Arben Rakipi: Prokurorisë i mungon përgjegjshmëria institucionale

 

Nga Ben Andoni

Ish-kryeprokurori shqiptar Arben Rakipi në këtë reformë është përfaqësues i Shkollës së Magjistraturës. Në këtë intervistë për BIRN, ai është ndalur për funksionet e prokurorisë, llogaridhënien e saj dhe ndryshimet e duhura kushtetuese. Pasi dihet se roli i kryeprokurorit në emërimet në bazë është shuar dhe kompetencat i merr këtej e tutje Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Interesant është sesi do të funksionojë kjo strukturë, që “është menduar të kompozohet ndryshe, të paktën në letër jashtë ndikimit politik”, shprehet ai. Ky Këshill do të përbëhet nga një numër prokurorësh, në shumicë të tij, dhe disa figurash të tjera, në pakicë, të konsideruar të lidhur afër, për shkak të punës me sistemin e drejtësisë penale. Të gjitha ata do të zgjidhen përmes votës së anëtarëve të përkatësisë së institucionit ku punojnë dhe, do të shkëpusin marrëdhëniet e punës me të për një periudhë 5 vjeçare, pra do të jenë për të gjithë kohën e plotë të punës, anëtarë të Këshillit të Prokurorisë. Mbetet për tu parë performanca e tyre në praktikë, ndërsa reale mbetet përpjekja që po bëhet.

Në propozimet e ndryshimeve kushtetuese dhe projektin paraprak të ligjit përkatës për Prokurorinë, është paraparë dhe mënyra e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Dhe, kjo është fusha e tij. “Ai është larguar nga sistemi i mëparshëm dhe, me të drejtë. Kandidati do të gjenerohet nga brenda institucionit, do të përmbajë kritere të forta të karakterit profesional, të eksperiencës, të integritetit moral etj. Janë propozuar të ngrihen edhe mekanizmat përkatës për verifikimin e plotësimit të kritereve dhe sjelljes së tij”….Të gjitha janë të mira në letër, por ajo që mungon është pikërisht sesa të zbatueshme do jenë nga letra në praktikë. Për Rakipin, ka shpresë sepse “nisur nga prezumimi se Reforma në Drejtësi është interesi më i lartë kombëtar i momentit, them se duhet dhe do të votohet. E kundërta nuk më rezulton e kuptueshme”, përfundon ai.

Juve jeni një nga ekspertët kryesorë që po merreni seriozisht me Reformën në Drejtësi. Ju keni idenë e emërimit të prokurorëve nga KLD-ja. A mendoni se ky element e bën më të pavarur prokurorinë shqiptarë dhe pse?

Rakipi: Unë jam njeri prej ekspertëve, caktuar nga Shkolla e Magjistraturës, përfshirë në komisionet e ngarkuara me reformimin e drejtësisë penale dhe gjetjen e masave antikorrupsion. Përgjigja e pyetjes suaj duhet parë në tërësinë e ndryshimeve të propozuara, në rolin e ardhshëm të Prokurorit të Përgjithshëm, gjithnjë pa u ndarë nga vlerësimi i gjendjes dhe shkaqet që kërkuan ndryshimet në fjalë. Tashmë është pranuar, edhe në variantin e publikuar të propozimeve për ndryshimet Kushtetuese se, roli i sotëm i Prokurorit të Përgjithshëm në drejtim të emërimit të prokuroreve do të shuhet. Ndryshimet e mbështetura nga grupi i ekspertëve e rregullojnë këtë element nën kompetencën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, një simotër e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Këshilli do të përbëjë organin ku karriera e prokurorëve do të matet me meritën dhe konkurrencën e drejtë.

Për të shpjeguar përse mendohet që karriera e administruar nga Këshilli i Prokurorisë do të jetë premise e rëndësishme e pavarësisë së Prokurorisë në tërësi, më duhet të kujtoj se një prej gjetjeve negative që grupi i ekspertëve, edhe publiku duhet thënë, kanë vërejtur në funksionimin e Prokurorisë, ka qenë edhe influenca e lartë, tepër e ekzagjeruar në opinionin tim, e vullnetit të titullarit të Prokurorisë në seleksionimin, shpesh herë pa takt, të karrierës së prokurorëve jo mbi bazë të meritës, por të lidhjeve jo profesionale. Shkak i parë i gjendjes është gjetur të jetë jo vetëm plotfuqishmëria e titullarit Prokuror, por edhe i mënyrës politike të zgjedhjes së tij nëpërmjet binomit President-Kuvend.

Ndërsa Këshilli i Prokurorisë është menduar të kompozohet ndryshe, të paktën në letër jashtë ndikimit politik. Ai do të përbëhet nga një numër prokurorësh, në shumicë të tij, dhe disa figurash të tjera, në pakicë, të konsideruar të lidhur afër, për shkak të punës me sistemin e drejtësisë penale. Të gjitha ata do të zgjidhen përmes votës së anëtarëve të përkatësisë së institucionit ku punojnë dhe, do të shkëpusin marrëdhëniet e punës me të për një periudhë 5 vjeçare, pra do të jenë për të gjithë kohën e plotë të punës, anëtarë të Këshillit të Prokurorisë.

