Ambasadori britanik, Nicholas Cannon: Reformat të jenë të qëndrueshme

Ambasadori Britanik në Tiranë, Nicholas Cannon: Korrupsioni që ka kapluar sistemin është një sfidë e mirëfilltë dhe e gjithë klasa politike në tërësi është përgjegjëse për këtë

Intervistoi: Aranit Muraçi

Nicholas Cannon prej muajit mars 2012 është emëruar ambasador i Britanisë së Madhe, në Tiranë.  Cannon muajin tjetër mbush 4 vjet në detyrën e diplomatit britanik në Shqipëri dhe kaq kohë, ka mjaftuar që të njihet jo vetëm me politikën dhe qeverisjen vendit. Cannon tregon fillimisht përshtypjet që i ka lënë vendi ynë dhe populli shqiptar. Ambasadori Britanik, ashtu si edhe diplomatët e tjerë të vendeve më të zhvilluara të Perëndimit  në Tiranë, ka ngritur shpeshherë shqetësimin e drejtë, mbi mos-funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri si dhe rëndësinë që ka Reforma në Drejtësi. Në një intervistë për “Koha Jonë”, Nicholas Cannon, flet edhe për çështje të tjera të mprehta që prekin shoqërinë tonë, për mënyrën sesi mendon se është qeverisur vendi ynë në këto 25 vjet, jep vlerësimin e tij mbi reformat e ndërmarra nga qeveria “Rama”, si dhe prek atë që është kthyer në një problem të gjerë për mbarë Europën, çështjen e azilkërkuesve. Cannon rreth vlerësimin që ka populli shqiptar për të prekur perëndimin dhe dëshirën për t’u integruar sa më shpejt në BE, por nga ana tjetër edhe të hezitimit të  tyre, konkretisht të popullit britanik që Ai përfaqëson, e mbyll intervistën, me shprehjen se: “Ndoshta kjo është një tjetër fushë, ku diplomatët shqiptarë dhe britanikë duhet të punojnë pak më shumë.”

Cannon, prej disa kohësh Ambasador i Britanisë së Madhe në Tiranë. Përveç kostumit të diplomatit, a ndjeheni në një ditë të zakonshme ndopak edhe shqiptar?

Mendoj se keni të drejtë. Shqipëria është një vend shumë i hapur dhe mikpritës dhe diplomatët që vijnë këtu shpesh ndjehen të mahnitur nga kultura, shoqëria dhe politika juaj. Ne ndajmë me ju, sukseset dhe vështirësitë, shpresat dhe zhgënjimet e Shqipërisë. Kështu që, po, për një periudhë të shkurtër kohe ne ndjehemi sado pak shqiptarë.

Cili është mendimi juaj për popullin shqiptar, për qytetarët e këtij vendi. A janë ata po aq europianë dhe a duhet ta ndjejnë veten si pjesë të Europës?

Shqipëria është me fat që ka një popullsi dinamike, krijuese dhe punëtore. Ata ndajnë me Europën historinë, mënyrën e jetesës dhe vlerat e saj kulturore. Prandaj, patjetër që shqiptarët duhet të ndjehen po aq europianë sa francezët apo britanikët. Vlerat dhe kultura evropiane mund të thellohen nga vetë shqiptarët. Identiteti dhe vlerat europiane nuk janë dhurata që jepen nga Brukseli- ato janë shumë më të mëdha se çdo institucion i Bashkimit Europian.

 A është klasa politike përgjegjëse për situatën aktuale ku ndodhet vendi dhe a mendoni se Shqipëria ka  pasur ndonjë qeveri të përgjegjshme gjatë viteve të tranzicionit, pas rënies së komunizmit?

Të gjitha qeveritë këtu, që pas rënies së komunizmit kanë pasur disa suksese dhe vendi ka përparuar në mënyrë dramatike që prej vitit 1991. Por ka pasur gjithashtu shumë gabime, shumë vendime të gabuara dhe mbi të gjithë shumë kohë të shkuar dëm. Korrupsioni që ka kapluar sistemin është një sfidë e mirëfilltë dhe e gjithë klasa politike në tërësi është përgjegjëse për këtë.

 Qeveria e majtë pas ardhjes në pushtet ka ndërmarrë disa reforma, në sektorë të ndryshëm. Si e vlerësoni punën e saj të deritanishme?      

Qeveria e ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të qershorit 2013 ka një mandat reformash dhe pati krijuar pritshmëri të larta te publiku dhe tek miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë. Në shumë fusha si për shembull reforma e qeverisjes vendore, ajo e arsimit dhe lufta kundër kultivimit të kanabisit panorama është pozitive. Në sektorë të tjerë progresi nuk është fort i dukshëm. Shqipëria ka nevojë për reforma afatgjata e të qëndrueshme.

