Alida Hisku nga përdhunimet në psikiatri… dhe pse babai e mohoi si bijën e tij!

 

Drama pa fund e Alida Hiskut e ka nisur rrugën pa kthim më 13 qershor ‘83. Atë pasdite vere, fati i saj bënte kapërcimin e çuditshëm nga shkëlqimi i bujshëm, te rrëzimi absurd. Rrëfimi i këngëtares së mirënjohur, për këtë moment kritik, përmbledh përjetimet e një rrugëtimi misterioz nga Konispoli i Sarandës te birucat e Brakës.

Pas një thirrjeje urgjente në vendin ku kryente stazhin e partisë, Alida Hisku përfundoi në bangot e të akuzuarit. Aty pastaj jeta e saj mori një trajektore krejt tjetër dhe artistja e famshme u shpall e padëshiruar për regjimin. Çfarë kishte ndodhur?

Njerëzit si rëndom në të tilla raste, u jepnin rrugë hamendjeve, duke u përpjekur të deshifronin me mënyrën e vet ato pak zëra që depërtonin nga hekurat e qelisë. Fillimisht u fol se e penalizuan për interpretimin e këngëve të huaja. U aludua për një lidhje të fshehtë me grupin e Fiqirete Shehut.

Kishte zëra se e goditën pas refuzimit të ofertës për t’u futur nuse në Bllok. Flitej se e kryqëzuan për ditarin ku mbante shënime. Pëshpëritej sakaq një histori rozë. Përkundër të gjitha këtyre, Alida Hisku rrëfen për herë të parë përjetimet e atyre ditëve, duke iu rikthyer çasteve dramatike të hetimeve të qershorit 1983, në birucat e Brakës…

Zonja Alida! Kreshentua e karrierës suaj artistike është ndërprerë në fillimin e viteve ‘80. Më pas jeni zhdukur papritur nga skena. Çfarë ndodhi?

Dita e rrëzimit absurd ishte 13 qershori i 83-shit. Sa herë e kujtoj më dridhet trupi. Krejt papritur më bënë objekt të organeve të sigurimit dhe pastaj…

Më konkretisht…

Sa kisha mbaruar studimet në shkollën e Partisë dhe siç ishte rregulli, kisha filluar stazhin në prodhim. Bashkë me një grup të vogël studentesh, ishim caktuar në kooperativën e Konispolit. Mbrëmjeve, si zakonisht ulesha në dhomë dhe hidhja shënimet në ditar. Ishte kjo një praktikë qysh nga periudha e adoleshencës. Shënimet personale i përjetoja si pjesë të çlirimit shpirtëror. Me kalimin e viteve ditari ishte bërë një mik i ngushtë në tërë kuptimin e fjalës. Aty sistemoja mendimet e mbresat e çastit, ashtu siç i ndjeja. Ky ritual për shoqet e dhomës (njëra nga Vlora e tjetra nga Rrësheni) shikohej me një lloj habie. Kërshëria arriti deri aty sa ma rrëmbyen fshehurazi dhe ia dorëzuan “kompetentit”. Pikërisht atë ditë mbushej një vit nga vdekja e mamasë. Shënimet e fundit që kisha hedhur aty i dedikoheshin kujtimeve të saj. Po ato shpirtzeza nuk donin t’ia dinin. “Vigjilenca” e tyre kishte dalluar në shënimet e mia agjitacion e propagandë kundër regjimit. Që këtej do niste rrebeshi i goditjes së beftë…

Në çfarë rrethanash i kishit kryer studimet në shkollën e Partisë?

Është një histori më vete mënyra si u regjistrova në shkollën e Partisë “Lenin”. Një histori që ka në qendër njohjen me Fiqirete Shehun. Ajo në një farë mënyre u bë shtysa e këtij shkollimi…

Pra, miqësia me Fiqirete Shehun ju krijoi mundësinë për t’u diplomuar si kuadër partie. Ku ishit njohur me të?

