Anjeza Shahini: Dashuria nisi me humor. Paul më ftoi për një pije. Unë i thosha “ok, nëse nesër martohemi”
Është pak a shumë si kur takon një mikeshë që ke vite pa e parë, e cila është martuar së fundmi. Do të dish më shumë, sesa ke mësuar në nja dy komunikime të shkurtra, për burrin e saj të jetës, për dasmën në atë ambientin përrallor, për fustanin që i dukej aq bukur në foto… Kush e di sa herë riporosisni çaj për të shoqëruar bisedën rreth këtyre sekreteve të vogla dhe jetës së re. Ngjashëm, bëhuni gati të mësoni më shumë për historinë e Anjeza Shahinit e cila është martuar gjithashtu së fundmi në një vilë historike në Toskana duke zgjedhur të ishte një nuse e thjeshtë, me look e stil vintage. Do ju duket sikur një kamera e vogël e padukshme po lëviz mes të ftuarëve, instrumenteve muzikorë dhe altarit, në atomsferën romantike të Vila di Corliano-s, por do mësoni edhe si mbërritën aty, ajo dhe Paul Connolly, diplomati britanik, dy udhëtarë që e ndërtuan historinë e tyre në stacionet e dashurisë… një rrëfim me detaje që nga dita e parë e njohjes. Mbusheni paraprakisht çajnikun plot!
Anjeza si je njohur me Paul-in?
Jam njohur në Shqipëri, në janar të vitit 2011, në një nga club-et e njohura të ishbllokut, ku kam qenë e ftuar të këndoj, edhe pse në fakt Paul erdhi në club, pasi kisha mbaruar së kënduari. Ka qenë pronari i ambientit i cili është mik i Paul-it, që u bë më shumë shkak për njohjen tonë.
Si nisi marrëdhënia juaj?
Marrëdhënia jonë ka nisur duke bërë humor me njëri-tjetrin. Paul më ftoi për një pije dhe unë i thosha “ok, do e pimë, por me kusht që ditën tjetër të martohemi”. Në fakt, përfunduam që pijen e pimë pas 6 muajsh për shkak të angazhimeve tona.
E keni pasur ndonjë farë kohe marrëdhënien në distancë?
Si e keni jetuar atë periudhë? Paul-it i duhej të kthehej në Britani pasi mbaroi punën e tij në Shqipëri, në fund vere të vitit 2012 dhe që nga atëherë e deri me sot, marrëdhënia jonë është mbajtur në distancë edhe pse, pas disa kohësh, unë mora vendim të kaloja më shumë kohë në Angli se sa thjesht vizita të shkurtra apo fundjava. Nuk ka qenë fort e lehtë në fakt, udhëtimet kanë qenë të shpeshta dhe për këtë arsye edhe punët tona, sidomos të miat, ka qenë pak vështirë të menaxhohen, por në të njëjtën kohë, distanca e rrit romancën dhe mendoj që ka qenë e dobishme për të dy, pasi kemi krijuar besim të plotë tek njëri- tjetri, na ka ndihmuar të jetojmë bashkë, por edhe të pavarur.
U vu ndonjëherë në diskutim historia juaj?
Po, është vënë një herë, para se Paul të largohej nga Shqipëria, ishte një moment që të dy nuk dinim si të reagonim, pasi ishte ende herët të merrnim vendime të mëdha dhe të dy kishim jetët tona individuale.
Po pastaj, si e morët vendimin për të qenë prapë bashkë?
Ashtu si nëpër filma, një natë para se Paul të nisej, të dy vendosëm të mos e ndërprisnim marrëdhënien tonë duke i premtuar njëri-tjetrit më shumë.
Me ç’kuptohet nga propozimi në Venezia, ai është një tip romantik. Të bën shpesh dhurata të kësaj natyre?
Unë shpesh e akuzoj si jo romantik në fakt, por e vërteta është që është, kuptohet me sa mund t’ia lejojë figura e një mashkulli. Ai e di që mua më pëlqejnë zgjedhjet romantike dhe përpiqet të më përshtatet. Çdo dhuratë e mendon gjatë dhe përkushtohet duke e personalizuar, jo domosdoshmërisht të shtrenjtë, pasi e di që nuk më lumturon thjesht një dhuratë komerciale. Edhe për sa i përket propozimit në Venezia, besoj që, duke më njohur, e ka menduar si zgjedhje që do ta kisha bërë edhe unë,por të dy e kemi një ndër vendet tona të preferuara, unë prej filmit “The tourist”, ai prej “Casino Royal” të “James Bond”
Pse zgjodhët Italinë edhe për dasmën? E kujt ishte ideja?
