Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidayet Bayraktar flet për raportet me Rusinë

 

Hidayet Bayraktar, Ambasadori i Turqisë në Tiranë flet në një intervistë ekskluzive për "KOHA JONE:Turqia nuk trembet nga asnjë shtet.

Intervistoi: Qamil Xhani

Lufta në Siri është përshkallëzuar duke komplikuar gjeopolitikën ndërkombëtare. Kriza më e re është ajo ruso-tuke. Rrëzimi i një avioni rus nga ushtria turke ka tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve. Presidenti rus dhe ai turk, prej gati një jave kanë lëshuar mesazhe të forta dhe kërcënime, duke lënë të kuptohet se nëse situata nuk menaxhohet me kujdes, bota mund të jetë afër një përplasje mes dy superfuqive.

Ambasadori tuk në Tiranë, Hidayet Bayraktar, në një intervistë ekskluzive për “Koha Jonë” paraqet qëndrimin zyrtar të Turqisë për mënyrën sesi ka ndodhur incidenti i datës 24 nëntor. Ai thotë se Turqia nuk ka “asnjë qëllim për të shkallëzuar situatën. Ne edhe krizën siriane, edhe këtë ngjarje, nuk i shikojmë si krizë midis Turqisë dhe Rusisë”. Ndërsa lidhur me kërcënimet ruse, ai shprehet se “kur bëhet fjalë për të drejtat e sovranitetit të saj, Turqia nuk trembet nga asnjë shtet dhe ka forcën për të marrë masa të çdo lloji”.

Në datën 24 nëntor një avion rus u rrëzua nga Ushtria Turke. Ndërkaq mënjëherë pas incidentit, Presidenti Rus Vladimir Putin nxitoi ta cilësonte atë si “një thikë pas shpine”, kurse Kryeministri Medvedev si “një akt lufte”. A frikësohet Turqia nga “muskujt” rusë?

Para së gjithash, e shikoj të dobishme të sqarojmë se si ka ndodhur ngjarja. Mëngjesin e ditës së martë, më 24 nëntor, është vërejtur se dy avionë ushtarakë të tipit SU-24, me identitet të paqartë se kujt shteti i përkisnin, kanë fluturuar në një distancë të afërt me kufirin tonë në rajonin Yayladag/Hatay. Të dy avionët janë paralajmëruar gjithsej 10 herë gjatë 5 minutave, për arsye se i ishin afruar shumë hapësirës ajrore turke.

Megjithë këtë, të dy avionët, në të njëjtën ditë, në orën 09.40 sipas orës së Turqisë, kanë filluar të shkelin hapësirën tonë ajrore dhe ndërsa njëri prej tyre ishte duke braktisur hapësirën tonë ajrore si pasojë e paralajmërimeve tona, ndaj avionit tjetër që vazhdonte shkeljet është hapur zjarr nga avionët tanë ushtarakë F-16 që po patrullonin. Dëshiroj të theksoj me forcë se ndaj këtij avioni është hapur zjarr kur ai ishte brenda hapësirës ajrore të Turqisë.

Pjesa kryesore e avionit të qëlluar ra brenda territorit sirian, ndërsa disa pjesë të tij duke rënë në një zonë në brendësi të kufijve të vendit tonë kanë shkaktuar plagosjen e dy shtetasve turq.

Fakti se avioni i rrëzuar i përkiste Federatës Ruse është mësuar më vonë nga njoftimi i autoriteteve ruse. Në fakt, gjithë shteteve të interesuara u kishim njoftuar në kohë se i kishim ndryshuar rregullat tona të angazhimit në rajon kundër regjimit të Asadit, i cili më 22 qershor 2012 rrëzoi një avionin tonë ushtarak RF-4 pa armë, në ujërat ndërkombëtare në Mesdheun Lindor. Ndjeshmërinë tonë ndaj kësaj çështjeje ua kemi përcjellë shumë herë palëve përkatëse.

Pas shkeljes së hapësirës sonë ajrore në rajonin e lartpërmendur nga avionët luftarakë të Federatës Ruse më 3-4 tetor 2015, ndjeshmëria jonë me të gjithë qartësinë e vet u është kujtuar edhe një herë të gjithë bashkëbiseduesve tanë, përfshirë edhe autoriteteve të nivelit më të lartë të Federatës Ruse dhe u është nënvizuar se pilotët tanë kanë marrë urdhër të godasin të gjitha mjetet ajrore ushtarake që shkelin hapësirën tonë ajrore duke ardhur nga Siria, pavarësisht se kujt shteti i përkisnin.

Rajoni i lartpërmendur ndodhet në një distancë më pak se 5 minuta për avionët reaktivë nga qytetet tona si Adana, Mersin, Gaziantep dhe Shanllëurfa. Duke u kthyer tek pyetja juaj, kur bëhet fjalë për të drejtat e sovranitetit të saj, Turqia nuk trembet nga asnjë shtet dhe ka forcën për të marrë masa të çdo lloji.

