Aleati historik i PD, Gjana: Është koha t’u themi mjaft eksperimenteve të Ramës dhe Bashës

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana flet për tradhtinë e Bashës ndaj aleatëve historikë: Pakti Basha-Rama rrezikon fatet e vendit. Të krijohet fronti kundër së keqes

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana e sheh marrëveshjen e fundit PS-PD si aktin më të dëmshëm për demokracinë e vendit. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Gjana tregon se kreu i PD-së me paktin që bëri me Ramën abuzoi me aleatët historikë dhe u tregua mosmirënjohës ndaj njerëzve që e mbështetën atë. Ai komenton dhe arsyet se përse Rama dhe Basha shkuan drejt një marrëveshje që synon eliminimin e partive të tjera politike. Sipas tij, të dy kryetarët e partive të mëdha” ndajnë të njëjtën klientelë oligarkësh”. Kreu i PLL thotë se koalicionet e mëdha politike janë të suksesshme në vendet, ku ka një demokraci të konsoliduar, por nuk mund të jenë të tilla në shtete si Shqipëria ku ka probleme serioze të shtetndërtimit. Si kryetar i një partie historikë të së djathtës, Gjana shprehet se pazari Rama-Basha është vdekje e demokracisë. Ai thotë se është i nevojshëm të krijohet front kundër kësaj kaste që rrezikon seriozisht fatet e vendit.

Gjana gjatë 90 ditëve të protestës së PD në Çadër ishit një nga aleatët më aktivë të PD-së. Pas marrëveshjes Rama-Basha, befas bëtë një kthesë duke mos pranuar as kandidimin në Qarkun e Dibrës në emër të Partisë Demokratike. Përse ndodhi kjo kthesë?

Është e vërtetë se PLL dhe unë personalisht jemi angazhuar aktivisht në protestën e opozitës në Çadër, madje kemi qenë mjaft aktivë, teksa organizuam edhe para selisë së BE në Bruksel një protestë në mbështetje të asaj të Tiranës,si dhe duke lobuar me sukses edhe tek institucionet ndërkombëtare për kauzat e drejta të protestës së opozitës.

Ne e kemi mbështetur aksionin e opozitës sepse synimet e afishuara nga PD ishin në koherencë të plotë me shqetësimet që PLL kishte shfaqur prej kohesh për sistemin dhe kodin zgjedhor, diskriminimin që kodi iu bën partive “të vogla”, rreziqet e tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve nga partitë kryesore dhe që është evidentuar në çdo palë zgjedhjeje etj., etj..

Sigurisht, trafiku i drogës, korrupsioni galopant dhe lidhjet e mundshme të pushtetit me mafien, ishin shqetësime serioze për ne, pasi rrezikonin procesin zgjedhor.

PD i bëri këto shqetësime “kalë beteje” të aksionit opozitar, por me arritjen e marrëveshjes Rama-Basha gjithçka ndryshoi shumë shpejt.

Së pari, PD braktisi kauzat e Çadrës dhe u kuptua se z. Basha kishte pasur një agjendë tjetër dhe se Çadra ishte vetëm një alibi.

Së dyti, zgjedhjet u shtynë vetëm një javë, çka pamundësoi krijimin e koalicioneve.

Ne do të mund të ishim regjistruar më vete po të kishim mbledhur 5000 firma, por këtë veprim nuk e ndërmorëm për të mos krijuar përshtypjen e një përçarjeje të opozitës gjatë protestës 90-ditore, por edhe sepse gjatë gjithë kohës, madje edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes Basha-Rama, z. Basha na kishte dhënë garancitë maksimale për përfshirjen tonë në një vend të sigurt në listën e kandidatëve.

Unë personalisht kam qenë gjithmonë kundër përfshirjes së kryetarëve të partive në listën e një partie tjetër. Dhe këtë fenomen e kisha denoncuar edhe në zgjedhjet e vitit 2013.

Megjithatë, në kushtet e reja të krijuara pas marrëveshjes Basha-Rama, do të kisha pranuar një kompromis të përkohshëm e të detyruar me vetveten, vetëm e vetëm për të siguruar përfaqësimin parlamentar të PLL. Por kur z. Basha u tërhoq nga garancitë që na kishte dhënë dhe e pozicionoi kryetarin e PLL të katërtin në Qarkun e Dibrës, unë vendosa të tërhiqem për të treguar se interesi i identitetit të partisë time dhe i kauzave të PLL qëndron mbi interesin personal.

Në qëndrimin e parë që mbajtët pas paktit Rama-Basha deklaruat se pluralizmi dhe demokracia janë në rrezik. Përse mendoni se kjo marrëveshje kërcënon vendin?

