Ambasadori ynë në Greqi: Kemi kërkuar rinegocim për paktin detar
Ambasadori i Shqipërisë në Greqi, Dashnor Dervishi në një intervistë të dhënë për “Independent Balkan News Agency” ka deklaruar se marrëveshja e përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve mbetet një objektiv i rëndësishëm në axhendën e përbashkët shqiptaro-greke.
Shqipëria është një partner strategjik për Greqinë, një mik strategjik dhe një fqinj strategjik. Si e shihni të ardhmen e marrëdhënieve tona duke patur parasysh se Shqipëria është duke u përgatitur për t’u bashkuar me BE-në?
Shqipëria dhe Greqia janë dy vende fqinjë në juglindje të Europës, të lidhura ngushtësisht midis tyre në mënyrë jetike, me histori dhe tradita të njëjta, me hapësira tokësore, ujore dhe detare që janë zgjatime të njëratjetrës, me popullsi të përzjera dhe në lëvizje në të dy anët e kufirit. Pra, nga pikpamja politike dhe gjeostrategjike janë jo vetëm dy vende partnere strategjike por edhe me lidhje vitale midis tyre. Si dy popuj nga më të vjetrit në rajonin tonë, në historinë e lashtë dhe moderne, për arsye që jo gjithmonë janë varur nga neve, vendet tona janë përfshirë në blloqe apo aleanca të ndryshme politike apo ushtarake. Pavarësisht nga kjo, popujt tanë asnjëherë nuk e kanë humbur identitetin e tyre, kanë bashkëjetuar me njëritjetrin në mënyrë të natyrshme. Fatmirësisht, mbas rënies së murit të Berlinit dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë, të dy vendet tona janë pjesë e të njëjtit bllok politik dhe ushtarak, i përkasin të njëjtës Aleancë euro-atlantike. Jo vetëm kaq, por me shtrirjen e rrjetit energjitik dhe rrugëve të kalimit në rajonin tonë, Shqipëria dhe Greqia futen përfundimisht në të njëjtin sistem të sigurisë europiane. Pavarësisht se Shqipëria ka statusin e vendit kandidat të antarësimit në BE, ajo tashmë “de facto” është pjesë e pandashme e saj për vet pozicionin gjeografik që ndodhet por edhe për faktin se vokacioni i popullit shqiptar i përket Europës. Raporti i sivjetshëm i Komisionit Europian që është dokumenti më i rëndësishëm i “dosjes së zgjerimit” të BE-së vlerëson reformat në Shqipëri jo vetëm për gjatë një viti, por edhe në termat e gatishmërisë së vendeve të rajonit, bazuar mbi një metodologji të aplikuar për herë të parë. Shqipëria vlerësohet për linjëzimin e politikës së jashtme me atë të BEsë, si një aktor aktiv në rajon, marrëdhënie solide me fqinjët dhe partnere konstruktive në “Procesin e Berlinit”. Në këtë mënyrë, Raporti është në vetvete një udhërrëfyes për hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet shqiptare dhe aktorët politikë me qëllim sigurimin e mbështetjes për fillimin e procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE. Në këtë kuadër ne vlerësojmë mbështetjen pa rezerva dhe të pa kushtëzuar edhe të Greqisë që si një vend fqinj dhe pjesë e përbashkët e interesave gjeostrategjike, është një zë i ndjeshëm në vlerësimet e BE por edhe si një kontributor efikas në dhënien e eksperiencës konkrete, bazuar edhe në Memorandumin e përbashkët të nënshkruar në verën e këtij viti gjatë vizitës së MPJ të Greqisë Kotzias, në Tiranë.
Një prej çështjeve të mbetura pezull është ajo e marrëveshjes së vitit 2009, për kufirin detar që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare. Duhet të presim ndonjë zhvillimet në të ardhmen?
Marrëveshja për delimitimin e kufirit detar dhe ZEE (Zonave Eksluzive Ekonomike) në detin Jon është në interes të të dy vendeve tona. Si e tillë, ajo ka qenë dhe mbetet një objektiv i rëndësishëm në axhendën tonë të përbashkët. Përpjekjet e bëra në këtë drejtim çuan në përgatitjen e atij drafti që u nënshkrua nga dy ministrat tanë të jashtëm më 2009, por që nuk arriti të finalizohet me një marrëveshje përfundimtare për arsyet që tashmë janë bërë të njohura. Ashtu si Greqia, edhe Shqipëria është shumë e interesuar për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Për këtë ne nuk kemi rreshtur nga përpjekjet për të gjetur termat që do bënin të mundur nënshkrimin e saj. Janë parashtruar propozimet tona për rinegocimin e saj që do të ishin në përputhje të plotë të interesave tona të përbashkëta, të konventave ndërkombëtare për detin dhe parametrave të BE ku ne bëjmë pjesë. Në këtë kuadër, në nivel diplomatik dhe ekspertësh takimet dhe konsultat janë në proces. Mos të harrojmë se këto procese duan kohën e tyre. Në këtë drejtim, Greqia ka një eksperiencë të vyer edhe me vendet e tjera që laget nga të njëjtit det, si një vend me shtrirje të gjerë detar që fillon nga deti Jon, Adriatik, Mesdhe, e deri në Egje. Është rasti të theksoj se, ashtu siç shikon me preokupim arritjen e një marrëveshje me Greqinë për detin Jon, Shqipëria është e interesuar të nënshkruaj edhe aktet ligjore me fqinjin tonë të Jugut për njohjen zyrtare të kufijve ekzistues në tokë dhe të ujrave të ëmbla.
A është minoriteti grek në Shqipëri, një urë e miqësisë apo është më shumë një burim i tensionit midis dy vendeve?