Në atë kohë, artistët në zë e ata që spikasnin, i ftonin në Bllok për të bërë muzikë në raste ditëlindjesh e festash të tjera, sipas shijeve të liderëve. Rasti kishte sjellë të shkoja dhe unë disa herë. Aty jam njohur me Fiqirete Shehun dhe familjen e saj. Kontaktet me të u mundova t’i shfrytëzoj për të gjetur ndonjë punë sipas preferencave të mia. Me qenë se më pëlqente muzika, jo vetëm se isha këngëtare, por edhe kisha filluar të studioja për të, synoja një vend në fushën e kulturës. Mirëpo koha ishte e tillë që nuk mund të emërohej askush në funksione të kësaj natyre, pa pasur teserën e Partisë dhe një shkollë të lartë politike. Ky si të thuash ishte shkaku që më futi në këtë rrugë…

Bekimi i gruas së kryeministrit…

Fillimisht e kisha konsumuar këtë me Fiqirete Shehun, në një gosti në shtëpinë e saj. Ajo më sqaroi procedurat e më pas më udhëzoi për to. I plotësova dokumentet e kërkuara dhe sipas rregullit, i dorëzova në drejtorinë e shkollës nëpërmjet Komitetit të Partisë së rajonit dhe atij të rrethit të Tiranës. Nuk vonoi dhe më njoftuan zyrtarisht për të filluar studimet. Kështu u futa në korpusin, që shkollohej si kuadër politik. Në periudhën e studimeve me Shehun jam takuar herë pas here…

Cilat ishin raportet me Fiqirete Shehun para se t’iu izolonin dhe si reagoi ajo në kohën kur ju penalizuan për të famshmin ditar?

Fiqirete Shehu, drejtoresha e shkollës së Partisë, në përgjithësi mbante marrëdhënie korrekte me studentët. Në pamje të jashtme dukej autoritare, por nuk shfaqej e tillë në kontaktet njerëzore. Në raport me të tjerët, unë flisja më lirshëm me të. Më jepte krahë njohja e hershme, por edhe ai pak emër që kisha bërë në skenë. Gjithsesi, konfidenca në asnjë rast nuk i kapërceu raportet profesor-student. Mirëpo jo kushdo i perceptonte të tilla. Fill pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, marrëdhëniet me Fiqireten u artikuluan me dashakeqësi, duke aluduar prapaskena të çuditshme, që as mund t’i mendoja kurrë. Në një mënyrë apo në një tjetër, orteku i ngjarjeve tronditëse ndaj familjes së kryeministrit, e shtriu frekuecën deri tek unë. Penalizimi për ditarin erdhi menjëherë pas arrestimit të Fiqiretes. Kështu që ajo nuk kishte si të reagonte. Fiqiretja pati fatin ta provonte para meje shtyrjen në greminë…

Në fillimin e viteve ‘80, në Tiranë qarkullonin zëra se Alida Hiskun e kryqëzuan se refuzoi një krushqi në Bllok…

Në atë kohë ishte e vështirë të gjeje të vërtetën. Akoma më e vështirë është sot e kësaj dite. Kjo tregon se nuk ka ndryshuar sistemi i qarkullimit të zërave keqdashës. Për t’i rënë shkurt, asgjë nuk ishte e vërtetë. Ishte shpifje, një thashethem i rëndomtë, i adresuar vetëm për të lënduar zemra njerëzish…

Ti rikthehemi edhe një herë momentit të ndalimit në policinë e Sarandës. Kush ua komunikoi urdhrin e arrestit?

Nuk e di si operohej në rastet e tjera me procedurën e arrestit, por mua asnjëherë nuk më komunikuan një urdhër të tillë. Pasditen e 13 qershorit 1983, njëri nga zyrtarët e shkollës më tha se dikush më kërkonte në qendër të Konispolit. Aty dy xhentillmenë më ftuan në xhipin e tyre dhe bashkë me ta shkuam në Sarandë. Pastaj nga Saranda drejt e në Tiranë, direkt e në qelitë e Brakës. Disa ditë, javë, e muaj aty…

Çfarë të pyetën gjatë ditëve që ishe në qelitë e Brakës dhe si u rrëfeve para hetuesve të sigurimit?

