Ambasadori shqiptar në Turqi: Gylen nuk është kusht i Erdoganit
Ambasadori shqiptar në Turqi Genci Muçaj, i ftuar në studion e A1Report ka deklaruar sot se propozimi i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan për mbylljen e bizneseve të kundërshtarit të tij Fetullah Gylen nuk është kusht për investimet që qeveria turke do të sjellë në Shqipëri. Muçaj tha se për Turqinë Shqipëria është nj vend mik dhe se është mjaft e rëndësishme që edhe investimet në vendin tonë të jenë të mëdha në kuadër të zhvillimit dhe rritjes ekonomike.
Intervista e plotë e ambasadorit në A1Report
I arriti pritshmëritë vizita e Erdogan në Tiranë?
Kjo nuk është vizita e tij e parë se ai ka ardhur dhe më parë. Në pozitën e presidentit mund të themi që kjo vizitë ishte e suksesshme dhe u prit siç duhet të pritej një kre shteti me të gjitha takimet e duhura. Edhe fakti që solli një grup të madh biznesmenësh unë mendoj se ishte një vizitë shumë e mirë.
Po paketa e investimeve që solli ai për Shqipërinë sepse duhet theksuar që ka sjellë investime të mëdha?
Media e ka pasqyruar intensivisht takimin dhe mund t’ju them se hedhja e gurit të themelit të xhamisë nuk ishte surprizë se ishte e pritshme por kjo nuk ishte më e rëndësishme se u bisedua edhe për projekte të tjera ku Erdogan ra dakord me krerët shqiptarë se vendi ynë ka nevojë për investime. Mundësitë janë që me Turqinë të intensifikohen shumë marrëdhëniet dhe duhet pasur parasysh se ndërtimi i parlamentit dhe rikonstruksioni i ansamblit të Gjirokastrës të bëhet më atraktiv për të gjithë vizitorët. Këto nuk janë thjesht investime por synohet që qeveria turke të ndihmojë edhe bujqësinë shqiptare. Në këtë fushë impakti do të ishte i menjëhershëm. Bujqësia ka nevojë imediate për investime. Në infrastrukturë ka kohë që ne bashkëpunojmë me Turqinë e cila është një partner i hershëm i vendit tonë dhe po punojmë për një marrëveshje intensifikimi të këtyre marrëdhënieve. Për herë të parë jemi pozicionuar në krahun e duhur dhe kjo shihet qartë në cilësinë e ushtrisë.
Një tjetër fushë e rëndësishme është ajo e bashkëpunimit të shëndetësisë ku një numër i madh i pacientëve shqiptarë po shkojnë e po kurohen në Turqi duke marrë atje shërbime mjaft cilësore. Edhe në sektorin minerar, në miniera kemi sërish një bashkëpunim të rëndësishëm, po të përmendim këtu edhe projektin TAP kjo e bën edhe më të fortë bashkëpunimin. Shteti turk është shtet me influencë të madhe në Ballkan,
Erdogan solli projektet konkrete, ku vlen të përmendet se plot 30 milion euro do të jepen për xhaminë e Namazgjasë. Është diskutuar se këto financime vijnë me qëllime të tjera. Kush i ka financuar konkretisht këto projekte?
Kjo është gjëja më periferike që duhet parë se kryesore është të shihet kontributi i shtetit turk. Janë paratë e taksapaguesve turq që kanë një dashamirësi të madhe për popullin shqiptar dhe këtë e tregoi e dhe Erdogan gjatë vizitës së tij të djeshme.
Kur do nisë rikonstruksioni i parlamentit sepse edhe ky ishte një nga projektet që do financojë qeveria turke?
Është rënë dakord që do financohet por edne nuk mund të flasim për një datë konkrete. Kur dy lider flasin nuk është një marrëveshje në letër por është një fjalë burrash shteti. Vetë Erdogan i ka paraqitur Nishanit projektin që Turqia ka vendosur të ndërtojë parlamentin por e rëndësishme është që duhet riparë edhe njëherë projekti ku ata që financojnë do rishohin projektin sepse besoj e kanë këtë të drejtë.