Megjithëse rregullat tona të angazhimit njiheshin nga autoritetet e Federatës Ruse, avionët të paralajmëruar shumë herë nga radarët tanë, në këtë rast nuk i kanë marrë në konsideratë paralajmërimet. Është perceptuar si një kërcënim avioni që po vazhdonte shkeljen e hapësirës ajrore dhe që në atë çast nuk kishte qenë e mundur të përcaktohej se kujt shteti i përkiste. Si pasojë, janë zbatuar rregullat tona të angazhimit që janë në fuqi.

Shkelja e hapësirës sonë nga një avion i Federatës Ruse dhe si pasojë goditja e tij, është një ngjarje që në asnjë mënyrë nuk dëshironim të ndodhte. Për këtë arsye, duke theksuar se trishtohemi nga kjo ngjarje, dëshiroj të nënvizoj se përgjegjësia për ngjarjen e ndodhur nuk i përket në asnjë mënyrë vendit tonë.

Përballë këtij acarimi të palës ruse është fakt se nga pala turke është treguar një lloj maturie për të mos degraduar në një konflikt të hapur. Pse ky qëndrim i Turqisë? Frikë për t’u përballur, apo maturi për të mos degraduar situata në një shkallë me të gjerë?

Siç thashë edhe më lart, megjithëse nuk dëshironim të kishte ndodhur, vendi ynë nuk ka asnjë përgjegjësi për këtë ngjarje. Vendi ynë ka marrë masat e nevojshme që burojnë nga e drejta e sovranitetit. Ne jemi plotësisht të vendosur në zbatimin e kësaj të drejte dhe kjo çështje është theksuar personalisht nga Presidenti ynë Erdogan.

Por nuk kemi ndonjë qëndrim armiqësor ndaj Federatës Ruse.

Midis Turqisë dhe Rusisë rregullisht mblidhet Këshilli i Bashkëpunimit i Nivelit të Lartë, nën kryesinë e drejtpërdrejtë të kryetarëve të shteteve.

Gjithashtu, firmave të Republikës Ruse u është dhënë projekti për ndërtimin e centralit bërthamor “Mersin Akkayu”, një ndër investimet strategjike të vendit tonë; kanë filluar negociatat për gazsjellësin “Rryma Turke”, një ndër linjat strategjike të gazit natyror për sigurimin e furnizimit me energji të Europës dhe vëllimi tregtar midis të dy vendeve vetëm në vitin 2014 arriti në 35 miliardë dollarë. Për më tepër, shumë sipërmarrës turq po vazhdojnë veprimtarinë e tyre në Federatën Ruse dhe mesatarisht rreth 4 milionë turistë rusë vizitojnë çdo vit Turqinë.

Për të gjitha këto arsye, nuk kemi asnjë qëllim për ta shkallëzuar situatën. Ne edhe krizën siriane, edhe këtë ngjarje, nuk i shikojmë si krizë midis Turqisë dhe Rusisë. Gjatë ngjarjes në fjalë, brenda rregullave të angazhimit, është vënë në objektivin tonë një objekt ajror, për të cilin në atë çast nuk dihej se kujt shteti i përkiste dhe që kishte shkelur kufijtë tanë, megjithë paralajmërimet e njëpasnjëshme para dhe gjatë shkeljes. Edhe për këtë çështje, edhe për çështje dypalëshe dhe rajonale, ashtu siç ka ndodhur në të kaluarën, edhe sot jemi të hapur për një dialog konstruktiv me autoritetet e Federatës Ruse.

Të njëjtin qëndrim konstruktiv presim edhe nga autoritetet e Federatës Ruse.

Rusia e ka shigjetuar këto ditë Turqinë me akuzën për bashkëpunim me ISIS (Daesh), përmes financimit apo marrëveshjeve të supozuara, sipas saj, për tregtinë e naftës. Qëndrimi juaj për këto deklarata?

Para së gjithash dëshiroj të kujtoj se Turqia, para shumë vendeve tjera, që më 10 tetor 2013, me vendim të Këshillit të Ministrave e ka përfshirë DAESH-in në listën e organizatave terroriste. Vendi ynë iu bashkua koalicionit të krijuar nën drejtimin e SHBA-ve kundër DAESH-it dhe në këtë kuadër ka marrë pjesë në shumë operacione ajrore brenda territorit sirian kundër tij.

Në fakt, njëri nga të lënduarit më të mëdhenj prej DAESH-it është Turqia. Deri më sot, nga kjo organizatë janë realizuar shumë aksione terroriste në vendin tonë, ku më i rëndi ishte sulmi në Ankara më 10 tetor 2015 dhe si rezultat i këtyre aksioneve, me qindra shtetas turq kanë humbur jetën dhe me mijëra të tjerë janë plagosur.

Fakti që organet e shtypit aksionet terroriste të kryera nga DAESH në vendin tonë nuk i kanë vendosur intensivisht në axhendën e tyre, siç bënë me sulmet e 13 nëntorit 2015 në Paris, nuk e ndryshon të vërtetën se sulme të tilla janë organizuar në Turqi dhe DAESH e shikon vendin tonë si objektiv të shkallës së parë.