 Janë të shumtë shqiptarët, sidomos të rinjtë, që ende kërkojnë të largohen jashtë vendit të tyre. Përse mendoni se ata  duan ta braktisin vendin e tyre, Shqipërinë?

Ndonjëherë ka faktorë tërheqës. Të rinjtë besojnë- në mënyrë të drejtë ose jo-se mund të gjejnë mundësi më të mira jashtë vendit. Një gjë e tillë është e natyrshme dhe e kuptueshme. Por disa njerëz po largohen sepse janë të dëshpëruar mbi të ardhmen e këtij vendi, për të ardhmen e vet dhe të fëmijëve të tyre. Ata janë të frustruar nga padrejtësitë e disa aspekteve të jetës së përditshme në Shqipëri. Pavarësisht nëse ata kanë të drejtë ose jo, ky është një zhvillim shumë shqetësues. Është gabim që disa politikanë shtiren sikur një gjë e tillë nuk po ndodh.

Vende të ndryshme të BE-së, ashtu edhe vendi juaj, kanë ngritur shpesh kohët e fundit shqetësimin mbi fluksin e madh të shqiptarëve që kërkojnë azil, ose duan të emigrojnë. Por më shqetësues është fakti se vazhdojnë të përfitojnë nëpërmjet pagesave ekstra apo falsifikimeve, një kategori tjetër….

 Shqipëria është një vend i lirë, një aleat i NATO-s dhe shtet kandidat për anëtarësim në BE. Personalisht nuk besoj se ekzistojnë arsye legjitime për shqiptarët të kërkojnë azil jashtë vendit të tyre. Pretendimet e rreme për azil shpesh rrotullohen rreth historive të pavërteta dhe dëmtuese për reputacionin e vendit dhe i shkurajojnë turistët dhe investuesit. Gjithashtu, këto pretendime false mund të dëmtojnë ata persona që kanë me të vërtetë, në mënyrë gjenuine nevojë, për mbrojtje ndërkombëtare.

Sistemi gjyqësor në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar dhe më së shumti është kritikuar nga ana e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Pse është nevojshme për ju reforma në drejtësi dhe a besoni se pas këtij procesi Shqipëria do të ketë një sistem të pavarur gjyqësor?

Reforma në drejtësi është e rëndësishme për arsye të ndryshme. Së pari, sepse shqiptarët meritojnë një sistem të drejtë dhe efikas drejtësie. Së dyti, sepse reforma mund të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Së treti sepse do të nxisë rritjen ekonomike dhe investimet, duke ndihmuar kështu në zvogëlimin e problemeve në shoqëri. Së fundmi, do të promovojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Kjo është një reformë që i shërben Shqipërisë dhe më shumë se të huajve. A do të jetë efektive reforma? Unë mendoj se nëse paketa e reformës miratohet – dhe ç’është më e rëndësishmja zbatohet – do të çojë në përmirësimin e sistemit gjyqësor në vend.

 A e ndiqni median në Shqipëri dhe cili është konstatimi juaj mbi rolin e saj. Sa është ajo në interes të publikut? 

Shqipëria, ashtu si edhe Britania ka një media të zhurmshme dhe energjike në të cilën çdo zë politik mund të dëgjohet. Një gjë e tillë është pozitive për vendin. Sigurisht cilësia e gazetave dhe televizioneve varion gjerësisht, siç ndodh në të gjithë vendet. Në një vend të vogël është shpesh më e vështirë të jesh objektiv gjatë komenteve politike ose të ndërmarrësh hulumtime të mirëfillta. Gjithashtu në Shqipëri, si edhe në shumë vende të tjera, gazetarët (dhe diplomatët) kalojnë shumë kohë brenda unazës së kryeqytetit. Jeta dhe shqetësimet janë shumë të ndryshme në qytetet e vogla apo fshatrat e Shqipërisë.

 Pyetja e fundit: shqiptarët, mendoni se duhet ta duan më shumë Britaninë e Madhe dhe Europën, apo anasjelltas?

Britanikët që e vizitojnë Shqipërinë shpesh i pëlqejnë shumë vendin dhe banorët. Unë kam përshtypjen që shqiptarët e pëlqejnë dhe respektojnë vendin dhe bashkëqytetarët e mi. Por ne nuk e njohim njëri-tjetrin aq mirë sa duhet. Ndoshta kjo është një tjetër fushë ku diplomatët shqiptarë dhe britanikë duhet të punojnë pak më shumë.

SHKARKO APP