Ambasadori i ri i Izraelit: Me Shqipërinë ndajmë vlera të njëjta

Në një intervistë, ambasadori i sapoemëruar izraelit në vendin tonë, Boaz Rodkin thekson se Izraeli dhe Shqipëria ndajnë vlera të njëjta, interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe.

Zoti ambasador duke Ju uruar për detyrën e nisur në Shqipëri, na lejoni t’Ju shprehim ndjenjat tona të thella të miqësisë dhe të dëshirës së sinqertë për suksese në misionin Tuaj. Festa juaj kombëtare do të jetë një komunikim i parë dhe masiv me Shqipërinë. Çfarë simbolizon kjo datë?

Faleminderit. Dita jonë e Pavarësisë është një mundësi për të festuar shumë nga arritjet e Izraelit. Ne kemi integruar në shoqërinë tonë emigrantë nga të katër anët e globit. Ne kemi mbrojtur me sukses lirinë tonë nga sulmet armiqësore të vendeve fqinje. Në kuptimin e plotë të fjalës ne kemi bërë shkretëtirën të lulëzojë si edhe kemi ndërtuar një ekonomi dinamike të nivelit të lartë teknologjik dhe shumë vibrante. Ne kemi ndërtuar një demokraci të shëndetshme dhe të fuqishme, ku liria është e shenjtë dhe të drejtat e njeriut mbrohen nga ligjet, në ndërkohë që jemi dëshmitarë të një rilindjeje të vërtetë të kulturës tonë kombëtare. Dhe, megjithëse edhe me këto arritje ka ende shumë për të bërë, në këtë ditë ne festojmë të bashkuar sukseset e shumta të Izraelit.

Ju jeni në ditët e para të qëndrimit në Shqipëri, cilat janë impresionet që keni marrë në këtë periudhë të shkurtër ?

Edhe kam vetëm katër javë që kam ardhur në Shqipëri, kam vënë re miqësinë e popullit shqiptar kundrejt Izraelit dhe kundrejt izraelitëve. Kjo miqësi nuk provon vetëm fenomenin historik të shqiptarëve të cilët shpëtuan hebrenjtë gjatë luftës, por ajo është edhe një indikacion vlerësimi për marrëdhëniet e ngushta që ekzistojnë mes vendeve tona në shekullin XXI.

Mes Shqipërisë dhe Izraelit ka një komunikim politik shumë të mirë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve jane të inkuadruara në një klimë pozitive. Ku do të fokusohet puna Juaj për t’i çuar më përpara këto marrëdhënie e frymë bashkëpunimi ?

Në të vërtetë Izraeli dhe Shqipëria ndajnë të njëjtat vlera, interesa të përbashkëta dhe marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe. Dy vendet tona po ndërtojnë besim të fortë politik, shkëmbime profesionale kulturore dhe bashkëpunim partnershipi në biznes.

Sa mendoni se bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve tona i përgjigjet frymës së komunikimit politik, ku gjykoni se duhet intensifikuar bashkëpunimi ?

Unë besoj se ka ende shumë për të bërë për të rritur bashkëpunimin mes vendeve tona në fushën ekonomike. Unë pres të shoh më shumë kompani izraelite në zbulimin e mundësive në Shqipëri, sidomos në bujqësi, menaxhimin e ujërave dhe energji dhe kam ndërmend të punoj në këtë drejtim.

Shqipëria është një destinacion turistik në rritje jo vetëm për rajonin, por shumë më gjerë se kaq. A është për vendin Tuaj një destinacion turistik Shqipëria apo akoma nuk njihet mjaftueshëm në atë çfare ofron vendi ynë në këtë fushë ?

Bie dakord me faktin se turizmi izraelit në Shqipëri duhet të rritet më tej. Kjo, jo vetëm për shtimin e numrit të izraelitëve që duhet ta zbulojnë dhe të kënaqen me këtë vend të mrekullueshëm, por edhe për faktin që një gjë e tillë do të kontribuojë për rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Periudha e Luftës së Dytë Botërore përbën një moment me rëndësi në marrëdhëniet midis dy popujve tanë, periudhë për të cilën populli izraelit në vijueshmëri ka shprehur konsiderata të thella. Ne gjykojmë se ai është një prej momenteve që tregon së dy popujt tanë i bashkojnë shumë gjëra dhe shumë të tjera në të ardhmen. Brezave të rinj ne duhet t’ía përcjellim këtë trashëgimi dhe vlerë pozitive. Cila do të jetë platforma e punës Tuaj në këtë drejtim si ambasador në Shqipëri ?