Minoritetet janë një fenomen i njohur për vendet e rajonit tonë. Jeta e tyre merr një specifikë të veçantë dhe komplekse pasi në të njëjtën kohë që duhet të jenë qytetarë normalë të vendit që i përkasin, ata në mënyrë të natyrshme dhe me të drejtë, ruajnë lidhjet shpirtërore, të kulturës, traditave, gjuhës, besimit fetar, etj të etnitetin që i përkasin. Të gjitha këto janë rregulluar me legjislacionet përkatëse të secilit vend, në zbatim edhe të konventave ndërkombëtare dhe institucioneve që monitorojnë respektimin e tyre. Zbatimi i tyre në jetën e përditëshme bëhet më kompleks. Në vartësi të zhvillimit ekonomik, emancipimit shoqëror dhe politik, diferencave të nivelit të jetesës nga një vend në tjetrin, etj bëjnë që çështja e minoriteteve të mbetet e hapur. Kur ka vullnet të mirë politik nga fqinjët dhe ndikimi i tyre është pozitiv dhe konstruktiv me mesazhet e tyre, ato bëhen urra të fuqishme të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit midis tyre. Kur njihen realitetet e ndryshme që përmenda më sipër dhe ruhen të njëjtat parametra në interesimin për minorancat që janë jashtë kufijve ashtu si për ata që i përkasin etnive të tjera brenda kufirit të vet, minoritetet mbeten gjithnjë një faktor i rëndësishëm në marrëdhëinet midis vendeve fqinjë. Minoriteti grek në Shqipëri është një nga minoritetet më të emancipuara dhe më të integruara në shoqërinë shqiptare. Ata ndërthurin historinë e përbashkët të dy popujve tanë. Heronjtë e historisë sonë dhe ndryshimeve të mëdha revolucionare janë të mbushur me emra që i përkasin minoritarëve grekë dhe atyre me origjinë shqiptare që kanë luftuar e kontribuar në Greqi. Edhe sot, minoriteti grek në Shqipëri dhe zonat ku ai është shtrirë, është një model me parametra emancipues për pjesën tjetër të vendit. Përfaqësuesit e tij janë të pranishëm në institucionet më të larta të shtetit shqiptar, në Parlament, qeveri e kudo.
Kriza e refugjatëve e ka prekur thellë vendet e Ballkanit edhe pse refugjatët nuk preferojnë të kalojnë Shqipërinë. Vendi juaj ka një histori të gjatë të emigrimit masiv në vendet e BE-së ndaj doja të dija se si e shihni ju mënyrën se BE po reagon për këtë çështje?
Çështja e refugjatëve tashmë i ka kapërcyer kufijtë dhe dimensionet e vendeve tona të rajonit. Ajo është një çështje që kapërcen mundësitë modeste të vendeve tona. Shqipëria nuk ka kufij të jashtëm të BE për të qenë një vend pritës. Territori i saj është i vështirë nga pikpamja gjeografike dhe infrastrukturore për të qenë një vend transit. Megjithatë, qeveria jonë e cila është pjesë e forumeve ndërkombëtare për trajtimin e krizës së refugjatëve, ka shprehur gatishmërinë e saj për t’iu përgjigjur çdo kërkese që do t’i vijë nga Brukseli, duke bërë gati edhe infrastrukturat përkatëse në rast nevoje me afrimin e dimrit dhe përkeqësimin e kushteve.
Ne nuk kemi parë ndonjë përparim në lidhje me marrëveshjen për ushtarët grekë të cilët u vranë në vitin 1940 dhe trupat e tyre janë në tokën shqiptare. Cila është arsyeja kryesore për këtë situatë?
Territori i Shqipërisë ka qenë vazhdimisht një vend ku kanë kaluar shumë ushtri të huaja dhe fushë betejash midis tyre, përveç ushtrive okupatore. Për të gjithë të rënët e këtyre luftrave në territorin tonë janë ngritur varrezat, apo monumente përkujtimore, ashtu siç është respektuar dëshira e atyre që kanë preferuar t’i tërheqin në vendet e tyre. Me Greqinë, ky proces ka filluar disi me vonesë dhe për shkak të marrëdhënieve të “ngrira” deri në vitin 1971 (vendosja e marrëdhënieve diplomatike). Mbas ndryshimeve demokratike në vendin tonë, megjithëse Greqia vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë, midis dy vendeve, në vitin 2009 u nënshkrua “Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Republikës së Greqisë dhe Këshillit te Ministrave të Republikës së Shqipërise për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarëve greke të rënë në luftë, në Shqipëri, gjatë luftës grekoitaliane, të viteve 19401941 dhe ndërtimin e vendprehjes për ta në territorin Republikë së Shqipërisë”. Për menaxhimin e këtij procesi u ngrit një komision i përbashkët, i cili në Shqipëri drejtohet nga Zv/shefi i i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Mbas fillimit nga puna dhe ngritjes së dy varrezave, në proçesin e zhvarrosjes dhe grumbullimit të eshtrave ndodhën disa ngjarje të pakëndëshme që e devijuan këtë proçes politikisht dhe moralisht. Në marrëveshje është parashikuar që në raste të tilla të mblidhet Komisioni i përbashkët për të zgjidhur keqkuptimet. Në shkurt të këtij viti, pala shqiptare ka kërkuar zyrtarisht palës greke për mbledhjen e Komisionit të përbashkët për të zgjidhur problemet dhe për t’i hapur rrugë këtij procesi human, në respekt të të rënëve. Së fundmi, këtë muaj ka një reagim nga pala greke për takimin midis dy komisioneve.