Kur të thërrisnin në polici nuk të qerasnin me kafe. Të nxirrnin një letër përpara e të urdhëronin ta firmosje, për të konfirmuar rrëfenjat e tyre. Në të kundërt, të hidhnin një batanije përsipër që mos t’i dalloje dhe fillonin formalitetet me shkelma brinjëve e në fytyrë. Në rastin tim përballja ishte e tmerrshme. Si tani e kam para syve tërbimin e hetuesit bastard. Sa vinte përballë, fillonte të njëjtin refren: Çfarë lidhje ke pasur me Fiqirete Shehun?…për këtë kemi fakte !! Sa herë keni shkuar në shtëpinë e kryeministrit??… për këtë kemi fakte !! Kush bën pjesë në grupin tuaj?….edhe për këtë kemi fakte.!! Kush është drejtuesi dhe si vepron rrjeti juaj?….! Nuk dija ç’tu thosha. Në thelb, unë këngëtarja e muzikës së lehtë akuzohesha si pjesëtare e grupit armiqësor të Mehmet Shehut. Çudia vetë! Hetuesit silleshin si përbindësha. Skërrmiteshin sikur kishin përballë një superkriminel. Çirreshin, bërtisnin e përgjigjeshin po vetë. Avazi i tyre vazhdonte për orë të tëra. Seancat maratonë riktheheshin pas mesnate. Nuk di sa vazhdoi kështu, pasi një çast humba ekuilibrin mendor dhe përfundova në psikiatri…

***

“Alibia e babait, më mohoi atësinë”

“Prangat janë të rënda për këto. Ca më tepër për duart e brishta të një vajze 23 vjeçe. Sidoqoftë, e keqja nuk përfundonte këtu. Kryqëzata përfshinte krejt familjen e fisin”. Nga kujtimet rreth pasojave të dramës së vitit ‘83, Alida Hisku veçon momentin kur babai u detyrua ta mohojë si bijën e tij.

“Për t’i shpëtuar katastrofës dhe njëherazi për t’u kujdesur për mua si paciente e psikiatrisë, im atë “de juro” më bëri hasha, si i thoshin asokohe, por “de fakto” mbeti njeriu më i dashur në ato ditë tmerrësisht të vështira”. Më tej, artistja e njohur e viteve ‘70-80 rrëfen mbresat nga ditët kur kurohej për depresion nervor dhe andrallat pa fund në kërkim të lirisë.

Kryqëzimi i tim eti

Fill pas izolimit tim për veprimtari armiqësore, filluan të mbajnë në mbikëqyrje babain. Një ditë e thirrën zyrtarisht në Komitet dhe i shtruan dilemën e tmerrshme: Ose dorëzo dokumentin e partisë ose moho Alidën!. I gjendur përballë një situate të tillë, im atë me zgjuarsi zgjodhi alternativën e dytë, për të shpëtuar pjesën tjetër të familjes e të fisit. Për raste të kësaj natyre, në atë kohë, sidomos kur ishte fjala për penalizime politike, të stërgjynosnin në internim me kuç e me maç, në një fshat të skajshëm.

Për t’i shpëtuar katastrofës, por për t’u kujdesur edhe për mua që kisha përfunduar në sallonet e psikiatrisë, babai kamufloi qëndrimin dhe “de juro” më bëri hasha, si i thoshin rëndom në atë kohë. Në fakt, kjo sjellje imponuese ishte sa për sy e faqe, pasi ai nuk rreshti të më gjendej pranë në momentet më të rënda të jetës.