Sigurisht që vendimin e kemi marrë të dy për çdo zgjedhje që kemi bërë në lidhje me dasmën. Të dy i duam shumë udhëtimet dhe vendosëm që edhe kurorën ta vendosnim në udhëtim. Të shtyrë nga propozimi në Venezia, por të joshur edhe nga tradita e njohur e dasmave toskane, vendosëm Italinë, e cila është edhe vendndodhje strategjike midis Anglisë dhe Shqipërisë. Mund të them ama që për sa i përket vendit ku do të mbahej eventi dhe ceremonia, e kam vetë meritën :). Pak muaj më parë, pas shumë kërkimesh në internet, vendosa të udhëtoj në Itali dhe së bashku me miket e mia të ngushta vizituam disa lokalitete deri në momentin që u mrekullova nga Vila që gjetëm për të cilën vendosa menjëherë. Çdo gjë e kemi përshtatur sipas traditave, duke i shkëmbyer më së miri kulturat e familjeve tona.
Disa detaje për fustanin, unazat, bizhutë…
Stili i fustanit, të cilin e vesha në ceremoni, i përket kohës viktoriane. Materiali u ble në Londër, u qep dhe u qëndis me motive shqiptare në Shqipëri, por është përfunduar në Como të Italisë, pasi nuk u arrit të përfundohej në kohë në Shqipëri. Ndërsa fustani i darkës u ble i gatshëm, në model më bashkëkohor, por që e kombinova me aksesorin kapele vello, duke e përshtatur me stilin vintage në të cilin doja të qëndroja. Ndërkohë që në ceremoni nuk vendosa vello, por vetëm kurorë. Unazat u morën në Londër, ndërsa bizhutë (varëse e vathë) ishin punim origjinal shqiptar me filigram në formën e margaritarëve.
Në media u fol për një numër të vogël të ftuarish. Sa ishin në të vërtetë dhe pse ky vendim?
Numri i të ftuarëve sikurse edhe u tha në media, ishte i kufizuar. Kjo përveçse ishte e pashmangshme për vetë vendin ku zgjodhëm të kurorëzoheshim, ishte edhe për një arsye shumë të thjeshtë: dëshira e të dyve, ka qenë gjithmonë e tillë, “nëse do të martohemi ndonjëherë, dasma jonë nuk do t’i përngjajë dasmave me qindra njerëz, e cila fillon dhe mbaron me kërcim, por do jetë një ndarje gëzimi mes njerëzve më të dashur, të cilët do të qëndrojnë me ne tri ditë e tre net, do të ndihen pjesë e dasmës tonë, duke u përfshirë në çdo detaj, do të bëjnë e dëgjojnë fjalime të ndjera, do të përloten dhe sigurisht do të festojnë duke hedhur edhe valle”. Ndaj 30 vetët e ftuar ishin pikërisht ata të cilët kanë qenë pjesë e historisë sonë të dashurisë gjatë këtyre viteve dhe jemi shumë të lumtur që e realizuam dëshirën tonë.
Celebrimi ishte civil apo fetar?
Në fakt kemi qenë në dilemë disa kohë, nëse donim t’i nënshtroheshim celebrimit fetar apo civil pasi të dyja format kishin vështirësitë e veta burokratike, por si përfundim u celebruam në formën civile nga zyrtarët e Komunës së San Giuliano Terme-s. Kjo edhe sepse “Vila di Corliano” duke pasur të drejtën të kryejë ceremoni ligjore, na jepte mundësinë të shfrytëzonim ambientin e oborrit të saj historik, gjë që do ishte mëkat ta humbisnim.
Çfarë muzike u luajt duke pasur parasysh që vini nga dy vende të ndryshme, me kulturë të ndryshme, por edhe fakti që bëhet fjalë për dasmën e një këngëtareje? Ti i përshëndete dhëndrin dhe të ftuarit me këngë?
Muzika që u luajt gjatë ceremonisë dhe aperitivit nga një harpiste dhe një violiniste të zonës toskane, u përzgjodh me kujdes, çdo këngë ishte e personalizuar, duke filluar që nga ecja për në altar me “The flower duet” e cila është edhe muzika promocionale e British Airways, duke pasur parasysh që e kemi dëgjuar sa herë kemi udhëtuar te njeritjetri. Vazhdoi pastaj me kolonën zanore të një prej filmave më të bukur të dashurisë “Pride and Prejudice”, “Liz on top of the World” apo me muzikën e të preferuarëve tanë “Coldplay”, që ka qenë edhe CD e parë që Paul më ka dhuruar etj. etj.. Më pas gjatë darkës, miku ynë i cili është Radio Dj profesionist në Angli, luajti muzikë me playlist-ën që kishim përzgjedhur bashkë dhe mbi të gjitha me vinyl records origjinale,duke i qëndruar besnik stilit vintage. Por sigurisht mesnata pastaj, na gjeti me napolonin dhe me valle përmetare. Nuk këndova në dasmën time. Në fakt, më qëllon gjithmonë të përshëndes miq e të afërm kur shkoj në dasmat e tyre, por në timen preferova të dëgjoja e të vallëzoja.