Sot shumë shtetas të vendeve perëndimore janë luftëtarë terroristë të huaj në radhët e DAESH-it. Vendeve perëndimore u është bërë thirrje për të parandaluar udhëtimet e këtyre luftëtarëve terroristë drejt Sirisë. Në kuadrin e luftës me elementët e DAESH-it në Turqi janë realizuar një numër i madh operacionesh dhe janë arrestuar shumë pjesëtarë të DAESH-it.

Por megjithë këtë, në organet e shtypit, përfshirë edhe ato të Shqipërisë, në disa lajme që e kuptojmë se janë me burim nga Federata Ruse kanë zënë vend shpifje të paimagjinueshme sikur vendi ynë po bashkëpunon me DAESH-in për arsye ekonomike.

Kemi bindjen se pas ngjarjes së 23 nëntorit, lajme të tilla të pabaza të përhapura intensivisht veçanërisht në median ruse, i serviren shtypit qëllimisht për t’i dhënë gjoja legjitimitet shkeljes se hapësirës sonë ajrore nga Federata Ruse. Lajme të tilla synojnë të deformojnë të vërtetën.

Dëshiroj të shprehem se hasim vështirësi për të kuptuar se për çfarë arsye organizohen operacionet ajrore në rajonin ku banojnë turkmenët, të cilët janë vendosur që prej shekullit të 11-të në këtë rajon, mbrojnë trojet ku kanë lindur kundër dhunës së regjimit të Asadit dhe gjenden rreth 300 kilometra larg Rakkas që është pozicioni qendror i DEASH-it.

Mendoj se duhet të nënvizoj që nuk e gjejmë me vend që me pretekstin e luftës me DAESH-in të shkelet hapësira ajrore e Turqisë, e cila po lufton intensivisht në fushën juridike, politike, ushtarake dhe ekonomike kundër DAESH-it dhe se i kushtojmë një rëndësi tepër të madhe shmangies së këtyre veprimeve në aspektin e marrëdhënieve tona me vendet e treta.

 

Ka sinjalizim për embargo të produkteve turke në Rusi dhe rishikim të marrëveshjeve ekzistuese mes dy vendeve. Nëse kjo ndodh, a është gati Turqia të përballet me efektet e embargos dhe a do t’ia kthejë në të njëjtën mënyrë reston Rusisë?

Natyrisht që ne nuk dëshirojmë që të dëmtohen marrëdhëniet tona ekonomike me Rusinë. Rusia është një ndër tri vendet e para në tregtinë e jashtme të Turqisë dhe prej vitesh po e ruan këtë pozicion.

Edhe Turqia është një ndër partnerët tregtarë më të rëndësishëm të Rusisë.

Menjëherë pas incidentit, NATO ka mbledhur strukturat drejtuese. Në rast të përkeqësimit të raporteve më Rusinë si e shiheni angazhimin e NATO-s në këtë konflikt?

Çështja se për shkak të shkeljes së hapësirës sonë ajrore ishte rrëzuar një avion, i cili vetëm pas deklaratave të autoriteteve ruse u kuptua se i përkiste Federatës Ruse, iu njoftua jo vetëm anëtarëve të NATO-s, por edhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përshirë edhe Federatës Ruse.

Në të njëjtën kohë janë ftuar veç e veç në Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe janë informuar ambasadat në Ankara të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.  

Hapësira ajrore turke sovrane e shkelur, në të njëjtën kohë, është hapësirë ajrore e NATO-s. Nisur nga ky fakt, me kërkesën tonë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka informuar aleatët në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të NATO-s, të zhvilluar në mbrëmjen e 24 nëntorit 2015. Aleatët tanë kanë bërë deklarata të fuqishme solidariteti me vendin tonë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në deklaratën për shtyp që dha pas mbledhjes, duke kujtuar se edhe më parë kishte shprehur shqetësimin nga pasojat e aksioneve ushtarake të Federatës Ruse pranë kufijve të NATO-s, theksoi se ngjarja e ndodhur nxori në pah rëndësinë e rregullimeve për të shmangur situata të tilla dhe të respektimit të këtyre rregullimeve, se siç është shprehur vazhdimisht, NATO është në solidaritet me Turqinë dhe se e mbështet tërësinë territoriale të vendit tonë që është një aleat i saj.

Gjithashtu, sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka nënvizuar së edhe informacionet dhe vlerësimet e marra ditën e ngjarjes nga shumë aleatë kanë qenë në përputhje me informacionet e paraqitura nga Turqia.

Megjithëse nuk i dëshirojmë sulmet ndaj vendit tonë nga vendet e treta, nuk kemi dyshim se NATO do t’i përmbushë detyrimet e veta ndaj aleatëve të saj.

Unë edhe një herë dëshiroj të theksoj se nuk kemi asnjë qëllim të përshkallëzojmë situatën. Megjithë këtë, duhet mbajtur në mendje se nuk duhet pritur që të tregohemi tolerantë përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit tonë.

 

SHKARKO APP