I ndërtuar në këtë mënyrë, të paktën në letër, Këshilli i Prokurorisë duhet të jetë i pavarur në punën e tij. Të paktë premisat ligjore i janë krijuar për t’u sjellë ashtu. Seç do të vërtetojë veprimtaria e përditshme e tyre nesër, mbetet për t’u parë. Për të mos u zhgënjyer përsëri, kujdes do të bëjmë në përcaktimin e kritereve për të qenë anëtar i Këshillit, në mënyre që pjesa e shëndoshë e prokurorëve dhe, jo vetëm, të jetë drejtues i Institucionit.

Për sa i takon idesë të një KLD-je të përbashkët, siç përmendi një prej propozimeve të mia të dikurshme, ajo nuk ka gjetur mbështetje. Unë kam uruar që prokurorët e gjyqtarët të jenë nën drejtimin e të njëjtit organ, jo vetëm për shkaqe të shkurtimit të shpenzimeve administrative, por mbi të gjitha për rregullimin e karrierës së njëjtë të tyre, nën të njëjtat rregulla. Por, përfundimi ka qenë ai që u shpjegova me lart.

Përzgjedhja dhe performanca e kryeprokurorit në Shqipëri janë vazhdimisht ushqim përplasjesh politike dhe lum akuzash të ndërsjella. Si do të ishte zgjedhja më e mirë e kryeprokurorit në vendin tonë, sipas mendimit tuaj?

Rakipi: Përzgjedhja dhe performanca janë të lidhur se bashku, ashtu siç lidhet fenomeni shkak-pasojë me njëri-tjetrin. Ajo përgjithësisht është prodhim i kërkesave intelektuale që kanë përzgjedhësit, çfarë ata mendojnë se duhet të plotësojë kandidati përkatës. Në një farë mënyre është prodhimi i nivelit politik në institucionet ku përgatitet kandidimi bile edhe pak më gjerë se aq.

Në propozimet e ndryshimeve kushtetuese dhe projektin paraprak të ligjit përkatës për Prokurorinë, mënyra e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm është larguar nga sistemi i mëparshëm dhe, me të drejtë. Kandidati do të gjenerohet nga brenda institucionit, do të përmbajë kritere të forta të karakterit profesional, të eksperiencës, të integritetit moral etj. Janë propozuar të ngrihen edhe mekanizmat përkatës për verifikimin e plotësimit të kritereve dhe sjelljes së tij. Të gjitha së bashku japin bazamentin e duhur për të konkluduar garën e njërit prej kandidatëve më të mirë. Kjo është çfarë është shkruar. Çfarë do të ndodhë në jetë është tjetër gjë. Unë kam shumë bindje se e para do të jetë afër perfektes, të paktën për sistemin që është pranuar nga shumica jonë, ndërsa nuk e vendos dorën në zjarr për implementimin në praktikë të së shkruarës. Ende nuk jam gati për këtë.

Pastaj, për idetë e mia personale, për sa me pyet, nuk besoj se s’ka më interes. Sa për ti përmendur ato, sepse nuk më rrihet pa folur për një sistem të cilin, personalisht e konsideroj më të mirë se sa ai që po del nga Reforma, them se lidhja e ngushtë e Prokurorisë me Ministrinë e Drejtësisë, Qeverinë pra, është modeli që funksionon më qartë dhe më i përgjegjshëm. Për hollësitë e psesë së kësaj, nuk kam ndërmend të zgjatem, sepse bëhem i lodhshëm dhe flas për një gjë që nuk përkrahet në terrenin tonë. Pa ndonjë arsye bindëse, të paktën për mua.

Kur dhe si mendoni se duhet të japë ai llogari?

Rakipi: Pyetja juaj kërkon përgjigje sa organike dhe institucionale, por edhe politike, edhe procedurale. Me dy fjalë: prokurori duhet të japë llogari përpara gjykatës. Kjo është procedurë. Ai kontrollohet nga gjykata në çdo hap dhe akt që përpilon.

Por në ligjin që po formohet është projektuar që Prokurori i Përgjithshëm dhe struktura të tjera, Prokurori Antikorrupsion apo drejtuesi i Këshillit të Prokurorisë të jenë më të përgjegjshëm, duke dhënë llogari, përpara Kuvendit të Shqipërisë. Mekanizma bashkëpunimi dhe kontrolli duhen gjetur edhe në marrëdhëniet e tyre me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e tjera Kushtetuese të vendit. Unë mbështes idenë se përgjegjshmëria e Prokurorisë është një element që nxit cilësinë e lartë të punës. Një prej defekteve të konstatuara ka qenë pikërisht mungesa e përgjegjshmërisë institucionale të Prokurorisë. Dhe, besoj që ky element do të korrigjohet, bile, në opinionin tim, duhet të përmbaje dhe efekte apo pasoja nëse nuk rezulton të jetë kryer.

A mendoni se ndryshimi i njërit apo tjetrit element në këtë reformë kërkon medoemos dhe ndryshime të rëndësishme në Kushtetutë? Si do të realizoheshin këto, në këtë stad që jemi tani…

Rakipi: Sa folëm lart janë të gjitha elementë që nuk realizohen, nëse nuk preket kushtetuta. Ekspertët e kanë përfunduar, në vija të përgjithshme, materialin në fjalë. Tani është çështje vullneti politik për të bërë ose jo ndryshimet e domosdoshme. Nuk jam në gjendje të jap lartësinë apo dendësinë e vullnetit politik, por nisur nga prezumimi se Reforma në Drejtësi është interesi më i lartë kombëtar i momentit, them se duhet dhe do të votohet. E kundërta nuk më rezulton e kuptueshme.

BIRN

SHKARKO APP