Më shumë se prind i dashur, im atë për mua ishte një shok i afërt. Ai më kuptonte më mirë nga kushdo, aq sa merreshim vesh edhe pa komunikuar. Sidoqoftë, tek ai kjo ngjarje dramatike nuk mund të kalonte pa lënë gjurmë. U thinj e u plak para kohe im atë.

Drama pa fund

Thirrja e papritur në polici pasoi me një dramë të tmerrshme. Nga seancat e hetimeve në qelitë e Brakës, kam fiksuar vetëm përballjet e fillimit. Kur jam kthjelluar, e kam parë veten mes bluzave të bardha. Edhe sot e kësaj dite nuk e di si kam përfunduar aty. Mbaj mend që njëra nga kujdestaret e turnit, më tregoi kur e pyeta se ndodhesha në spitalin pesë.

Pra, në çmendinë, siç i thoshim rëndom. Kush më kishte çuar dhe në çfarë rrethanash isha gjendur në ato “qeli” të bardha, nuk ma shpjegoi kush. Aty kam bërë me qindra gjilpëra. Ndër të parët që më vizitoi ishte babai. Në të gjitha rastet vinte natën, si dikur ilegalët. Më përqafonte me lot në sy e shpesh më pyeste: Ç’ndodhi me ty bija ime? Çfarë ke bërë? Ç’ti thosha?!

Mbyllja sytë e mundohesha të tregoja çfarë më kujtohej. E nisja nga Konispoli, risillja në kujtesë udhëtimin misterioz me xhipin e Sarandës, pastaj çastet befasuese në zyrën e Fize Bozhekut në Komitetin e Partisë numër tre dhe së fundi britmat në qelitë e Brakës.

Më tej gjithçka më mjegullohej si në një ëndërr të frikshme. “Qetësohu, qetësohu, bija ime”, më thoshte im atë duke më hedhur dorën mbi supe. Te spitali pesë kalova ditë e muaj të tërë. Një tjetër çmendinë më priste jashtë dyerve të tij. Një kalvar i tërë vuajtjesh, izolimi, e braktisur nga të gjithë. Vite me radhë kështu, deri në ditën e lirisë…

E lirë në tokë të huaj  

Liria e vërtetë trokiti kur ra diktatura. Vrapova si të gjithë të kap kohën e humbur. Të iki, të iki sa më larg, vendosa në lirinë time dhe u nisa. Ishte fillimi i dhjetorit të 90-tës, kur bashkë me dy djemtë e mi 10 dhe 4 vjeç, mora rrugën e mërgimit. Hipur në një maune ngarkuar me salcë domateje, kaluam Qafë – Thanën dhe mbërritëm në Bullgari.

Prej aty, pas shumë peripecish hymë në tokën gjermane, të ëndërruar prej kohësh. Po gëzimi nuk zgjati shumë. Pas mirëseardhjes, autoritetet na degdisën në kampet e refugjatëve, ku qëndruam tre vjet. Pastaj nisi beteja e ekzistencës. Vështirësitë ishin të shumta, sidomos për mua, një grua e vetme me dy fëmijë të vegjël.

Duhej të përballesha që t’i përgjigjesha sfidës. Ndryshe nuk mund t’i bëja fëmijët e lumtur, që mos të jetonin vuajtjet e mia. Iu përvesha punës, pa kurrfarë pretendimi, deri sa realizova qëllimin. Tek kjo kodër e vogël ku sot gëzoj e jetoj, kam mbërritur me shumë sakrifica, me zvarritje e çarje thonjsh, me gjak nëpër duar e gjunjë, me netë të tëra pa gjumë etj.

I besova vetvetes dhe përmbusha detyrimet kryesore për një jetesë normale për familjen. Në këtë stad modest, më në fund iu riktheva dhe hobit të dikurshëm, muzikës. Pas 20 vitesh desha të provoj nëse më kishte lënë muzika, apo e kisha lënë unë. Dhe ia dola, bile me sukses…

Afrim Imaj

SHKARKO APP