të jenë rrethanat e përshtatshme për këtë gjë, sigurisht që do të komunikojmë me publikun në mënyrë transparente, pasi nuk kemi bërë dhe kurrë nuk do të bëjmë aktivitete të natyrës "sekrete" apo "subversive", jemi parimisht kundër tyre. Cili është vlerësimi juaj për Kuvendin e Shqipërisë.
Si opozitare e Kosovës, a i ndiqni zhvillimet politike në Shqipëri dhe çfarë mendoni për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama?
Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë, me aq sa i njoh, janë shumë të ngjashëm për nga përbërja ashtu si dhe për nga natyra, nga serioziteti, apo nga cilësia intelektuale e debatit. I vetmi ndryshim është prezenca e grupit parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Kosovës. Besoj që bashkëpunimi mes Kuvendeve, edhe pse ka një frymë të mirë vëllazërore, është përgjithësisht i cekët, siç janë të paarrira edhe sferat e tjera të bashkëpunimeve mes Kosovës edhe Shqipërisë. Ndërkohë unë jam e bindur se do të duhet të ishte krejt ndryshe, dhe bashkëpunimi do të duhet të ishte thuajse i përditshëm, mes komisioneve, grupeve, madje edhe deputetëve individualë. Për qeverisjen e zotit Rama nuk mund të jap një vlerësim të shkurtër, pasi sigurisht që ka shumë dimensione, kanë ndodhur shumë gjëra të cilat do të mund të vlerësoheshin ndryshe nga njëra-tjetra. Si juriste, vlerësoj përpjekjet e tij pozitive për zgjerimin e shtetit ligjor dhe formalizimit të ekonomisë, pavarë- sisht se ka hasur rezistenca prej atyre që në një farë mënyre kanë përfituar prej të qenit informalë. Pres me interes të shoh edhe se si do të zhvillohet reforma në drejtë- si, pasi mungesa e drejtësisë është një prej problemeve madhore në vendet tona. Por, nga ana e doktrinës së zhvillimit ekonomik, shoh që qeveria Rama ndjek një doktrinë më pranë neo-liberalizmit, të përqendruar tek infrastrukturizimi i tregjeve dhe hapja e tyre, ndërkohë që Lëvizja VETËVENDOSJE! në programin e saj është më pranë neo-kejnsianizmit dhe doktrinës së shtetit zhvillimor, që përqendrohet tek nxitja e prodhimit në sektorë strategjikë, tek zëvendësimi i disa importeve dhe gradualisht nxitja e disa eksporteve. Pra, le të themi se në aspektin ekonomik mendojmë ndryshe nga qeveria Rama, dhe do të kishim vepruar ndryshe. Politikat neo-liberale kanë çuar në krizë një pjesë të mirë të ekonomive në rajon e në botë, dhe tashmë janë të kritikuara edhe nga vetë universitetet ku ato kanë lindur. Politikat ekonomike të Tony Blair-it nuk gëzojnë më respektin e dikurshëm, as në Britani e madje as në partinë e tij. E majta evropiane është shkëputur tashmë, thuajse tërësisht, prej blairizmit. Pak ditë më parë kryeministri shqiptar u qëllua me vezë nga disa studentë, dy prej të cilëve kanë qenë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ju vjen mirë që ju kanë kopjuar për protesta të tilla edhe në Shqipëri? Nuk e di nëse na kanë kopjuar. Nuk besoj se është korrekte të flitet për kopjime. Mënyrat e të protestuarit janë të njëjtat, kudo në botë, dhe nuk kanë "copyright".Me sa jam e informuar, organizatat që kanë ndërmarrë atë protestë nuk kanë patur lidhje apo koordinim me VETËVENDOSJE!-n. Mendoj se përtej çështjes se kush ishte, e me çfarë qëlloi, është shumë më e rëndësishme të kuptohet se pse protestohet. Protesta është një mjet me të cilin njerëzit synojnë që të bëjnë të dëgjohen, e në një shoqëri demokratike, ajo që duhet të ndodhë është pikërisht të dëgjohen.
Përse vazhdojnë të largohen të rinjtë shqiptarë, nga Shqipëria dhe Kosova, drejt vendeve të BE-së. E shihni këtë një problem rajonal apo fenomen veçanërisht shqetësues për shqiptarët që ndoshta nuk kanë pasur asnjëherë qeverisjen e duhur për t'i ndalur?
Më duket ironik fakti se 25 vite më parë shqiptarët akuzonin një regjim diktatorial, pikërisht sepse i ndalte që të dilnin prej vendit, e sot kanë një regjim demokratik që synon t'i ndalë së ikuri. Unë mendoj se politikat e ndaljes së qytetarëve janë represive, dhe në analizë të fundit, të kota, nëse bëhen thjesht për të përmbushur kërkesat e vendeve Evropiane, që shohin interesin e tyre ashtu siç duhet të bëjë çdo vend. Që të rinjtë tanë të mos ikin, ata duhet të marrin një edukim atdhetar të përqendruar tek një vizion i zhvillimit dhe i punës në vendin tonë. Por elita jonë post-moderne vendosi se edukimi atdhetar është i kotë, dhe se ka ardhur koha që njerëzit të mbruhen me frymën e kozmopolitanizmit, e të qenit qytetar i botës. Epo nëse edukohesh se atdheu nuk ka rëndësi, e se je qytetar i botës, atëherë përnjëmend është e pamundur t'i ndalësh të rinjtë e të vjetrit që duan të ikin. Kur flas për edukim atdhetar, nuk dua të keqkuptohem, nuk flas për folklorizma e për ngjyra. Ky edukim do të ishte i zbrazët, nëse nuk bazohet në një projekt afatgjatë zhvillimi. Nëpër të tilla projekte kanë kaluar edhe vende të shkatërruara, si Gjermania, Koreja e Jugut, Japonia, dhe përmes punës ia kanë dalë me sukses. Por kjo kërkon në radhë të parë udhëheqës seriozë, që punojnë për vendin e tyre duke sakrifikuar veten, e jo të atillë që punojnë për veten duke sakrifikuar vendin. Sakrifica reale në radhë të parë duhet të vijë nga lart, jo të kërkohet nga poshtë, siç bëjnë shumë pushtetarë sot.