Shpëtimi i hebrenjve nga shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore është unikal për shkak të shkallës së fenomenit. Ky shpëtim përfshiu jo vetëm hebrenjtë brenda kufijve të Shqipërisë, por çdo hebre që kërkoi strehim këtu gjatë Holokaustit. Megjithëse nazistët pushtuan Shqipërinë dhe prisnin që ajo të bashkëpunonte me Hitlerin për ”Zgjidhjen përfundimtare”, çdokush, që nga zyrtarët deri te popullsia rurale u organizuan të shpëtonin hebrenjtë. Përpara luftës, në Shqipëri kishte rreth 200 hebrenj. Që nga fundi i viteve ’30 deri kur forcat aleate mundën nazistët, mijëra hebrenj u futën fshehurazi në territorin shqiptar nga shqiptarët jashtë vendit. Sapo u futën në Shqipëri, hebrenjtë u trajtuan si miq që duheshin mbrojtur, ushqyer, fshehur në shtëpi dhe që duheshin zhvendosur në vende të sigurta kur kërcënoheshin nga rreziku. Gjatë qëndrimit tim në Shqipëri ne do të vazhdojmë të punojmë krah për krah me autoritetet shqiptare si edhe me ambasadat e tjera në Tiranë në përpjekje për të rritur sensibilizimin mbi përgjigjen shqiptare ndaj Holokaustit, për ta përdorur për parandalimin e gjenocideve të mundshme, për të luftuar antisemitizmin dhe për t’u dërguar një mesazh brezave të rinj për shprehjet më të larta të humanizmit si toleranca, vetësakrifikimi, altruizmi dhe kurajoja gjatë një prej momenteve të tyre më të tmerrshme.

Izraeli është një vend me sipërfaqe të vogël dhe me shumë pak pasuri nëntokësore, por me një ekonomi shumë të zhvilluar. Mund të na thoni diçka më shumë për publikun shqiptar lidhur me këtë përparim dhe rrugën që ka ndjekur Izraeli ?

Gjatë 60 viteve të fundit Izraeli është zhvilluar nga një vend bujqësor, i udhëhequr nga pikëpamjet e ndërmarrjeve kolektive, në një ekonomi moderne të teknologjisë së lartë. Një zhvillim i rëndësishëm që ndihmoi në transformimin e ekonomisë izraelite, që nga fillimi i viteve ’90, ishte vala e emigracionit izraelit, e dominuar nga vendet e ish-BRSS-së, që solli mbi një milion qytetarë të rinj në Izrael. Këta emigrantë të rinj, shumica e të cilëve të arsimuar mjaft mirë, tani përbëjnë rreth 16 për qind të popullsisë së Izraelit që është tetë milionë. Mes viteve 1990-97, më shumë se 750 000 emigrantë sovjetikë erdhën në vend duke rritur popullsinë në moshë pune deri në 15 për qind. Rreth 60 për qind e të ardhurve ishin arsimuar në kolegje kundrejt 30 apo 40 për qind të popullsisë lokale. Ky influks nga Rusia i dha Izraelit një goditje nxitëse në burime njerëzore dhe intelektuale. Diversiteti dhe multikulturalizmi i Izraelit zgjerohet natyrisht nga fakti se popullsia e tij konsiston në individë me origjina nga më shumë se 100 vende të ndryshme të botës, në të pesë kontinentet. Përveç hebraishtes dhe arabishtes, dy gjuhët zyrtare të Izraelit, shumë izraelitë flasin shkëlqyeshëm anglisht, si edhe shumë gjuhë të tjera përfshirë frëngjishten, gjermanishten, italishten, rusishten dhe spanjishten. Pasuria e kulturave të ndryshme që ka Izraeli e bën atë jo vetëm një vend fantastik për t’u vizituar dhe për të bërë biznes, por edhe një vend që nxjerr në pah një nga veçoritë e tij më tërheqëse përsa i takon forcës së fuqisë punëtore. Një kolektivitet kurajoz dhe optimist është burimi i kaq shumë inovacioneve. Strategjia e shëndoshë makroekonomike, e ngërthyer me qasjen relativisht konsevatore, ka nxitur performancën e fortë ekonomike të Izraelit, edhe pse ekonomia globale është përballur me rënien e saj.

Cilat janë drejtimet kryesore ku është përqëndruar sot ekonomia izraelite? Sa janë sot prezente në shtete të ndryshme të botës kompanitë izraelite ?

Që nga fillimi, Izraeli ka përdorur zgjuarsinë për të gjetur zgjidhje të spikatura dhe të shpejta ndaj sfidave globale. Zgjuarsia izraelite dhe ekosistemi i tij inovativ i bëjnë kompanitë izraelite që të sjellin shumë shpejt ide të reja dhe eficente në tregje, që veprojnë si përcjellës për teknologjitë e reja në botë nëpërmjet një rrjeti të gjerë vital sektorësh si shëndetësia dhe aparaturat mjekësore, bujqësia, siguria kibernetike dhe media dixhitale.

Megjithë kohën Tuaj të shkurtër në Shqipëri, shikoni mundësinë që kompani izraelite mund të operojnë në vendin tonë duke i mundësuar ekonomisë shqiptare një qasje tjetër atraktive dhe që të kapë ritmet e zhvillimit ?

Në të vërtetë, sipërmarrjet izraelite ndërthurin sipërmarrjen e mbështetur në inovacion me ndjeshmërinë e përgjegjësisë sociale, që ndihmojnë jo vetëm aksionerët e tyre, por gjithë shoqërinë si e tërë. Jam i bindur që ekzistojnë potenciale për zbatimin e së njëjtës qasje edhe këtu në Shqipëri dhe ne jemi më shumë se të gatshëm të bashkëpunojmë me ju që kjo të ndodhë.

ATSH

SHKARKO APP