Andreas Schockenhoff: Gjermania kundër influencës ruse në Serbi, Kosovë…
Berlini është shqetësuar me rritjen e influencës ruse në Ballkan, në veçanti në Serbi. Lidhur me këtë flet për Deutsche Welle-n, Andreas Schockenhoff, nënkryetar i grupit parlamentar të CDU-së në Bundestag.
Si e vlerësoni gjendjen aktuale të Serbisë, sepse ajo po përpiqet të bëjë një lloj sparkate mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë?
Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka bërë të qartë se Serbia do të ndjekë rrugën e integrimeve evropiane. Natyrisht që Serbia është nën presionin e madh të Rusisë. Putini po përpiqet që përmes energjisë dhe varësisë ekonomike të shtojë influencën ndaj disa vendeve në Ballkan. Kjo është një sparkatë e vështirë për Serbinë. Është fakt që Vuçiqi e ka pritur së fundi Putinin në Beograd me nderimet më të larta protokollare. Por ai nuk ka bërë lëshime ndaj Putinit dhe e ka thënë qartë se Serbia do të ndjekë rrugën evropiane. Ndaj ne duhet ta mbështesim Serbinë në këtë rrugë.
Si e vlerësoni në përgjithësi gjendjen aktuale në Ballkanin Perëndimor, nga perspektiva e konfliktit në Ukrainë. A ekziston rreziku i reflektimit të këtij konflikti edhe në Ballkan?
Putini na ka imponuar një sistem konfliktesh. Kursi i tij është kurs revizionist. Putini do që të rikthejë sa më shumë zonën e influencës së dikurshme të Bashkimit Sovjetik. Ndaj këto vende duhet të marrin një vendim të qartë: për Evropën dhe vlerat e saj, si shteti juridik, demokracia, ekonomia e tregut dhe lufta kundër korrupsionit. Apo të jenë pjesë e asaj që ofron Putini në një model tjetër shtetëror dhe ekonomik të Unionit doganor Euroaziatik. Ky është një vendim i vështirë, sepse Putini po përpiqet t'i shantazhojë vendet e varura ekonomikisht në Ballkan. Ndaj pres që këto vende të përcaktohen qartë për kursin e tyre pro-evropian. Por kjo do të thotë se BE-ja duhet të bëj ç'ështe e mudnur për t'i ndihmuar këto vende dhe oferta e BE-së duhet të jetë shumë e qartë dhe atraktive.
Këtu qëndron edhe problemi kryesor, sepse vendet e Evropës Juglindore kanë përshtypjen se BE-ja, po merret vetëm me problemet e veta të brendshme dhe se perspektiva e tyre evropiane është kthyer vetëm në një retorikë të thatë. Ato kërkojnë nga BE një ndihmë më të madhe, më të qartë…
Natyrisht që BE-ja ende ka probleme të shumta të brendshme: kemi pasur krizën ekonomike që ka shpërthyer në vitin 2008-2009, krizën e euros dhe dallimet e mëdha konkurruese. Bullgaria dhe Rumania janë pranuar në vitin 2007 dhe ato duhet të adaptohen, pra të gjitha këto probleme duhet të kapërcehen. Por oferta e BE-së duhet të jetë më e qartë. Pas samitit të fundit BE – partneriteti lindor në Vilna konstatuam se Putini nuk do të ketë partneritet, por mendon për kthimin e zonave të influencës dhe se ai nuk e njeh sovranitetin e plotë të vendeve fqinjë me Rusinë. Ndaj Evropa duhet të ofrojë më shumë. Nuk mund të presim deri në përballimin e vështirësive me anëtarësimin e vendeve të reja, para se të integrojmë Ballkanin. Këto probleme duhet t'i zgjidhim paralelisht. Për këtë me siguri që na duhet një kohë e caktuar, por vendet e Ballkanit duhet të jenë të bindura se oferta e BE-së është e sinqertë dhe e qëndrueshme.
Pra, a do të thotë kjo se vëmendja e Brukselit, Berlinit dhe qendrave të tjera duhet të përqendrohet në Ballkan më shumë se deri tani?
Natyrisht, sepse prej shpërthimit të konfliktit në Ukrainë dhe agresionit ushtarak të Rusisë në Ukrainë kemi një vëmendje krejt tjetër në NATO. Ne në NATO kemi marrë edhe vendime konkrete – për të rritur aftësinë mbrojtëse të vendeve anëtare. Edhe në negociatat me vendet e Ballkanit, kandidate për anëtarësim në BE, ne duhet të jemi shumë më ambiciozë. Por kushtet duhet të plotësohen. Rusia është duke bërë aktualisht një propagandë shumë agresive. Jo vetëm në Ukrainë dhe Rusi, por edhe në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropën Perëndimore. Rusia po përpiqet ta manipulojë realitetin, duke e krahasuar gjendjen në vende të ndryshme përmes pohimeve të gabuara. Ndaj vendet si Serbia, Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen aktualisht me një propagandë shumë të hapur dhe agresive të Rusisë.
Situata duket e qartë: Rusia do të shtojë influencën e saj në Ballkan. Po cili është qëndrimi i Gjermanisë ndaj kësaj zone, sepse e di, që edhe ju personalisht, jeni shumë i angazhuar në zgjjidhjen e problemeve në Ballkan?
Për këto vende që gjenden në një fazë shumë të vështirë transformimi, është shumë me rëndësi që BE-ja të ketë një pozitë shumë të qartë. Ndaj është shumë me rëndësi që edhe Gjermania të ketë pozicione të qarta, sepse Gjermania shihet me shumë vëmendje. Gjermania ka një rol vendimtar edhe në çështjen e sanksioneve dhe kërkesave për mbështetjen në unanimitet të sanksioneve ndaj Rusisë. Nëse vendet tona partnere në rajon kanë përshtypjen se në Gjermani ka qëndrime të ndryshme dhe se ato do të jenë pre e presioneve ruse, pozita e këtyre vendeve do të jetë shumë më e vështirë. Ndaj është shumë i rëndësishëm fakti që të ketë një unitet të madh në qeverinë gjermane. Por kërkohet edhe uniteti i BE-së. Për këtë duhet të plotësohen dy kushte shumë të rëndësishme: Së pari, uniteti absolut i BE-së, i cili nuk duhet të lejojë përçarje si në konfliktin e Gjeorgjisë në vitin 2008. Dhe e dyta, transformimi shoqëror, politik dhe ekonomik në vendet, të cilat ndodhen në rrugën e integrimeve duhet të jetë një histori suksesi. Ndaj duhet t'i mbështesim reformat, por edhe duke i nënvizuar kërkesat tona për reforma.