Unë gjykoj se qysh prej fillimit të viteve të pluralizmit në Shqipëri e Djathta tradicionale ka vuajtur prej marrëveshjeve PD-PS. Duhet të ndërmendim këtu se PLL (por edhe partia e Ballit Kombëtar), u pengua qëllimisht prej tyre të regjistrohej në zgjedhjet e 22 marsit 1992, sepse pushteti i asaj kohe (qeveria e famshme e Stabilitetit dhe ministria e saj e Drejtësisë) miratoi legalizimin e partisë tonë vetëm një muaj para zgjedhjeve. Por përtej PLL, gjykoj se pluralizmi ka qenë haptazi i rrezikuar qysh në reformën kushtetuese të vitit 2008, që synonte krijimin e një sistemi bipolar, që unë e quaj “bipartizan”. Marrëveshja Basha-Rama është një prej akteve të fundit drejt realizimit të këtij objektivi, që kam bindjen se do të jetë në qendër të diskutimeve për reformën zgjedhore që dy protagonistët e kësaj marrëveshjeje kanë paralajmëruar se do ta bëjnë pas 25 qershorit.

Dhe kur dihet se PS e PD nuk kanë ndonjë diferencë të spikatur ideologjike e programore dhe se ndajnë të njëjtën doktrinë për shtetin dhe pushtetin, në kushtet reale ku ndodhet vendi e ku të dyja partitë ndajnë të njëjtën klientelë oligarkësh, arrij në konkluzionin se demokracia dhe pluralizmi politik janë të rrezikuar, sepse, nëse PS dhe PD arrijnë të krijojnë sistemin bipolar që synojnë, nuk do të kemi më ofertë politike tjetër veçse atë neoliberale me sfond majtist.

Jeni ndër të parët që flisni për pazare meskine nga ana e Bashës dhe Ramës në kurriz të partive të vogla. Konkretisht, çfarë pazaresh nënkuptoni se janë bërë në kurriz të Partisë Lëvizja e Legalitetit?

Shtyrja e zgjedhjeve vetëm një javë e çoi vendin në një situatë krejtësisht të pazakontë, ku u përjashtua mundësia e krijimit të koalicioneve. Mirëpo, dihet se këtë sistem dhe këtë kod e kishin krijuar pikërisht PS dhe PD për të detyruar partitë e vogla që të pranojnë të regjistrohen në një koalicion, përndryshe ekzistenca e tyre ishte në pikëpyetje. Duke mbyllur mundësinë e regjistrimit të koalicioneve, kësaj here besoj se PS dhe PD kanë synuar të bllokojnë në njërën anë LSI, e cila kishte shanset më të mëdha për të krijuar një koalicion të gjerë, dhe në anën tjetër partitë e Djathta, që do të mund të bashkoheshin në një koalicion jashtë PD.  Pra, Rama dhe Basha kanë llogaritur interesat e ngushta të PS dhe PD, duke dëmtuar kësisoj partitë e vogla në të dy kampet dhe krahas tyre edhe LSI, me synimin fundor për t’i fshirë nga skena politike.

Ju keni jetuar për një kohë të gjatë në vende të Bashkimit Europian, ku ka raste të krijimit të aleancave të mëdha mes opozitës dhe pozitës. Krijimi i një qeverie PS-PD çfarë efektesh ka në një vend si Shqipëria?

Unë kam lindur në Bruksel dhe gjithë jetën time e kam kaluar atje në funksione të ndryshme profesionale dhe akademike, dhe besoj se i njoh sistemet dhe vlerat e demokracisë më mirë se çdokush që ka kaluar disa vite jashtë vendit, shpesh herë duke larë pjata…

Është e vërtetë se ekzistojnë raste të shumta në Europë kur krijohen koalicione ndërmjet të majtëve dhe të djathtëve, si në Gjermani, etj.. Madje në Francë kemi parë (dhe mund të shohim përsëri) “kohabitacionin” e famshëm.  Por nuk mund të krahasohen vendet e Europës me një traditë demokratike dhe kulturë të konsoliduar të shtetit e të institucioneve, me Shqipërinë tonë, që cilësohet ende si një demokraci e brishtë dhe ku politikanët e përdorin shtetin në shërbim të pushtetit tyre.  Në Kosovë u bë një provë ndërmjet PDK dhe LDK (që për mendimin tim ishte thjesht një taktikë e Thaçit për të siguruar postin e Presidentit), dhe kjo provë nuk zgjati shumë, pasi sot jemi në prag të zgjedhjeve të parakohshme atje.

Znj. Jozefina Topalli deklaroi disa ditë më parë se nuk përjashtonte mundësinë që listat e kandidatëve të PD të ishin hartuar në mënyrë kilenteliste edhe la të kuptohet se janë kryer edhe pagesa monetare nga kandidatët. Ju si e vlerësoni listën e hartuar nga Basha, ka vend për dyshim për pagesa të tilla? 

Nuk është në natyrën time që, pa prova, të bëj akuza të tilla, ndonëse kam dëgjuar se shumë njerëz brenda radhëve të PD kanë shprehur shqetësime serioze në këtë drejtim.