Sa e tërheq Paul-in e kaluara jote te Ethet apo festivalet? Iu ktheheni shpesh bisedave për to?
Më pëlqen t’i flas gjithmonë për të kaluarën time, për gjithçka dhe sidomos kur udhëtojmë, filloj e i tregoj. Normalisht jo gjithmonë i dëgjon i përqendruar të gjitha historitë e mia :), por vlerëson shumë gjithçka, sidomos kur i flas për vështirësitë në art, me të cilat jam ndeshur. Mendoj që ndihet krenar për të kaluarën time dhe beson në të ardhmen time gjithashtu.
Po ti, çfarë ke menduar për të ardhmen?
Para pak kohësh ke deklaruar që nuk ke plane muzikore. Është e vërtetë që aktualisht nuk kam plane për muzikën dhe do shpresoja që fansat e mi të më mirëkuptojnë. Për disa arsye, por mbi të gjitha për faktin që jam duke nisur një rrugëtim të ri, në një tjetër vend, më duhet përkushtim dhe një fokusim i ri.
Kthimin në muzikë, kur të ndodhë, e mendon gjithmonë në tregun shqiptar apo do tentosh edhe atë të huaj?Nuk mund të premtoj asgjë për sa i përket tregut të huaj, pasi vërtet dhe sinqerisht nuk kam bërë asnjë plan dhe pse duhet thënë, që rrallë kam bërë plane në muzikë, por një gjë është e sigurt, që nëse do të më jepet mundësia, do këndoj.
Po ndërkohë je bërë zonjë shtëpie. Cilat janë punët shtëpiake ku ndihesh më e zonja?
Oh, kur merrem me punët e shtëpisë, e marr shumë seriozisht dhe nuk lë cep pa pastruar. Më pëlqen ta mbaj vendin ku rri, të rregullt dhe të pastër, përpara se të shijoj një film apo një kafe. Ende nuk ndihem e zonja në përdorimin e lavatriçes :).
Po për të gatuar sa e zonja je? Ke arritur ta bësh Paul-in fans të ndonjë gatimi shqiptar?
Kur e kam njohur Paul, ai kishte tre vjet që jetonte në Tiranë, për arsye të punës. E merr malli shumë për Tiranën, i pëlqen shumë natyra e ngrohtë, emocionale dhe mikpritëse e shqiptarëve, i pëlqen mali i Dajtit, deti i Jugut dhe sigurisht ushqimet bio. Unë nuk jam ndonjë amvisë e përkryer, por përpiqem të mësoj nga gabimet e mia sa herë gatuaj. Ndoshta është e lidhur me origjinën time nga Elbasani, por ajo që bëj më mirë për momentin e që Paul-it i pëlqen shumë, është tava e kosit.
Di ndopak shqip ai?
Shqipen e njeh shumë pak, por i kam premtuar që do i jap disa leksione në të ardhmen.
Ka pasur nga ato situatat për të qeshur mes jush apo miqve tuaj për shkak të kulturave të ndryshme?
Një nga situatat më të lezetshme ku kulturat tona ndeshen është kur flasim rreth distancave të rrugëve. Britanikët, të famshëm për ecjet e tyre të gjata, i masin me minuta distancat, ndërkohë që mua më duken orë të gjata, kuptohet e mësuar me një tjetër realitet. Dhe kur vendos të ec diku, më pyesin dy herë nëse jam e sigurt.
Çfarë të mungon më shumë nga Shqipëria kur je në Angli?
A ka diçka, nga ana tjetër, me të cilën je mësuar e të është bërë pjesë e dashur e rutinës atje? Nga vendi im sigurisht më mungon gjithçka që më lidh me të, mbi të gjitha familja, shtëpia ime, miqtë dhe rutina e aktiviteteve me të cilën jam mësuar tashmë prej 11 vitesh. Ndërsa në Britani gjej qetësi dhe kohë për t’iu përkushtuar më shumë vetes dhe kjo është një rutinë e re që më pëlqen. /Class