A besoni se po i mbron si duhet Tirana zyrtare interesat e kombit?
Ditët e fundit e pamë se si Serbia u angazhua me gjithë forcat e saj për të penguar aderimin e Kosovës në UNESCO. Tirana zyrtare bëri shumë për të ndihmuar Kosovën, dhe gjej rastin të falënderoj edhe një herë ministrat Bushati e Kumbaro për punën e palodhshme. Por, një Serbi e tillë, doktrina zyrtare e së cilës për Kosovën është "më pak se pavarësi, më shumë se autonomi", nuk do të duhej të trajtohej si partner normal. Elita e kësaj Serbie është e përbërë nga bashkëpunëtorë të afërt të Millosheviçit. Është detyrë kombëtare e politikanëve shqiptarë që të mos e normalizojnë këtë Serbi, deri në momentin që ajo do të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës. Çështje akute, sa i përket interesave kombëtare shqiptare, është çështja e Zajednicës, apo proto-shtetit serb në Kosovë. Kjo njësi është e bazuar mbi spastrimin etnik të shqiptarëve që përbëjnë 30% të popullsisë të atyre komunave, dhe kjo njësi do ta shndërronte Kosovën në Bosnjë. Për këtë qeveritarët e Shqipërisë janë të vetëdijshëm. Por kjo duhet kritikuar zëshëm. Nëse do të kemi një brez të destabilitetit në Ballkan, që përbëhet prej Bosnjës, Kosovës e Maqedonisë, çelësat e atij destabiliteti ka për t'i pasur Beogradi. Dhe Shqipëria do të jetë e shantazhuara e parë. Të thuash se Shqipëria e Serbia kanë qëndrime të ndryshme për Kosovën, por qëndrime të përafërta për çështje të tjera është, sipas mendimit tim, një normalizim i imazhit ndërkombëtar të Serbisë e cila në ndërkohë promovon fort dhe haptazi anti-shqiptarizimin në rajon. Së fundmi, me kërkesë të Bashkimit Evropian, Kosova po rikthen kontrollin e dyfishtë doganor me Shqipërinë. Hapa të tillë e çojnë në erë edhe atë pak që është arritur në bashkëpunimin mes dy vendeve. Ne e dimë që Prishtina kurrë nuk do të flasë për këto gjëra, për sa kohë të jetë e qeverisur prej aleancës së korrupsionit, por presim nga zoti Rama të flasë haptazi kundër këtyre hapave pas që po bëhen për integrimin ndër-shqiptar.
Pse Kosova nuk mundi dot të pranohej në UNESCO dhe a mund të quhet sukses, siç e komentoi politika e ditës në Prishtinë, faktin se humbi vetëm për tre vota?
Për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe për ne si subjekt politik anëtarësimi në UNESCO ka qenë tejet i rëndësishëm. Natyrisht që mospranimi i Republikës së Kosovës në UNESCO ishte një lajm i keq për të gjithë ne. Kjo ndodhi për të paktën dy arsye. Së pari, për shkak të ofensivës diplomatike të Serbisë e ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës sonë në UNESCO dhe domosdo vendimi për mospranim do të duhej të shërbente për ndryshim të qasjes së qeverisë karshi Serbisë, pra kjo qeveri duhet ta kuptojë që Serbinë e kemi armik që deri më tani nuk ka zgjedhë as mjet as metodë për të na luftuar. Qeveria e Kosovës duhet sa më parë të ndërpresë qasjen nënshtruese karshi Serbisë dhe sa më parë të ndërpresë dialogun me të dhe t'i zhbëjë marrëveshjet e dëmshme që janë nënshkruar në kurriz të Republikës dhe qytetarëve. Dhe e dyta, edhe për shkak të qasjes joserioze dhe tendencës për protagonizëm të Ministrit të Punëve të Jashtme z. Hashim Thaçi dhe zëvendësit të tij. Meqë ka qenë e rëndësisë së veçantë anëtarësimi ynë në UNESCO është dashur të ketë bashkëpunim ndërinstitucional në këtë proces. Të përfshihen gjitha mekanizmat shtetëror në mënyrë që sa më shumë të kemi takime me shtetet që na kanë njohur për mbështetjen tonë në UNESCO. Kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur dhe për këtë të mbahet përgjegjës z. Thaçi dhe zëvendësi i tij. Dhe më e pakta që mund të bënin është dorëheqja pas dështimit.