Besoj se PD do të bëjë analizën e vet pas zgjedhjeve.  Edhe pse unë kam shumë miq në listën e PD, të cilëve u uroj suksese në këtë garë, dua të theksoj se nuk është aspak normale që hartimi i listave dhe në fundore përbërja e më se 90% të trupës legjislative të lihet në duart e 2 apo 3 personave.  Edhe një herë dua të ritheksoj se i gjithë sistemi është ndërtuar mbrapsht e për llogari të pushtetit personal të kryetarëve të partive, dhe kjo nuk mund t’i shërbejë vendit e demokracisë pluraliste.

Marrëveshja Rama-Basha është komentuar si një pakt personal mes dy individëve dhe jo midis dy subjekteve politike! Si aleat i PD-së,a keni kërkuar shpjegime nga Basha dhe nëse e keni bërë, cila ka qenë përgjigja?

Sigurisht që kemi kërkuar shpjegime dhe kemi marrë disa përgjigje që, për mendimin tim, nuk kanë qenë shteruese dhe bindëse, përderisa edhe analiza post factum na çon drejt konkluzioneve të tjera.

PLL ka pasur gjithmonë një raport special me Partinë Demokratike gjatë kohës që drejtohej nga Sali Berisha. Si e shpjegoni heshtjen e Berishës për marrëveshjen e Bashës dhe mos respektimin e aleatëve historikë?

Besoj se kur është pyetur, z. Berisha i ka dhënë sugjerimet e veta për sa u përket aleatëve. Madje para dy javësh kam dëgjuar z. Berisha në një intervistë televizive ku u shpreh se shpresonte ende që PD do t’i ruante raportin politik dhe atë moral me aleatët.

Fakti që z. Basha ka vendosur ndryshe, duke konsideruar se vetëm partitë parlamentare (që u bënë të tilla në vitin 2013 për shkak të PD) duhet të përfshihen në vende të sigurta në listat e PD, më jep të kuptoj se PD nuk e dëshiron bashkëpunimin me PLL dhe përfaqësimin politik të shtresave që ne përfaqësojmë.

Tani që “Çadra e Lirisë” u mbyll me një pakt politik. Gjatë protestave keni dyshuar për ndonjë marrëveshje të fshehtë Basha-Rama që në nisje të tubimeve të opozitës?

Që në fillim të protestës kam pasur dyshimet e mia dhe krahas tyre edhe përshtypjen se gjithë aksioni kishte qëllime të tjera. Megjithatë, mund t’u them se askush nga partnerët e opozitës, por edhe përtej nesh, nuk e ka parashikuar një marrëveshje të tillë.

Gjatë fjalimeve që keni mbajtur në protestat e PD, ju personalisht keni folur për rrezikun nga kanabisi dhe krimi. Si ndjeheni sot që në fushatën e Bashës dhe PD nuk përmendet asnjëherë çështja e kanabizimit dhe e krimit të organizuar?

Mendoj se do të ishte më mirë që ta pyesni z. Basha se si ndihet ndërsa nuk i përmend më këto çështje që gjatë protestës i ishin servirur popullit shqiptar dhe ndërkombëtarëve si çështje të interesit kombëtar…

Duke pasur parasysh mënyrën se si hyri PD në zgjedhje, cilësinë e kandidatëve dhe efektet e marrëveshjes Rama-Basha, cili mendoni se do jetë rezultati i PD dhe opozitës në 25 qershor?

Mendoj se situata në të cilën ndodhemi, ku pluralizmi dhe demokracia janë të rrezikuar nga PS dhe PD, na detyron t’i kapërcejmë kufijtë e interesave partiake.  Mendoj se duhet krijuar një front i madh për shpëtimin e pluralizmit, që të synojë t’i shpjegojë popullit se PS e PD janë shkujdesur aq shumë e kanë shkuar aq larg sa po rrezikojnë frikshëm fatet e vendit… Të kuptohet se ardhmëria nuk mund të sakrifikohet në altarin e pushteteve me pseudo-argumentin e stabilitetit qeverisës.

Përvoja e hidhur e këtij tranzicioni shkatërrimtar dhe bilanci tragjik i tij duhet të mjaftojnë për të nxjerrë mësime dhe për t’u zmbrapsur sa nuk është vonë nga joshja tunduese e pushteteve të pakufizuara, me apo pa rotacion.

Garanci për këtë është pluralizmi i njëmendtë dhe standardet demokratike, të cilat PS dhe PD po synojnë t’i zhbëjnë me anë të sistemit bipartizan që po duan të na e shesin si modelin më të përparuar… Por harrojnë se në tentativat e tyre të panumërta gjatë 27 viteve na kanë lënë në derë fatura të frikshme.

Ambiciet e tyre pushtetore kanë dhunuar sensin e arsyes e të masës…, por “mjaft është mjaft” dhe duhet të ndalojnë, ose duhet t’i ndalim ne të tjerët, duke refuzuar dhe qëndruar fort. Pluralizmi demokratik është pasuri dhe aset madhor i një kombi të qytetëruar. Atë na e kanë dhuruar përvojat shekullore dhe doktrinat e mendimtarëve të mëdhenj.

 Intervistoi: Qamil Xhani

SHKARKO APP