Arben Imami: Senat, jashtë interesave partiake
Z.Imami, pak muaj më parë, ekspertë të Ministrisë së Drejtësisë paraprakisht diskutuan idenë që paralelisht me reformën në drejtësi, në funksion të kësaj të fundit, të shihej edhe mundësia e krijimit të dy dhomave në Kuvend, ajo e deputetëve dhe e senatit. Ju keni qenë një ndër kontributorët kryesorë të kësaj ideje që prej vitit 1998, më pas në vitin 2008 e deri sot. Në këtë vorbull diskutimesh, a mendoni se duhet hedhur sërish kjo ide, pra ajo e bikameralizmit? Nëse po, cilat janë efektet pozitive të saj?
Meqenëse prekët vitin 2008, në këtë vit unë kam shkruar diçka për një konferencë shkencore për të treguar avantazhet e dy dhomave dhe për të evidentuar faktin që Kushtetuta jonë është e cunguar, e mangët pa senatin. Sepse e tërë ngrehina kushtetuese është konceptuar me senat dhe kur kemi hequr senatin, për shkak të kushteve politike a më saktë mospranimit të tij nga aktorët politikë, jemi përpjekur që këtë ta meremetojmë duke arnuar disi Kushtetutën me votimin me 3/5-at dhe elementë të tjerë. Kjo është një ide e cila ka gjetur herë pas here jehonë. Unë do të kujtoja se Fondacioni “Soros” mblodhi një grup politikanësh dhe konstitucionalistësh para disa muajsh dhe një ndër propozimet ishte edhe kjo. Siç thatë, në një platformë të hartuar nga ekspertë të ministrisë së Drejtësisë kjo ide është e përfshirë, fillimisht. Mendoj se mund dhe duhet rishqyrtuar, sepse nuk mund të ketë një reformë në drejtësi, apo më saktë një reformë të thellë të saj pa rishikuar Kushtetutën. Dhe, në këtë kuadër, senati do të ishte një trupë e cila do të kishte nivelin më të ulët të angazhimit partiak, pra do të ishte një trup më pak partizane sesa Kuvendi. Do të ishte një trupë e cila do të zgjidhej ndryshe dhe do të kishte një objekt të ndryshëm nga Kuvendi. Kjo trupë do të mund të ndiqte problemet e drejtësisë në vijimësi dhe pa ndërprerje për shkak të mazhorancave të lëvizshme dhe do të ishte një institucion që në raport me drejtësinë do t’i jepte Presidentit të vendit një interlokutor të vijueshëm. Për të ruajtur vijueshmërinë, qëndrueshmërinë e sistemit dhe për ta pasur më në fokus dhe jashtë interesave partiake, ky propozim ndoshta do të ishte i vlefshëm. Propozime për të ngritur 8 trupa, 8 komisione që dalin drejtpërdrejt nga mazhoranca…etj, nuk shkojnë në shtratin tonë kushtetues. Ato janë propozime revolucionare të cilat në fakt unë jam i bindur që jo vetëm në një periudhë afatgjate, por edhe më herët ato do të japin pasoja shumë negative për sistemin e drejtësisë.
Megjithatë, z. Imami, më shumë se me çdo gjë tjetër kjo nismë lidhet me vullnetin politik. A mund të ketë vullnet për çështjen në fjalë, në një kohë kur drafti për reformën në drejtësi, (bashkë me ndryshimet kushtetuese) është dërguar tashmë në Komisionin e Venecias?
Çështja e vullnetit politik është një çështje e cila mund të ndërtohet. Unë besoj se, në qoftë se të gjithë ata që mendojnë se kjo mund të ishte një zgjidhje, atëherë do të bënin një përpjekje konstruktive në funksion të kompromisit, me të gjitha palët politike për një punë të mirë.
Duke mbetur te kompromisi politik, besoj se duhet gjetur më parë kompromisi brenda vetë PD-së. A e keni diskutuar me z. Basha (i cili ka folur për këtë ide edhe publikisht) dhe, a jeni të gatshëm që t’i paraqisni atij një platformë konkrete në këtë drejtim?
Z.Basha është shprehur, me sa di unë, dy herë në favor të zbatimit të një ideje për senatin. Mbas kësaj kam biseduar me z. Basha. Por kjo nuk është vetëm çështje e z. Basha, sepse PD-ja nuk është vetëm kryetari. Dhe kur flasim për ide apo platforma, nënkuptoj të biseduarit në mënyrë konstruktive me të gjitha palët, kam parasysh sigurisht jo vetëm PD-në, por edhe partitë e tjera parlamentare. Megjithatë, mendimi im mbetet i njëjtë; që për të marrë vendime të tilla nuk mjaftojnë vetëm partitë, por duhet një konsultim më i gjerë, me aktorë të brendshëm por edhe të jashtëm.
Duke mbetur tek aktorët e jashtëm, që ju i prekët sa më sipër… Në mos gaboj, në vitin 1998 ju keni hartuar një draft fillestar, që parashikonte një variant të Kushtetutës aktuale me senatin të përfshirë… A ka qenë ky variant paraprak po aq i pranueshëm (sa vetë ju hartuesit) në atë kohë edhe nga aktorët e jashtëm?
Po. Ekziston një tekst i tillë dhe jo vetëm që është miratuar në atë kohë, por është një tekst i cili është konsultuar dhe me Komisionin e Venecias. Nga kjo pikëpamje edhe konsultimi ndërkombëtar, nuk po themi se është përfundimisht i realizuar, por deri në një masë të rëndësishme, po.
Pra, është vetëm çështje e vullnetit politik?
Po, i brendshëm kryesisht.
"Mapo"